
Gjyqtarë kanë depozituar një kallëzim penal lidhur me mosekzekutimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026. Mes personave të kallëzuar është edhe ministri i Financave, Petrit Malaj.
Përmes kallëzimit kërkohet që organi i prokurorisë të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin apo personat që kanë marrë, transmetuar ose zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosekzekutimin e pagave.
Sipas kallëzimit, situata nuk prek vetëm një magjistrat, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në të gjithë vendin.
Gjyqtarët kërkojnë që prokuroria të përcaktojë përgjegjësinë individuale për veprimet apo mosveprimet konkrete që kanë çuar në mosdhënien e pagave.
Në dokument sqarohet gjithashtu se kallëzimi penal nuk synon të zëvendësojë mjetet administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lidhen me mënyrën e përllogaritjes së pagave.
Po ashtu, gjyqtarët theksojnë se nisma nuk synon ushtrimin e presionit ndaj institucioneve shtetërore për arritjen e një rezultati të caktuar financiar, por hetimin në rrugë penale të ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve që kanë sjellë mosekzekutimin e pagave.
“Përmes këtij kallëzimi, na lejoni t’iu parashtrojmë rrethanat e faktit dhe argumentimin e kompetencës suaj si dhe përgjegjësisë penale të të kallëzuarve për veprat penale të parashtruara në objektin e këtij kallëzimi.
Ky kallëzim paraqitet për shkak të situatës së krijuar nga mosekzekutimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026, situatë e cila nuk prek një magjistrat të vetëm, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në Republikën e Shqipërisë.
Kallëzimi paraqitet me qëllim që organi i prokurorisë të identifikojë personin/personat që kanë marrë, transmetuar ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjellë mosekzekutimin e pagave.
Ky kallëzim nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave dhe as ushtrimin e presionit ndaj ndonjë institucioni shtetëror për një rezultat të caktuar financiar. Qëllimi i tij është vetëm hetimi penal i ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve konkrete që kanë sjellë mosekzekutimin e pagave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale sipas ligjit”, thuhet në kallëzim.






















