
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, vijon procesin e rikuperimit pas ndërhyrjes kirurgjikale të kryer në Itali. Megjithëse mjekët arritën t'i shpëtonin syrin e dëmtuar, rikthimi i shikimit mbetet ende një sfidë.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale më 31 tetor, i riu shprehu mirënjohjen për familjarët, miqtë dhe qytetarët që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Vishkulli theksoi se, pas dhimbjeve të shkaktuara nga plagosja, tashmë po përballet me një tjetër sfidë të rëndësishme, atë të rikuperimit të shikimit.
28-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale më 28 tetor në klinikën “Gemelli” në Romë, ku ekipi mjekësor i drejtuar nga profesori Stanislao Rizzo arriti të shpëtonte organin e syrit.
Megjithatë, suksesi i ndërhyrjes nuk garanton rikthimin e plotë të shikimit, ndërsa ecuria e mëtejshme do të varet nga procesi i rikuperimit dhe trajtimet mjekësore.
Kujtojmë se Vishkulli u plagos gjatë protestës në kryeqytet, ku dyshohet se u godit nga një plumb gome. Fillimisht ai mori ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, përpara se të transferohej në Itali.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plagosjes, përfshirë verifikimin e veprimeve të efektivëve të policisë gjatë protestës.






















