
Një situatë emergjente është krijuar paraditen e së shtunës në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, pas çarjes së kanalit kryesor vaditës “Naum Panxhi”.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 11:00, ndërsa vërshimi i menjëhershëm i ujit dhe inerteve ka sjellë bllokimin e rrugës dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve.
Në terren kanë ndërhyrë ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike Rurale (ASHPR), në bashkëpunim me Policinë Rrugore. Për shkak të situatës, qarkullimi i automjeteve është devijuar përkohësisht në rrugë alternative.
Sipas informacioneve nga terreni, strukturat e ASHPR-së janë në komunikim të vazhdueshëm me Bordin e Kullimit, në inventarin e të cilit ndodhet kanali kryesor “Naum Panxhi”, për koordinimin e ndërhyrjes dhe menaxhimin e situatës.
Agjencia ka angazhuar mjetet dhe punonjësit e saj për pastrimin e ujit dhe inerteve nga trupi i rrugës. Paralelisht, për të shmangur përmbytjet e mundshme në zonat përreth, janë hapur kanalet dytësore vaditëse.
Pritet ndërhyrja e Bordit të Kullimit për stabilizimin e situatës, ndërsa puna në terren vijon për pastrimin e aksit dhe rikthimin e qarkullimit normal.






















