Sociale 28 Korrik 2025, 08:47 Nga VNA

Çmimet e bulmetit në Shqipëri në raport me Evropën

Ndaje në Whatsapp
Çmimet e bulmetit në Shqipëri në raport me Evropën

Pikërisht pas 2019-s, me uljen e TVSH-së së kreditueshme (nga 20% u bë 6%) prej vitit 2020, konsumatori shqiptar e ka blerë qumështin dhe produktet e bulmetit më shtrenjtë sesa shtetasit europianë dhe ballkanas.

Në vitin 2005, çmimet e produkteve të bulmetit në Shqipëri ishin sa 88.6% e mesatares së Bashkimit Europian (mesatarja e vendeve të BE=100) sipas të dhënave të Eurostat.

Kjo tregon se në atë periudhë, produktet e bulmetit në Shqipëri ishin më të lira se në shumicën e vendeve të BE-së. Një produkt që kushtonte 100 lekë në Europë, në Shqipëri blihej me 88.6 lekë. Eurostat e llogarit indeksin, sipas barazisë së fuqisë blerëse.

Në vitin 2000, pas ndryshimeve në skemën e TVSH-së, çmimet në Shqipëri filluan të tejkalojnë mesataren europiane, duke arritur në 104.9%, ose 4.9% më shtrenjtë se mesatarja e Europës.

Bulmeti u shtrenjtua vazhdimisht duke arritur në 131.5% të mesatares së BE-së në vitin 2024. Kjo do të thotë se për 2024, çmimet për qumësht, djathë dhe vezë në Shqipëri janë 31,5% më të larta se mesatarja europiane.

Sipas renditjes së Eurostat, Shqipëria është e katërta në Europë për çmimet më të shtrenjta të treguesit “qumësht, djathë dhe vezë”, pas Irlandës (171.7%), Zvicrës (147.2%), Norvegjisë (132%)

Në vitin 2024, Shqipëria renditet në krye të vendeve me çmimet më të larta të bulmetit në rajon, duke tejkaluar shtete si Greqinë (130.5%) Bullgarinë (125.7%), Malin e Zi (96.7%), Kosovën me 98.6 (Për Kosovën të dhënat janë për vitin 2022).

Për më tepër, çmimet në Shqipëri janë më të larta edhe se në disa vende me ekonomi më të zhvilluar si Italia (105%) dhe Austria (102.8%).

Në Europë, çmimet më të lira të bulmetit janë në Sllovaki (86% e mesatares së BE-së), Poloni (89.8%) dhe Maqedonia e Veriut (91.2%)

Pse në Maqedoninë e Veriut, bulmeti është ndër më të lirët në Europë

Ndryshe nga Shqipëria, në Maqedoninë e Veriut, skema e subvencionimit të prodhuesve të qumështit mbështet financiarisht fermerët në dy drejtime, si për krerët e lopëve edhe për qumështin e prodhuar.

Për vitin 2025, skema përfshin pagesa për çdo litër qumështi të dorëzuar, për çdo lopë të mbajtur në fermë, si dhe një subvencion për viçat femra. Konkretisht, fermerët për çdo litër qumësht të prodhuar marrin 9.7 cent euro.

Nëse fermeri prodhon, për shembull, 6,000 litra në vit, kjo përkthehet në dhënie subvencionesh në masën 583 euro.

Për krerë lopësh, skema parashikon dhe dhënien e 130 eurove për krerë. Në zonat malore apo me kushte më të vështira prodhimi, këtyre pagesave u shtohet një bonus prej 15%.

Gjithashtu, për të nxitur rigjenerimin e tufës dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit, aplikohet edhe dhënie subvencionimi për viçat fermerë.

Masa e subvencionit shkon 48.7 euro për krerë.

Në Shqipëri fermerët e fermave të lopëve përfitojnë vetëm një subvencion prej 10,000 lekë apo 95 euro për krerë lopë, si dhe dhënien e naftës falas për tokat e mbjella, por që nuk arrijnë të adresojnë problematikën me rritjen e kostos prodhuese të qumështit.

Për ekspertët e bujqësisë vlerësohet se politikat mbështetëse të subvencioneve që aplikon Maqedonia e Veriut janë më gjithëpërfshirëse dhe të lidhur direkt me prodhimin e qumështit, ndërsa Shqipëria ka ende një model të kufizuar subvencionesh.

Skemë për kompensimi 10% të TVSh-së te fermeri, gati projektligji

Pas përfundimit të aksionit të nisur për kontrollin e tregtimit me faturë të produkteve blegtorale prej fermerit drejt përpunuesve dhe grumbulluesve qeveria po synon të rikthejë skemën e kompensimit të TVSH-së për fermerët.

“Monitor” mëson se qeveria ka gati projektligjin për rimbursimin e TVSh-së te fermeri. Masa e propozuar e kompensimit do të jetë 10%.

Projektligji pritet të miratohet dhe të zbatohet vitin e ardhshëm, si pjesë e një reforme më të gjerë për formalizimin e zinxhirit agroushqimor dhe uljen e kostove për prodhuesit vendas.

Deri tani, në rang vendi, rezultojnë të regjistruar 100 mijë fermerë të pajisur me NIPT që kanë të drejtë të shesin te përpunuesi, grumbulluesi apo supermaketet produktet e veta, pa faturë TVSH-je, por nëpërmjet autofaturës që plotësohet prej blerësit.

Pas heqjes së skemës së TVSH-së së rimbursueshme që përfitohej nga përpunuesit, kurse fermeri përfitonte tregtimin e produkteve me çmim të leverdishëm, u rrit kostoja e prodhimit, sepse TVSH-ja e paguar nuk kreditohet më dhe bëhet pjesë e kostos së lëndës së parë.

Deri në vitin 2017, rimbursimi i TVSH-së për përpunuesit ishte 20%, çka do të thotë se p.sh,. për çdo blerje të qumështit me faturë tatimore nga fermeri, përpunuesi mund të kreditonte këtë vlerë në TVSH-në e zbritshme.

Kjo skemë e bënte ekonomikisht të leverdishme blerjen edhe me çmim të lartë për fermerin dhe siguronte marzh të qëndrueshëm fitimi për industrinë.

Nga viti 2019 deri në vitin 2022, skema ndryshoi. TVSH-ja në blerje (nga fermerët) u ul në 6%. Ndërsa TVSH-ja në shitje e produkteve të bulmetit mbeti 20%. Kjo krijoi pabarazi fiskale, pasi industria paguante më shumë në dalje sesa kreditonte në hyrje.

Skema e TVSH-së së kreditueshme u hoq plotësisht në vitin 2022, duke vendosur 0% TVSH të zbritshme për blerjet e qumështit nga fermerët.

Shoqata e Industrisë së Përpunuesve të Qumështit propozoi që skema të harmonizohej me praktikat e rajonit, ku TVSH-ja e blerjes dhe e shitjes të unifikohej në 6% ose 9%, për të shmangur pabarazitë tatimore.

Skema e vjetër të zëvendësohej me një mekanizëm neutral fiskal, jo penalizues për përpunuesin. Ky propozim nuk u pranua nga Ministria e Financave në buxhetin e vitit 2022.

Në vend të rimbursimit të TVSH-së, qeveria aplikoi subvencione direkte deri në 10,000 lekë për krerë bagëtie/lopë për fermerët.

Në atë kohë, përpunuesit theksuan se skema e subvencioneve nuk do të ketë efekt të drejtpërdrejtë në uljen e kostos së lëndës së parë për industrinë.

Nuk garanton formalizimin, sepse nuk është e lidhur me volumin real të qumështit të shitur.

Ndryshe nga rajoni, ku subvencionet jepen për litër qumësht të prodhuar e dorëzuar, në Shqipëri mungon kjo logjikë e orientuar drejt prodhimit të formalizuar./ Monitor

Video

Këto janë momentet e arrestimit të një 45-vjeçari pasi sulmoi dy burra hebrenj me thikë në zonën Golders Green, një lagje me komunitet të madh hebre në veri të Londrës. Sipas autoriteteve, sulmi po trajtohet si një akt terrorist dhe hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit. Të plagosurit, të moshave 76 dhe 34 vjeç u dërguan në spital, ku raportohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Dëshmitarët thanë se autori ishte parë duke vrapuar në rrugë me thikë dhe duke synuar persona të identifikueshëm si hebrenj. Ai u neutralizua nga policia me Taser dhe më pas u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia Metropolitane deklaroi se i dyshuari kishte edhe një histori të mëparshme dhune dhe probleme të shëndetit mendor. Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi sulmin duke e cilësuar si “plotësisht të tmerrshëm”, ndërsa liderët hebrenj kërkuan masa më të forta sigurie për komunitetin.

Kjo video nga darka zyrtare në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë Melania Trump dhe Mbretin Charles III po bëhet virale në rrjet. Shkak është një moment i sikletshëm gjatë fotos zyrtare, ku Melania duket se i heq dorën Trump, duke nxitur reagime të shumta dhe diskutime për gjuhën e trupit dhe marrëdhënien mes çiftit presidencial.

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Orikum–Vlorë pranë fshatit Tragjas. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi Vladimir Gaba, ka përplasur një tufë me bagëti të imta (dhi) si dhe çobanin, shtetasin Andi Demiraj, rreth 35 vjeç, i cili ndodhej në fund të kopesë. Si pasojë e përplasjes, Demiraj ka pësuar traumë dhe është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin Tepelenë Krahës, në afërsi të fshatit Iliras. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin teksa qarkullonin në anë të kundërt. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 8 persona, të cilët janë transportuar në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Iliras”, automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“- njofton policia.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme