Bota 2025-11-07 21:18:00 Nga VNA

Kuvendi i Serbisë miraton ndërtimin e hotelit të Kushnerit në ish-godinën e Shtabit të Përgjithshëm

Ndaje në Whatsapp
Kuvendi i Serbisë miraton ndërtimin e hotelit të Kushnerit

Kuvendi i Serbisë e ka miratuar të premten një ligj të posaçëm për shembjen e godinës së bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në qendër të Beogradit, për t’i hapur rrugën ndërtimit të një hoteli luksoz nga Jared Kushner - dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump.

Rindërtimi është veçanërisht i ndjeshëm në Serbi, pasi kompleksi modernist i mesit të shekullit XX u shkatërrua pjesërisht gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, që i dha fund luftës në Kosovë.

Njëqind e tridhjetë deputetë votuan për këtë ligj, ndërsa 40 ishin kundër.

Gjithashtu, Kuvendi serb e miratoi edhe një propozim për të përcaktuar ekzistencën e arsyeve veçanërisht të arsyeshme që ligji të hyjë në fuqi më herët se dita e tetë nga data e publikimit.

Ligji, i quajtur lex specialis, është një ligj i veçantë që ka përparësi ndaj ligjit të përgjithshëm në rastet kur të dy rregullojnë të njëjtën çështje.

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi vitin e kaluar se planifikon të ndërtojë një objekt hotelier në Beograd, me vlerë 500 milionë dollarë.

Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trumpit dhe këshilltar në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trumpit, vitin e kaluar bëri publik planin për një kompleks hotelier prej 500 milionë dollarësh në qendër të Beogradit.

Projekti përqendrohet në ish-godinën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, në zemër të kryeqytetit, e cila u bombardua nga NATO-ja në pranverën e vitit 1999, gjatë fushatës për të ndaluar sulmet serbe në Kosovë.

Me gjithë dëmtimet, ndërtesa mbeti nën mbrojtje, për shkak të vlerës arkitekturore, sipas aktivistëve lokalë.

Ky ligj anashkalon këtë mbrojtje, duke e shpallur projektin “prioritet kombëtar”.

Ai parashikon që “të gjitha procedurat për zbatimin e projektit të rindërtimit të Shtabit të Përgjithshëm të trajtohen si urgjente” dhe që “të gjitha institucionet shtetërore të marrin vendime brenda kompetencave të tyre pa vonesa”.

Opozita paralajmëron parandalimin e shembjes së godinës

Në debatin para miratimit të ligjit, deputetët e opozitës kërkuan që ai të tërhiqej, duke e cilësuar atë të paligjshëm, ndërsa shumica qeverisëse argumentoi se ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm nuk mund të rinovohej dhe duhet të shembej.

“U bë një përpjekje për rindërtim, por nuk është i mundur për shkak të dëmtimeve dhe materialeve që nuk prodhohen më”, tha Millenko Jovanov, kreu i grupit parlamentar “Aleksandar Vuçiç - Serbia nuk duhet të qëndrojë”.

Bilana Gjorgjeviç, një deputete nga Fronti i Majtë i Gjelbër në opozitë, paralajmëroi se dispozitat e këtij ligji përcaktojnë se ai do të hyjë në fuqi një ditë pas miratimit të tij.

"Mund ta paramendoj që do të fillojnë prishjen qysh javën tjetër. Sigurisht, qytetarët do të vijnë dhe do të përpiqen ta parandalojnë, nuk mund ta paramendoj ndryshe", tha Gjorgjeviç.

Ajo kujtoi se kjo është një godinë pranë ndërtesës së Qeverisë në një pjesë të rëndësishme arkitekturore të Beogradit.

"Qytetarët nuk mund të kenë asnjë interes në këtë. Vetëm regjimi në pushtet mundet, në këtë moment, të ngrohë marrëdhëniet me familjen Trump", tha Gjordjeviç.

Deputeti i partisë Qendra e Serbisë (SRCE), Petar Boshkoviq, vlerësoi se ndërtesa duhet të ruhet, ndër të tjera, sepse "nyja më e lartë e të gjitha komunikimeve ndodhet poshtë saj".

"Deputetët në pushtet duhet të mbahen përgjegjës për tradhti të lartë pas kësaj. Unë sugjeroj që hoteli i ardhshëm të zhvendoset në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Mbrojtjes", tha Boshkoviç.

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, planifikon ndërtimin e një hoteli luksoz në vendin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, në Beograd.

Ivana Rokviç, deputete nga Lëvizja Popullore e Serbisë (NPS), tha se po shkatërrohet një simbol i historisë dhe shtetësisë.

"Vetëm për hir të qëndrimit në pushtet dhe pasurimit, për pak mëshirë nga Trump", tha Rokviq.

Qëllimi për të ndërtuar në vendin e kësaj ndërtese u shpreh në vitin 2024 nga Kushner.

Në atë kohë, ai publikoi projekte paraprake mbi bregun shqiptar dhe në qendër të Beogradit, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Shpejt u njoftua se ishte një hotel luksoz, ndërtesa biznesi dhe banimi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se ishte i kënaqur me projektin e Kushnerit.

Në nëntor të vitit 2024, Qeveria serbe hoqi statusin e mbrojtur të ndërtesave, duke hapur rrugën që kompania e Kushnerit të vazhdonte me projektin.

Në maj, Prokuroria njoftoi se zyrtari përgjegjës për mbrojtjen e këtij objekti kulturor, kishte falsifikuar një nënshkrim në një dokument kyç dhe ishte arrestuar.

Goran Vasiç, drejtor në detyrë i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, pranoi se kishte sajuar një opinion ekspertësh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, e mohoi çdo përfshirje në falsifikimin e dokumenteve dhe premtoi se do të ndërtojë një kompleks përkujtimor brenda objektit, kushtuar viktimave të bombardimeve të NATO-s./REL 

 

 

Video

Studentët shqiptarë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore marshojnë në Shkup, duke kërkuar të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Me pankarta që mesazhojnë “Respekto ligjin për gjuhën” dhe “Stop diskriminimit institucional”, ata bëjnë thirrje për mbështetje nga qytetarët dhe institucionet. Kjo protestë vjen pas firmosjes së një peticioni nga 385 studentë shqiptarë, të cilët kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe në provime.

Nuk mjafton që janë vjedhur miliona euro nga koncensionet në shëndetësi, nuk mjafton që mungesat në medikamente janë katastrofike…por duhet dhe ti poshtërojnë shqiptarët me video propagande. Ç’punë ka Ministria e Shëndetësisë të shfaqë një të moshuar që po kurohet në Spitalin e Fierit sikur po i bën nder? Ky është misioni dhe detyra e spitaleve shtetërore.

Ish-kryeministri Sali Berisha në SPAK për të firmosur para një oficeri të BKH-së për masën detyrim paraqitje. Kreu i PD-së po gjykohet për korrupsion lidhur me çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.

Astronautët e misionit Artemis II kanë parë për herë të parë anën e largët të Hënës ndërsa anija kozmike Orion iu afrua maksimalisht satelitit natyror të Tokës, në një moment historik për eksplorimin hapësinor. NASA publikoi imazhe nga dita e katërt e misionit, më 5 prill, ku ekuipazhi arriti të shohë një pamje të rrallë të Toka dhe Hënës njëkohësisht, pak para afrimit më të afërt që ndodhi një ditë më pas. Pamjet e realizuara nga brenda Orionit tregojnë Tokën në një kënd spektakolar, ndërsa një simulim i publikuar nga NASA përmbledh në një video të shkurtër atë që astronautët shohin gjatë fluturimit pranë Hënës. https://www.vna.al/bota/astronautet-e-artemis-ii-shohin-per-here-te-pare-anen-e-larget-te-henes-nas-i22132

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news