Sociale 28 Korrik 2025, 07:40 Nga VNA

Zbardhen detyrimet e reja të taksës së ndërtesës për 119 zonat kadastrale në rrethe

Ndaje në Whatsapp
Zbardhen detyrimet e reja të taksës së ndërtesës

Pavarësisht rritjes së çmimeve të referencës për shitblerjen e apartamenteve të propozuara nga Ministria e Financave, qytetarët e bashkive të Fushë-Arrëzit, Bajram Currit, Vaut të Dejës e më tutje e Çorovodës, Kuçovës apo Klosit do të vijojnë të paguajnë më pak detyrim për taksën e ndërtesës së banimit sesa qytetet e tjera.

Me më tepër detyrime do të ngarkohen banorët e qyteteve turistike, përshirë Durrësin dhe zonat përreth tij, të Himarës, Radhimës dhe Lungomares në Vlorë, Konispolit dhe të Sarandës. Teksa detyrim më të lartë për zonat urbane pritet të ketë për banorët e qytetit të Korçës, zonës së Kamzës, e ndjekur nga qytete si Fieri dhe Shkodra.

“Monitor” zbardh llogaritjet se sa do të rritet detyrimi për taksës e ndërtesës së banimit për 119 zonat kadastrale në 12 qarqet e vendit, pas ndryshimeve të propozuara për rritjen e çmimeve të referencave.

Bazuar në metodologjinë e llogaritjes së taksës së ndërtesës, rezulton se në rang vendi, detyrimet për familjarët në rrethe do të rriten në të njëjta nivele me referencat.

Pra nga 0,2% që do të jetë rritja më e ulët e detyrimit për familjet në Pogradec, deri në 224% që do të jetë niveli më i lartë i rritjes së detyrimit, për banorët që do të banojnë në ishullin e Sazanit.

Deri tani ishulli i Sazanit, nuk ka qenë i banueshëm. Ky i fundit përfshihet për herë të parë si zonë kadastrale në hartën e metodologjisë për llogaritjen e taksës së ndërtesës, pas prezantimit për zhvillimin e projektit rezidencial nga kompania Affonity Partners e sipërmarrësit Jared Kushmer, dhëndri i Presidentit Donald Trump.

Nga llogaritjet se rezulton se rritja e detyrimeve për taksën e banesës, për familjet në rrethe do të jetë në të njëjtën nivele me rritjen e çmimeve të referencës.

Pasi baza e llogaritjes së vlerës së apartamentit janë çmimet e referencës. Ndërsa shkalla e taksës në rang vendi është sa 0,05% e vlerës së apartamentit. Bashkitë kanë drejtë që me vendime të Këshillit Bashkiak, të rrisin apo të ulin shkallën e taksës deri 30%.

Edhe për 32 zonat kadastrale të Tiranës detyrimet e familjeve për taksën e ndërtesës u rritën nga 5 deri 76%, në njëjtat nivele që u rritën çmimet e referencës në muajin korrik 2023.

Për Tiranën rritja e detyrimit të ri të taksës së ndërtesës nisi të paguhet prej muajit gusht 2023.

Ndërsa për referencat e reja qeveria përcakton në projektvendim se do të nisë zbatimi nga 1 janari 2026. Për rrjedhojë në rrethe edhe efektet për llogaritjen e detyrimit të ri të taksës së ndërtesës do të nisin nga 1 janari 2026.

Shembujt sa rriten detyrimet për qytetet Durrës, Vlorë, Sarandë, Elbasan, Pogradecit etj.

Një qytetar që disponon një shtëpi banimi me sipërfaqe 90 m2 në qytetin e Durrësit, pavarësisht zonës në të cilën vendndodhet ndërtesa, aktualisht paguan një detyrim vjetor prej 3,038 lekë apo 253 lekë në muaj për taksën e ndërtesës.

Për llogaritjen e detyrimit së pari përcaktohet vlera e apartamentit sipas çmimeve referencë të miratuar nga qeveria.

Për qytetin e Durrësit çmimi i referencës është 67,500 lekë/m2. Vlera e apartamentit 90 m2 x 67,500 lekë/m2 = 6,075,000. Detyrimi i taksës sa 0,05% e vlerës së apartamentit: 0,05% x 6,075,000 = 3,038 lekë.

Por me çmimet e reja të referencës që u propozuan nga qeveria Durrësi do të ndahet në 13 zona kadastrale. Nëse një qytetar i Durrësit banon pranë zonës së Portit, ku është përcaktuar si zona kadastrale nr.13 dhe propozohet çmimi reference prej 200 mijë lekë/m2 ai do të paguajë për taksën e ndërtesës 9,000 lekë në vit apo 750 lekë në muaj. Pra këtij qytetari detyrimi për taksën do t’i rritet 196% sa rritet edhe referenca.

Mbështetur në të njëjtën llogaritje të metodologjisë një qytetar në Vlorë që disponon një apartament me sipërfaqe 90 m2 pavarësisht vendndodhjes sot paguan për taksën e ndërtesës detyrimin me vlerë 2,781 lekë në vit apo 232 lekë në muaj.

Në projektvendim Vlora është propozuar të ndahet në 7 zona kadastrale (brenda Vlorës më vetë janë përfshirë Radhima, Orikumi dhe Sazani).

Nëse ai disponon një apartament në zonën nr. 1 kadastrale që në terren përkon me zonën e Lungomares do të paguajë detyrimin vjetor për taksën në vlerën e 4,410 lekëve në vit apo 367 lekë në muaj. Rritja e detyrimit do të jetë 59%. Për këtë zonë është propozuar çmimi referencë prej 98,000 lekë/m2.

Në Sarandë pavarësisht vendndodhjes, një qytetar për një apartament banimi me sipërfaqe 90 m2 aktualisht paguan një detyrim vjetor prej 2,520 lekë apo prej 210 lekë në muaj.

Por me referencat e reja Saranda ndahet në 5 zona kadastrale, dhe për një apartament me lokacion afër detit që është zona kadastrale nr.1 dhe propozohet çmimi referencë prej 100 mijë lekë/m2 nga 56 mijë lekë/m2 që është aktualisht, detyrimi për taksën do të jetë 4,500 lekë në vit apo 375 lekë në muaj. Rritja 79%.

Për një familje në Elbasan detyrimi për taksën do të rritet nga 5 deri në 19%. Nga 2,264 lekë në vit që paguhet për zonën nr.1 që përkon në terren rruga “Rinia”, rruga “Janaq Kinica”, “Zaranika” detyrimi i ri do të jetë 2,700 lekë në vit dhe për zonën nr.3, që përfshin rrugën “Abdulla Bej Tirana” detyrimi i ri do të jetë 2,385 lekë në vit.

Për familjet që banojnë në zonën nr.2 të Elbasanit, që përfshin rrugët “Vasil Llapushi”, “Thoma Kalefi”, “Nos Josifi” deri te “Shkumbini” nuk do të ndryhsojë detyrimi vjetor prej 2,264 lekë për taksën e ndërtesës, pasi nuk ndryshon vlera e çmimit të referencës.

Vlera e referencës së mëparshme për qytetin e Elbasanit ishte 50,300 lekë/m2. Propozohen vlera të reja përkatësisht 60 mijë lekë/m2 për zonën nr.1 dhe 53 mijë lekë për zonën nr.3.

Banesat e banimit për familjet e qytetit të Pogradecit do të ndahen në dy zona kadastrale. Aktualisht të gjitha familjet në këtë qytet paguajnë 2,246 lekë në vit për taksën e ndërtesës apo 187 lekë në muaj.

Por ata banorë që disponojnë p.sh. një apartament me sipërfaqe 90 m2 pranë zonës së 1 Majit apo stadiumit “Gjergji Kyçyku” që është përcaktuar si zonë kadastrale nr. 1 do të paguajnë 2,700 lekë në vit detyrim për taksën apo 225 lekë në muaj. Rritja do të jetë 20%.

Për të parë zonat në hartë kliko: https://monitor.al/publikohen-hartat-e-zonave-kadastrale-per-cmimet-e-references-per-61-bashkite/

Shembujt sa do të ndryshojë detyrimi për bashkitë Kukës, Fushë Arrëz etj.

Familjet në Fushë-Arrëz edhe pas ndryshimeve të propozuara për referencat do të vijojnë të paguajnë detyrimin më të ulët për taksën e ndërtesës në rang vendi.

P.sh nëse një banor në këtë zonë disponon një banesë me sipërfaqe 90 m2 aktualisht paguan 338 lekë në vit apo 28 lekë në muaj. Me referencën e re, detyrimi vjetor për taksën do të jetë 473 lekë në vit apo 40 lekë në muaj. Rritja 40%.

Një familje në Kukës aktualisht paguan një detyrim vjetor prej 2,430 lekë në vit apo 202 lekë në muaj. Me rritjen e referencës 7% edhe detyrimi për taksën do t’i rritet në të njëjta nivele. Do të paguhet 2,610 lekë në vit apo 217 lekë në muaj.

Ashtu si edhe në Tiranë edhe për familjet që jetojnë në rrethe detyrimin për taksën e ndërtesës paguhet nëpërmjet faturave të ujit të pijshëm.

Për apartamentet e ndërtuara para viteve ’90, por që janë privatizuar nga familjet shqiptare në vitin ’92 sipas legjislacionit të miratuar për privatizimin e banesave, për rastet kur ndaj kësaj pronë nuk është kryer asnjë transaksion shitblerje, detyrimi për taksën llogaritet sa 70% e vlerës së apartamentit. /MONITOR

Video

? Zjarri në pyllin e Poros jashtë kontrollit! Zjarri në fshatin Akërni vijon aktiv prej më shumë se 24 orësh, ndërsa situata është kritike, me flakët që përparojnë dhe djegin masive pyjore, kryesisht me pisha, duke u afruar drejt zonës së hidrovorit në njësinë administrative Novoselë. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, njësitë e zonave të mbrojtura, emergjencat civile dhe forcat e armatosura. Operacioni i fikjes mbështetet edhe nga ajri, me helikopter që merr ujë nga deti dhe e hedh mbi flakë.

?Sulmi i djeshëm në spitalin Nasser në Khan Younis mori jetën e të paktën 20 personave, mes tyre 5 gazetarë që po raportonin nga vendngjarja. ?️Kolegët tregojnë se pas goditjes së parë, ndërsa ndihmonin të plagosurit dhe ishin ende live në transmetim, një raketë e dytë goditi sërish. ✍️Që nga fillimi i luftës, gati 200 gazetarë janë vrarë në Gaza, pavarësisht se mbajnë jelekë të shënuar qartë me fjalën press. ??Ata nuk mbajnë armë, por kamera dhe mikrofonë – dhe megjithatë, paguajnë me jetë çmimin e së vërtetës.

Këto janë pasojat e zjarrit që ra ditën e sotme në afërsi të autostradës Lezhë-Milot, ku fillimisht u dogj një sipërfaqe me shkurre, e më pas flakët përpinë dhe një pjesë të një lokali dasmash aty pranë. Kujtojmë se zjarri i rënë në segmentin Laç-Lezhë u përhap me shpejtësi i favorizuar edhe nga era, duke rrezikuar kështu edhe disa banesa që ndodheshin aty pranë. Sipas raportimeve të fundit, flakët janë vënë nën kontroll, por shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e Policisë vijojnë të qëndrojnë në vendngjarje, pasi pranë lokalit ndodhen dhe disa depozita gazi.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre pranë një biznesi në afërsi të superstradës Lezhë–Milot. Për shkak të erës, flakët janë përhapur me shpejtësi duke rrezikuar disa banesa përreth, si edhe një restorant të madh dasmash që ndodhet pranë zonës së përfshirë nga zjarri. ? Forca të shumta zjarrfikëse ndodhen aktualisht në terren dhe po punojnë për të penguar përhapjen e flakëve dhe për t’i vendosur ato nën kontroll.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme