
Policia e Elbasanit ka dhënë detaje të reja lidhur me shpërthimin e fuqishëm që tronditi qytetin pasditen e së mërkurës, ku humbën jetën dy persona dhe mbetën të lënduar 10 të tjerë. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se tragjedia është shkaktuar nga grumbullimi i një sasie të tepërt gazi në një apartament.
Ngjarja e rëndë ndodhi në katin e tretë të një pallati në lagjen “Qemal Stafa”, ku shpërthimi u pasua nga një zjarr i fuqishëm, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe panik mes banorëve.
Pas rreth 17 orësh kërkimesh nën rrënoja, ekipet e shpëtimit arritën të gjenin trupin e pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibra, pronarit të apartamentit ku ndodhi shpërthimi. Trupi i tij u lokalizua rreth orës 00:40, ndërsa më herët kishte humbur jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.
Nga shpërthimi mbetën të lënduar edhe 10 banorë të pallatit, të cilët morën ndihmë mjekësore dhe më pas u larguan nga spitali.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit u angazhuan forcat e Policisë së Elbasanit, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe shërbimet zjarrfikëse. Kërkimet u zhvilluan në kushte të vështira për shkak të dëmtimeve të rënda që kishte pësuar struktura e ndërtesës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, nga veprimet e para hetimore, të kryera në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s, dyshohet se shpërthimi dhe zjarri pasues janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.
Megjithatë, shkaku përfundimtar i ngjarjes mbetet ende për t'u përcaktuar nga ekspertiza.
Ndërkohë, të gjitha familjet janë evakuuar nga pallati i dëmtuar. Një pjesë e banorëve janë strehuar te të afërmit, ndërsa të tjerë në konviktet e studentëve në Elbasan.
Sipas vlerësimeve paraprake, një pjesë e ndërtesës është bërë e pabanueshme, ndërsa specialistët e Institutit të Ndërtimit pritet të vlerësojnë qëndrueshmërinë e plotë të godinës.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, vijon këqyrjen e vendngjarjes dhe mbledhjen e provave për zbardhjen e plotë të rrethanave të tragjedisë që u mori jetën dy personave.






















