
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka refuzuar kërkesën e avokatëve britanikë për të takuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit.
Një javë më parë, avokatët kishin kërkuar që takimi të zhvillohej më 10 shtator, me qëllim që Veliaj të firmoste aplikimin për dërgimin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg të çështjes që lidhet me arrestimin e tij.
Pas refuzimit të kërkesës për takim, aplikimi në Strasburg pritet të vijojë pa zhvilluar takimin e programuar me kryebashkiakun.
Veliaj synon t’i drejtohet Strasburgut për çështjen e arrestimit të tij, pas betejave të zhvilluara në Gjykatën Kushtetuese.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në qeli që prej shkurtit të vitit 2025. Ndaj tij, SPAK ka ngritur akuza për korrupsion pasiv në nëntë episode, pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të paligjshme në qeli.






















