Udhëtimi në kohë ka qenë prej dekadash një nga ëndrrat më të mëdha të njerëzimit, duke frymëzuar filma, romane fantastiko-shkencore dhe teori të shumta shkencore. Por një studim i ri në fizikën teorike sugjeron se, edhe nëse njerëzimi arrin të ndërtojë një makinë të kohës, udhëtimi drejt së kaluarës mund të mbetet i pamundur.
Hongsheng Zhang, studiues në Universitetin e Jinanit në Kinë, ka paraqitur një argument matematikor sipas të cilit kthimi në të kaluarën është i pamundur në një kategori të gjerë modelesh teorike të universit. Studimi, i cili ende nuk i është nënshtruar vlerësimit përfundimtar nga ekspertë të tjerë, mbështetet në teorinë e relativitetit të Albert Ajnshtajnit dhe në mënyrën se si drita lëviz në hapësirë dhe kohë.
Sipas fizikanit, ekziston një kufizim themelor që përcakton drejtimin e lëvizjes së objekteve në hapësirë-kohë. Për ta shpjeguar, ai e krahason universin me një shkallë ku çdo hap të çon vetëm përpara. Nëse një objekt mund të lëvizë vetëm në një drejtim, atëherë ai nuk mund të kthehet kurrë në pikën kohore nga e cila është nisur.
Argumenti është veçanërisht interesant sepse nuk kërkon ekzistencën e materies ekzotike, fenomeneve kuantike apo kushteve të pazakonta fizike. Ai mbështetet te marrëdhëniet gjeometrike që përcaktojnë drejtimin e kohës.
Megjithatë, studimi nuk e përjashton plotësisht mundësinë e kthimit në të kaluarën. Përkundrazi, ai identifikon dy mekanizma teorikë që mund të lejojnë shmangien e këtij kufizimi.
Mundësia e parë lidhet me rrotullimin ekstrem të hapësirë-kohës, një fenomen që mund të shfaqet pranë qendrës së vrimave të zeza rrotulluese. Sipas relativitetit të përgjithshëm, masa e një objekti që rrotullohet mund të tërheqë dhe të shtrembërojë hapësirën dhe kohën përreth tij.
Në kushte ekstreme, ky shtrembërim mund të krijojë trajektore të mbyllura kohore, në të cilat një udhëtar do të vazhdonte ta përjetonte kohën normalisht, por teorikisht mund të përfundonte në të njëjtin moment nga i cili ishte nisur. Ekzistenca matematikore e trajektoreve të tilla në modelet e vrimave të zeza rrotulluese është studiuar që në vitin 1968 nga fizikani Brandon Carter.
Mundësia e dytë lidhet me vetë strukturën e universit. Nëse hapësirë-koha ka një konfigurim të veçantë, një udhëtar mund të ndjekë vazhdimisht një drejtim dhe, pas një rruge të gjatë, të përfundojë përsëri në pikën e nisjes. Ky mekanizëm është përdorur në disa modele teorike të makinave të kohës, përfshirë ato që mbështeten te të ashtuquajturat tunele hapësirë-kohore.
Por Zhang thekson se ekzistenca matematikore e këtyre mundësive nuk do të thotë se ato mund të realizohen në universin tonë.
“Ajo që studimi nuk bën është të na tregojë nëse natyra lejon ndonjërën prej këtyre mundësive. Kjo mbetet një pyetje e hapur dhe është pikërisht ajo për të cilën do të doja më shumë të gjeja një përgjigje”, është shprehur fizikani për ScienceAlert.
Ndryshe nga kthimi në të kaluarën, udhëtimi drejt së ardhmes është një fenomen që mbështetet në parime fizike të provuara eksperimentalisht.
Ajnshtajni tregoi se koha kalon më ngadalë për objektet që lëvizin me shpejtësi shumë të mëdha ose ndodhen në fusha të forta gravitacionale, krahasuar me vëzhgues të tjerë. Ky fenomen, i njohur si zgjerimi i kohës, është konfirmuar përmes eksperimenteve dhe matjeve me orë atomike.
Astronautët në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, për shembull, kthehen në Tokë disa të mijtat e sekondës më të rinj sesa do të ishin nëse do të kishin qëndruar në sipërfaqen e planetit, për shkak të efekteve relativiste.
Kjo do të thotë se udhëtimi drejt së ardhmes, në kuptimin fizik të kalimit të kohës me ritme të ndryshme, është tashmë një realitet shkencor. Ndërsa kthimi në të kaluarën mbetet një nga misteret më të mëdha të fizikës moderne.






















