Rajoni 2025-09-10 18:10:00 Nga VNA

SHBA-ja sanksionon dy ish-zyrtarë të Malit të Zi, ndihmuan në trafikimin e drogës

Ndaje në Whatsapp
SHBA-ja sanksionon dy ish-zyrtarë të Malit të Zi, ndihmuan

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se ka futur në listën e sanksioneve ish-zyrtarë nga Mali i Zi për shkak se ata dyshohet se janë përfshirë në korrupsion të lartë dhe kanë ndihmuar në operacione të trafikimit të drogës. Sipas njoftimit, zyrtarët e sanksionuar janë ish-kryetari i Budvës dhe deputeti Millo Bozhoviq, dhe ish-kryetarja e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica. Atyre iu ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Uashingtonit, Bozhoviq ka abuzuar me pozitat e tij publike për të mbështetur krimin e organizuar dhe operacionet e trafikimit ndërkombëtar të drogës. Ndërkaq, Medenica, sipas DASH-it, ka abuzuar me pozitën e saj publike për të mbështetur një organizatë kriminale të kontrabandës duke nxjerrë informacione gjyqësore, duke ndërmjetësuar vendime gjyqësore dhe duke pranuar ryshfet për të ndikuar në vendimet gjyqësore në këmbim të parave të gatshme dhe pasurisë së paluajtshme.

“Ky vendim riafirmon përkushtimin e SHBA-së për të luftuar trafikimin e drogës dhe organizatat kriminale transnacionale, si dhe korrupsionin që kërcënon interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor e përtej”, u tha në njoftim.

Vesna Medenica ka qenë një nga figurat më me ndikim të sistemit gjyqësor në Mal të Zi gjatë dy dekadave të fundit. Ajo ka shërbyer 17 vjet në funksione gjyqësore dhe është zgjedhur tri herë kryetare e Gjykatës Supreme, ndonëse Kushtetuta e Malit të Zi lejon vetëm dy mandate. Para kësaj detyre, ajo ka mbajtur edhe postin e kryeprokurores së shtetit.

Në prill të vitit 2022 ajo u arrestua pas publikimit të transkripteve të Europolit, të cilat përmbanin biseda të përgjuara nga aplikacioni “Sky” mes të birit, Millosh Medenica, dhe truprojës së saj, policit Darko Llalloviq, ku diskutoheshin marrëveshje për kontrabandë droge dhe duhani. Nga transkriptet rezultonte se Medenica ishte në dijeni të aktiviteteve kriminale dhe se ishte e gatshme t’i mbronte ata.

Prokuroria e Posaçme e Malit të Zi e akuzon Medenican se në periudhën 2019–2021, duke shfrytëzuar pozitën e saj, ka ndërhyrë në zgjidhjen e disa çështjeve gjyqësore në favor të kompanive të caktuara, duke pranuar ryshfet. Po ashtu, ajo akuzohet se ka ushtruar presion mbi gjyqtarët për të marrë vendime të paligjshme.

Sipas aktakuzës së ngritur në tetor 2022, djali i saj Millosh akuzohet, ndër të tjera, se në vitin 2019 ka krijuar një organizatë kriminale me qëllim kontrabandimin e duhanit dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm mbi drejtësinë. Në gjykimin e saj para Gjykatës Supreme në Podgoricë, Medenica ka mohuar të gjitha akuzat, duke i quajtur ato hakmarrje politike.

Ajo është konsideruar për një kohë të gjatë si figurë kyç e sistemit gjyqësor nën ndikimin e pushtetit të atëhershëm të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit. Zgjedhja e saj në krye të Gjykatës Supreme është kritikuar shpesh nga komuniteti vendor dhe ai ndërkombëtar për probleme të sundimit të ligjit dhe korrupsion.

Nga ana tjetër, Millo Bozhoviq, ish-kryetar i Komunës së Budvës, u arrestua në prill 2023 nën dyshimet për krijimin e një organizate kriminale dhe prodhim e trafikim të paligjshëm të narkotikëve. Prokuroria e Posaçme e Malit të Zi ka ngritur aktakuzë kundër tij për krijim të organizatës kriminale dhe kontrabandë të kokainës. Në shkurt të këtij viti, kryetar i ri i Budvës u zgjodh Nikolla Jovanoviq, duke i dhënë fund mandatit të Bozhoviqit, i cili për 22 muaj kishte drejtuar komunën nga burgu – duke ekzekutuar paga, duke marrë vendime për investime dhe tenderë publikë. Bozhoviq vjen nga radhët e një partie të ish-aleancës proruse, Fronti Demokratik, të drejtuar nga kryetari aktual i Parlamentit, Andrija Mandiq. /REL

 

 

 

 

Video

Rama është modest. Ai është “bujari” i vërtetë. Se i ka dhënë tokën e pronarëve Arbër Hajdarit për 1 euro

Gjatë vizitës së tij në Pekin, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u prit me entuziazëm nga qytetarët kinezë. Një moment që tërhoqi vëmendjen e mediave dhe të publikut ishte kur Macron vrapoi për t’i përshëndetur ata personalisht, duke treguar afërsinë dhe respektin ndaj njerëzve që e pritën. Ky episod simbolik thekson lidhjet gjithnjë e më të forta mes Francës dhe Kinës, si dhe përpjekjet e të dyja vendeve për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

Ceremonia e shortit të Kampionatit Botëror përfundoi me një moment të pazakontë, ku presidenti amerikan Donald Trump u pa duke vallëzuar këngën ikonike YMCA, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe të pjesëmarrësve.

Një aligator gjigant, i gjatë rreth 4.3 metra (14-foot) dhe me peshë rreth 272 kg (600 paund), shkaktoi bllokim të trafikut në Florida, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe drejtuesve të automjeteve. Një kapës i specializuar për kafshë të egra, së bashku me tetë zyrtarë policorë, ndërhynë për të larguar aligatorin nga rruga dhe për të siguruar kalimin e automjeteve në mënyrë të sigurt.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news