Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për Leonard Dukën dhe 6 vite burg për Drianto Bardhin, të akuzuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit. Kërkesa është paraqitur në kuadër të gjykimit të një prej fraksioneve të dosjes “Revanshi”.
Sipas akuzës, dy të pandehurit dyshohet se kanë siguruar kushtet për eliminimin e dy personave, të cilët kanë qenë në qendër të ngjarjeve të rënda kriminale. Ervis Martinaj rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej vitit 2022, ndërsa Erigers Mihasi u ekzekutua në një atentat mafioz në Tiranë.
Leonard Duka është dënuar më herët me 30 vite burg, pasi është cilësuar si kreu i grupit kriminal përgjegjës për ekzekutimin e ish-policit Santiago Malko. Leonard Duka u ekstradua në Shqipëri më 2 gusht 2024, pasi ishte arrestuar në Belgjikë. Pas mbërritjes në vend, ai u vu në dispozicion të autoriteteve shqiptare për t'u përballur me akuzat që rëndonin ndaj tij.






















