Kronika 15 June 2026, 14:51 Nga VNA

Çela ngre alarmin: Hetimet e Policisë Gjyqësore mbeten difektoze, sistemi ka nevojë për ndërhyrje urgjente

Ndaje në Whatsapp
Çela ngre alarmin: Hetimet e Policisë Gjyqësore mbeten

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka evidentuar mangësitë e vazhdueshme në punën e Policisë Gjyqësore, duke deklaruar se hetimet e kryera prej saj mbeten ende difektoze dhe se përmirësimi i cilësisë së tyre duhet të jetë një prioritet institucional.

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ku prezantoi raportin vjetor për gjendjen e kriminalitetit në vend për vitin 2025, Çela u shpreh se ende nuk është gjetur një zgjidhje optimale për funksionimin e procesit hetimor në raportin mes Prokurorisë dhe Policisë.

Sipas tij, pavarësisht ndryshimeve ligjore të ndërmarra ndër vite, problematikat që lidhen me Policinë Gjyqësore vazhdojnë të përbëjnë “Thembrën e Akilit” të hetimeve penale në vend.

“Sa i përket ligjit për Policinë Gjyqësore, është një çështje komplekse dhe biem dakord që ende nuk kemi zgjidhje optimale për mënyrën se si duhet të funksionojë hetimi në raportin Prokurori-Polici, që lidhet si me Policinë Gjyqësore ashtu edhe me seksionet në prokurori. Është bërë hap përpara në ligjin për Policinë Gjyqësore, që parashikon krijimin e një sektori të posaçëm për hetimin.

Por këto ndryshime nuk mendoj se janë implementuar në mënyrën se si ishin parashikuar në fillim. Ka vend për diskutim të gjerë se çfarë mund të përmirësohet dhe ndryshohet në këtë fushë. Kjo mbetet Thembra e Akilit në procesin e hetimit”, deklaroi Çela.

Kreu i organit të akuzës theksoi se, pavarësisht përpjekjeve të bëra deri më tani, cilësia e hetimeve të Policisë Gjyqësore vijon të mbetet problematike.

“Me gjithë përpjekjet që janë bërë, ende besoj se hetimi nga ana e Policisë Gjyqësore është difektoz. Përmirësimi i tij duhet të mbetet prioritet, gjetja e rrugëve se si të arrijmë në rritjen cilësore. E vlerësoj iniciativën tuaj dhe çdo propozim do të ishte i mirëpritur, ndërsa ne do të japim kontributin tonë”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.

Deklaratat e Çelës nxjerrin në pah sfidat që vazhdon të përballet sistemi i hetimit penal në Shqipëri, duke rikthyer në vëmendje nevojën për reformim dhe forcim të mekanizmave që garantojnë hetime më profesionale dhe më efektive.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme