
Raportimi i kreut të KLGJ Ilir Rusit në Komisionin e Ligjeve duhej të ishte momenti për t’u përballur me një ngjarje tragjike që tronditi sistemin e drejtësisë – vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit. Por, për fat të keq, kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjodhi të flasë për veten.
Në vend që të raportonte me seriozitet institucional mbi masat që duhen marrë pas një krimi të tillë, Rusi solli në kujtesë humbjen e babait të tij në një aksident pune, duke e barazuar atë me vrasjen për shkak të detyrës të gjyqtari të ndjerë Kalaja. Një krahasim i pakuptimtë, që tregon sa thellë janë ngatërruar ndjenjat me përgjegjësitë në krye të institucioneve të drejtësisë.
Kreu i KLGJ-së nuk ishte në Komisionin e Ligjeve për ngushëllim, por për të dhënë llogari. Sepse sistemi që ai drejton nuk është thjesht dëshmitar i një krimi – është pjesë e realitetit që e bëri të mundur atë. Gjyqtarët dhe prokurorët janë lënë të pambrojtur, të ekspozuar ndaj frikës, ndërsa institucionet që duhet t’i mbrojnë janë mbyllur në raportime formale, të mbuluara me fjalë boshe për “reflektim” dhe “bashkim”.
Në fund, Rusi tha se “gjyqësori është maja e ajsbergut”. Po, është maja – por ajsbergu poshtë është sistemi që ai vetë drejton, ku përgjegjësia individuale shpërndahet si faji kolektiv dhe çdo dramë kthehet në një rast për fjalime.
Në vend të ngushëllimeve publike, do të duhej përgjegjësi publike. Dhe në vend të emocioneve personale, duhej një plan real për sigurinë e atyre që nesër do të ulen në bankën e drejtësisë me frikën se mund të ndajnë të njëjtin fat me gjyqtarin e vrarë për shkak të detyrës.