Bota 2026-08-08 10:34:41 Nga VNA

Gjykata e Nju Meksikos urdhëron Meta-n të paguajë 567 milionë dollarë për dëmet ndaj shëndetit mendor të fëmijëve

Ndaje në Whatsapp
Gjykata e Nju Meksikos urdhëron Meta-n të paguajë 567

Vendimi është pjesë e fazës së dytë të një gjyqi historik, i cili konstatoi se kompania e rrjeteve sociale kishte mundësuar shkaktimin e dëmeve ndaj përdoruesve të saj.

Një gjykatë në Nju Meksiko ka urdhëruar Meta-n, kompaninë mëmë të Facebook-ut, të paguajë 567 milionë dollarë në një fond që synon të kompensojë dëmet në shëndetin mendor të shkaktuara prej platformave të gjigantit të rrjeteve sociale.

Vendimi i së enjtes është pjesë e fazës së dytë të një gjyqi historik, të cilin Meta e humbi në muajin mars. Në atë kohë, juria konstatoi se kompania me vetëdije kishte dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve dhe kishte fshehur informacionin që kishte për shfrytëzimin seksual të fëmijëve në platformat e saj, si dhe vendosi gjobën në vlerën maksimale prej 375 milionë dollarësh. Vendimi i së enjtes i shtohet kësaj gjobe, duke e çuar shumën totale që Meta duhet të paguajë në 942 milionë dollarë.

Gjykatësi Bryan Biedscheid tha se pjesa më e madhe e shumës – 420 milionë dollarë – do të përdoret për shërbime trajtimi për të rinjtë në Nju Meksiko. Pjesa tjetër do të shkojë për programe ndërgjegjësimi dhe parandalimi, shërbime depistimi dhe shpenzime të tjera gjatë pesë viteve të ardhshme.

Gjyqi i marsit ishte i pari që e shpalli Meta-n përgjegjëse për veprimet e kryera në platformat e saj dhe erdhi pas një hetimi të vitit 2023 nga “The Guardian”, e cila zbuloi se Facebook dhe Instagram ishin shndërruar në tregje për trafikimin seksual të fëmijëve.

Disa ish-moderatorë të Meta-s i thanë “The Guardian” se kishin raportuar raste me përmbajtje të dëmshme që lidhej me joshjen e fëmijëve për qëllime seksuale, por këto raste nuk ishin trajtuar në nivele më të larta të kompanisë.

Në fazën e dytë të gjyqit, e cila nisi në maj, prokurorët kërkuan që gjykata të urdhëronte ndryshime thelbësore në Meta për të kufizuar elementët veprues që krijojnë varësi, për të përmirësuar verifikimin e moshës dhe për të parandaluar shfrytëzimin seksual të fëmijëve përmes cilësimeve të privatësisë dhe mbikëqyrjes më të rreptë.

Gjykatësi urdhëroi gjithashtu ndryshime të tjera, përfshirë krijimin nga Facebook dhe Instagram të banderolave dhe faqeve informuese që shpjegojnë qartë funksionet mbrojtëse, praktikat më të mira dhe mjetet për trajtimin e komenteve të papërshtatshme. Këto ndryshime, së bashku me një fushatë edukimi në Nju Meksiko, do t’i nënshtrohen mbikëqyrjes nga autoritetet shtetërore.

Gjykata tha se ligjet federale amerikane për privatësinë e fëmijëve nuk i lejojnë Meta-s të zbatojë mjete verifikimi të moshës për fëmijët nën 13 vjeç. Gjithashtu, gjykata vlerësoi se detyrimi për verifikimin e moshës vetëm për Meta-n dhe jo për kompanitë e tjera të rrjeteve sociale do të ishte “i padrejtë dhe do ta dëmtonte në mënyrë të panevojshme” kompaninë.

Prandaj, gjykata urdhëroi Meta-n të vazhdojë të përmirësojë mjetet për vlerësimin e moshës në Nju Meksiko. Këto mjete përfshijnë përdorimin e inteligjencës artificiale për përcaktimin e moshës së përdoruesve duke u bazuar në sinjale, të tilla si rrjeti i miqve dhe lloji i përmbajtjes që ata publikojnë ose konsumojnë. Meta duhet gjithashtu të përpiqet të zhvillojë, brenda dy viteve të ardhshme, një model të veçantë për identifikimin e përdoruesve nën 13 vjeç.

Përveç kësaj, Meta duhet të kërkojë prova të moshës nga përdoruesit e Facebook-ut dhe Instagram-it në Nju Meksiko, për të cilët vlerëson se janë nën 13 vjeç. Nëse kompania përcakton se një përdorues është nën 13 vjeç, ose nën 18 vjeç, pa mundur të përcaktojë moshën e saktë, ai duhet të trajtohet si i mitur derisa të verifikojë moshën.

Kompania duhet gjithashtu të bashkëpunojë me shkollat ose organizatat për sigurinë e fëmijëve për të krijuar një portal raportimi, ku personeli i shkollave mund të sinjalizojë përdorues që mund të jenë nën 13 vjeç. Po ashtu, Meta duhet të fshijë të dhënat personale që ka mbledhur për përdoruesit nën 13 vjeç.

Gjithashtu, gjykata urdhëroi Meta-n të raportojë dy herë në vit mbi përparimin e saj në zbatimin e këtyre masave.

Prokurori i Përgjithshëm i Nju Meksikos, Raúl Torrez, e përshëndeti vendimin.

“Ky rast ka qenë gjithmonë për mbrojtjen e fëmijëve, mbështetjen e familjeve dhe sigurimin që një nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë të mos përfitojë nga praktika që rrezikojnë të rinjtë pa u përballur me pasoja.”

Ai shtoi:

“Vendimi i sotëm është një fitore për çdo prind që është shqetësuar për ndikimin e rrjeteve sociale tek fëmija i tij dhe për çdo fëmijë që meriton të rritet më i sigurt në internet.”

Të enjten, një zëdhënës i Meta-s tha për “The Guardian” se kompania “nuk pajtohet me vendimin” dhe planifikon ta ankimojë atë.

“Ne punojmë vazhdimisht për t’i mbajtur njerëzit të sigurt në platformat tona dhe kemi qenë transparentë për sfidat e identifikimit dhe largimit të aktorëve të dëmshëm dhe përmbajtjes së rrezikshme. Ne mbetemi të bindur në punën tonë për mbrojtjen e adoleshentëve në internet dhe do të vazhdojmë të mbrohemi ndaj pretendimeve që shtrembërojnë faktet.”

Shuma totale prej 942 milionë dollarësh përbën vetëm një pjesë të vogël të fitimit vjetor të Meta-s, i cili ishte rreth 60 miliardë dollarë në vitin 2025. Megjithatë, ky vendim përfaqëson një tjetër goditje për kompaninë, e cila po përballet me një valë padish nga familje të fëmijëve që pretendojnë se janë dëmtuar nga rrjetet sociale.

Meta është përfshirë në një sërë procesesh gjyqësore edhe në shtete të tjera amerikane për dëmet e pretenduara ndaj të rinjve. Në një gjyq në Tenesi, i cili nisi muajin e kaluar, shteti e akuzon kompaninë se ka shpërfillur paralajmërimet e brendshme lidhur me përdorimin kompulsiv të Instagram-it nga adoleshentët, i cili është lidhur me çrregullime të të ngrënit, depresion dhe pasoja të tjera negative. Meta po përgatitet gjithashtu për një tjetër gjyq më vonë këtë muaj në gjykatën federale në Oakland, Kaliforni.

Laura Edelson, profesoreshë e asociuar në Northeastern University, e cila studion rrjetet sociale dhe sigurinë kibernetike, tha se vendimi i Nju Meksikos mund të jetë vetëm fillimi.

“Amerika nuk do të miratojë një ligj që ndalon rrjetet sociale. Por nëse kompani si Meta e dinë se dizajni i produkteve të tyre po u shkakton dëm përdoruesve, shtetet më në fund po gjejnë një mënyrë për ta vënë këtë nën kontroll.”

Video

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news