Editorial 2026-05-01 20:53:00 Nga VNA

Nga Uran Butka te Meremja: Si ra standardi edhe për kandidatët fiktivë në PD

Ndaje në Whatsapp
Nga Uran Butka te Meremja: Si ra standardi edhe për kandidatët

Nga Desada Metaj

Mereme Sela hyri dje në selinë e Partisë Demokratike në momentin e duhur: kamerat ishin ndezur, gazetarët në pritje, dera hapur për një skenë që dukej sikur ishte menduar paraprakisht. Të gjithë e kishin të qartë se nuk bëhej fjalë për një kandidat të një gare reale, rezultati i së cilës dihej pa u shpallur gara. Mereme Sela hyri në PD e keqpërdorur nga nevoja për të mbushur boshllëkun e një procesi që kishte mbetur pa kundërshtarë.

Ata që e sollën aty nuk kërkonin një figurë që të sfidonte Sali Berishën, por një figurë që të justifikonte ekzistencën e garës. Një emër sa për të thënë se procedura po ndiqej. Por edhe kjo rezultoi më e vështirë seç dukej. Sepse edhe kandidimi fiktiv kërkon një minimum fantazie politike, një vijë të hollë mes formalitetit dhe absurdit.

Përzgjedhësit e Meremes nuk kishin parashikuar diçka: që brenda pak orësh, Meremja nuk ishte më kandidate, por personazh i rrjeteve sociale. Jo si pjesë e një gare, por objekt talljeje me një nga garat politike më qesharake të politikës shqiptare, që në fakt ka pasur jo pak të tilla.

Ndërsa servilët e Berishës u entuziazmuan nga popullariteti i Meremes, Sali Berisha, si ujk i vjetër politik, e kuptoi rrezikun e bërjes edhe më shumë qesharake të një gare që boll patetizëm kishte dhe pa nisur. Reagimi erdhi shpejt. Sipas rrëfimeve, nga Kroacia u dha urdhër për ta hequr nga skena. Jo sepse rrezikonte rezultatin, por sepse rrezikonte seriozitetin e farsës. Sepse edhe një proces i zbrazët dhe qesharak ka nevojë të ruajë një minimum forme.

Dhe kështu ndodhi absurdi i plotë: një kandidate e sajuar për një garë të sajuar u përjashtua sepse nuk ishte e denjë as për rolin e saj të sajuar.

Megjithatë, në gjithë këtë teatër, Meremja të paktën nuk u servilos si ata që vishen më bukur, krihen tek parukierja dhe kanë bërë ca lek nga PD. Ajo, ndryshe nga shumë të tjerë, nuk po luan për të qëndruar brenda rrethit. Përkundrazi, ka paralajmëruar se do ta çojë në gjyq Partinë Demokratike për faktin që nuk e pranoi si kandidate, duke e kthyer përjashtimin e saj nga një episod qesharak në një telendisja të madhe për Sali Berishën dhe oborrin e tij.

Në fund të fundit, Sali Berisha vendosi të kandidojë i vetëm, ndoshta një nga rastet e rralla kur e vërteta shfaqet pa filtra në PD. Gjynah kur mendon se do të shpenzohen para dhe burime njerëzore për këtë garë. Por të paktën do të ketë një të vërtetë të hidhur për ata që janë jashtë asaj partie: PD është e Sali Berishës. Dhe për fat të keq, ajo parti është rrënuar deri në pikën sa nuk mund të gjejë dot më as kandidatë fiktivë. Ose të paktën asnjë kandidat që të bindë edhe militantët më të verbër se e luan mirë rolin. Dhe kur mendon se dikur kandidat fiktiv përballë Sali Berishës ka qenë Uran Butka, kupton që tjetërsimi i PD-së është shtrirë nga kryetari dhe kupola… deri tek kandidatët fiktivë.

Video

Spanja po përballet me një valë zjarresh të mëdha, disa prej të cilave kanë dalë jashtë kontrollit pranë Madridit, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e emergjencës dhe të urdhërojnë evakuimin e mbi 60 mijë personave. Flakët kanë përfshirë edhe zonën ku ndodhet Kompleksi i Komunikimeve në Hapësirën e Thellë i NASA-s në Robledo de Chavela, një nga tre observatorët kryesorë që përdoren për komunikimin me misionet hapësinore, përfshirë Voyager 1, James Webb dhe programin Artemis. Personeli është evakuuar në kohë, ndërsa ende nuk dihet nëse pajisjet kanë pësuar dëmtime.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një objekt industrial në Essex të Mbretërisë së Bashkuar, pasi një sasi plehu kimik shpërtheu brenda një prej godinave. Flakët u shoqëruan me shtëllunga të dendura tymi që mbuluan qiellin mbi zonë. Rreth 100 zjarrfikës u angazhuan në operacionin për shuarjen e zjarrit, duke arritur ta vënë situatën nën kontroll dhe të parandalojnë përhapjen e flakëve drejt banesave përreth.

Të paktën 30 persona, mes të cilëve edhe fëmijë, mbetën të plagosur nga një aksident me autobus në Stamboll. Mjeti doli nga rruga për shkak të lagështisë, u përplas me një makinë dhe më pas goditi një shtyllë sinjalistike. Ekipet e emergjencës iu erdhën menjëherë në ndihmë të dëmtuarve duke i transportuar në spital. Ndërkohë, autoritetet turke kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa deri tani nuk raportohet për viktima.

Autoritetet ruse kanë bërë të ditur se kanë rrëzuar një dron kamikaz ukrainas të tipit FP-2, i cili, sipas tyre, kishte në shënjestër Wildberries, platformën më të madhe të tregtisë elektronike në Rusi. Sipas njoftimit, droni u neutralizua përpara se të godiste objektivin.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news