Sociale 10 March 2025, 22:19 Nga VNA

Dëmtimi i ekosistemit natyror të Liqenit të Shkodrës

Ndaje në Whatsapp
Dëmtimi i ekosistemit natyror të Liqenit të Shkodrës

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ( IKMT ) ka nisur një operacion të gjërë në pjesën shqiptare të Liqenit të Shkodrës dhe në Lumin Buna për heqjen e strukturave të jashtëligjshme, që prej vitesh dëmtojnë ekosistemin e tyre natyror.

Liqeni i përbashkët i Shkodrës, i cili ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, vlerësohet si më i madhi në Ballkan, me rëndësi të veçantë për ekosistemin natyror, vlerat turistike dhe shumëllojshmërinë e shpendëve dhe peshqve.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, gjatë 30 viteve të fundit, një numër organizatash të huaja, kanë financuar projekte për mbrojtjen e ekosistemit të Liqenit të përbashkët të Shkodrës, por efektiviteti i tyre ka qenë i vogël.

Ndërhyrja e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në Liqenin e Shkodrës vjen pas shqetësimeve të vazhdueshme të ekspertëve për dëmtimet që ka pësuar ndër vite ekosistemi i Liqenit të Shkodrës në pjesën shqiptare, kjo për shkak të ndërhyrjeve të jashtëligjshme.

Përgjatë viteve, peshkatarët kanë ndërtuar, në të dy anët e brigjeve të liqenit, një gardh që pengon komunikimin e liqenit me Lumin Buna dhe, më tej, me detin Adriatik.

“ Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka filluar ndërhyrjen në të gjithë sipërfaqen e Liqenit të Shkodrës për të lëvizur të gjitha strukturat e peshkimit, që janë të vendosura në Liqenin e Shkodrës si dhe të Dajlanit, i cili është i vendosur në të gjithë gjërësinë e shtratit të Lumit Buna. Që nga viti i kaluar, nuk janë të pajisur nga autoritetet përkatëse dhe, në këto kushte, po bëhet ndërhyrja pasi ato janë të paligjshme”.

Edhe tre vite më parë, Bashkia e Shkodrës është përpjekur të heq nga liqeni këto struktura të jashtëligjshme, por pa arritur, për shkak të mungesës së mjeteve të përshtatshme.

Sipas ekspertëve, ndërtimi i këtyre strukturave nga peshkatarët e zonës, si dhe shumë ndërtimeve të tjera përgjatë brigjeve të liqenit, kanë dëmtuar rëndë ekosistemin natyror të liqenit si në pjesën shqiptare, ashtu edhe atë të Malit të Zi.

“ Vitet e fundit, siç duket peshkatarët nuk i kanë hequr strukturat e peshkimit të vendosura në liqen. I kanë lënë vazhdimisht duke bërë një pritë shumë të madhe, duke ndaluar lëvizjen e peshqve nga deti për në brendësi të liqenit dhe e kundërta. Njëkohësisht kanë zënë edhe peshqit me madhësi të vogël, gjë që nuk lejohet”.

Liqeni i Shkodrës, me një gjatësi prej 45 kilometrash, përbën një pasuri të rëndësishme për të gjithë rajonin si nga ana ekonomike, ekoturistike dhe ekologjike. Për këtë, në vitin 2005 është shpallur si Zonë e Mbrojtur Ramsar me rëndësi ndërkombëtare.

Liqeni ka 45 lloje peshqish dhe 40 lloje shpendësh ujorë, disa prej të cilëve të rrallë. Për shkak të rëndësisë së tij, përgjatë viteve, një numër organizatash të huaja, përfshirë Bankën Botërore dhe Agjencinë Gjermane për Zhvillim Ndërkombëtar (GIZ) kanë financuar me dhjetëra programe dhe projekte për mbrojtjen e vlerave natyrore të Liqenit të përbashkët të Shkodrës, por efektiviteti i tyre ka qenë i pakët, kjo për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe keqmenaxhimit.

“ Vitet e fundit ka ndryshuar situata e peshkimit në Liqenin e Shkodrës, kjo për shkak të dyndjeve të mëdha në brigjet e liqenit gjatë viteve të demokracisë, ku një pjesë e njerëzve kaluan në sektorin e peshkimit. Kuptohet, pa njohuri fillestare, duke gjuajtur në forma të ndaluara, me mënyra të dëmshme dhe në periudha dhe vende të ndaluara për gjuetinë e peshkut. Kjo bëri që resurset peshkore të zvogëlohen mjaft duke e kthyer Liqenin e Shkodrës në amortizator të problemeve sociale”.

Ekspertët thonë se, megjithëse ekosistemi i Liqenit të Shkodrës është i njëjtë, ai nuk ka të njëjtin vlerësim në të dy anët e tij, në pjesën shqiptare dhe atë të Malit të Zi. Ndërsa në fillim të vitit 2022 qeveria shqiptare e shpalli pjesën shqiptare të liqenit “Rezervat Natyror i Menaxhuar”, pjesa malazeze prej shumë vitesh mban statusin e “Parkut Kombëtar”./VOA/

 

Video

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme