Sociale 19 Dhjetor 2024, 15:46 Nga VNA

Burokracia që mbyt kulturën në Kavajë

Ndaje në Whatsapp
Burokracia që mbyt kulturën në Kavajë

Në Kavajë, kultura dhe arti po përballen me një realitet pa shkëlqim, i venitur nga burokracia dhe mungesa e kujdesit për trashëgiminë e pasur artistike dhe letrare. Institucionet kulturore të qytetit ndajnë hapësirat e tyre me zyrat e bashkisë, duke i kthyer në korridore kalimtare dhe zyra shërbimesh, ku arti mbetet gjithmonë i dyti në radhë. Pallati i Kulturës, dikur një pikë referimi për aktivitetet artistike, sot ka humbur identitetin e tij. Shumica e sallave janë zënë nga zyrat e bashkisë, ndërsa biblioteka e qytetit, që prej një dekade, ka gjetur strehë në katin e sipërm të pallatit. Por për të arritur në bibliotekë, lexuesit duhet të përballen me një sfidë të përditshme: ngjitjen e mbi 50 shkallëve të ngushta dhe të larta, një torturë e vërtetë për të moshuarit dhe ata me vështirësi në lëvizje. Ashensori i prishur prej vitesh vazhdon të mbetet një problem pa zgjidhje, ndërsa numri i vizitorëve të bibliotekës është i vogël. Nazmi Roli, kryetar i shoqatës kulturore “Harmonium”, ankohet se gjatë viteve nuk është treguar kujdesi i duhur për fondin e bibliotekës. “Pas transferimit të librave, nga inventari i fundit në vitin 2013, mungojnë më shumë se gjysma e tyre,” tregon Roli. “Deri në vitin 2013, kur biblioteka u transferua nga mjediset e Muzeut Etnografik – ku ishte vendosur për një kohë të gjatë, kishte një fond prej 43 mijë librash,” shton ai. Ertila Okshtuni, punonjëse e bibliotekës, tha për BIRN se salla e madhe e librave shërben si rrugëkalim për qytetarët që drejtohen drejt zyrave të tjera të bashkisë në të njëjtin kat. “Në raftet tona mungon letërsia e Rilindjes Kombëtare dhe ende nuk është përcaktuar një financim vjetor për pasurimin e bibliotekës me libra të rinj,” shton Okshtuni, e cila shpesh duhet të përgjigjet edhe qytetarëve që kalojnë për në zyrat e shërbimeve të bashkisë. Pallati i Kulturës “Mustafa Krantja” mbart emrin e dirigjentit të parë të Teatrit të Operas dhe Baletit, një krenari për qytetin, por në fasadë ende lexohet emri i vjetër, “Kavaljon”, ku germat e dëmtuara tregojnë për një neglizhencë të vazhdueshme. “Profesor Krantja është dirigjenti i parë i Teatrit të Operas dhe Baletit dhe ishte në nder të vendlindjes që pallati i kulturës të mbante emrin e tij,” tregon Nazmi Roli. Kavaja është një qytet që ka lëvruar kulturën dhe artin prej shumë kohësh. Disa vite më parë, klubi “Harmonium” organizoi një panair me libra të autorëve kavajas, të cilët mblidheshin rregullisht për diskutime krijuese dhe promovime të veprave të tyre. “Ishin rreth 220 tituj, të shkruar nga më shumë se 40 autorë, shkrimtarë dhe poetë të qytetit,” tha për BIRN piktori Muhamet Mahilaj, i cili tashmë jeton në Durrës. Ashtu si Mahilaj, disa prej këtyre autorëve janë larguar nga Kavaja drejt qyteteve dhe vendeve të tjera, ndërsa shumë të tjerë nuk jetojnë më. Muhameti pohon se ekspozita e fundit e arteve pamore në pallatin e kulturës është organizuar vite më parë nga piktorja e ndjerë Inxhiriana Roli. “Familja e saj i ka dhuruar shkollës së mesme ‘Aleksandër Moisiu‘ një tablo dhe tetë etyde nga rolet e aktorit të madh me prejardhje nga Kavaja, ndërsa portreti i Ibrahim Kodrës, punuar prej saj, tashmë ndodhet në shkollën që mban të njëjtin emër në Durrës,” tregon Mahilaj. Pallati i Kulturës “Mustafa Krantja” u ndërtua mbi një projekt shumë më modest sesa ai fillestar i viteve ’90. Shumica e mjediseve përdoren nga drejtoritë e shërbimeve të bashkisë dhe pushtetit qendror. Megjithëse mjaft zyra dhe mjedise të tjera shfrytëzohen nga drejtoritë e ndryshme  apo nga biznese private, në Pallatin e Kulturës mungon një sallë për ekspozime të piktorëve dhe skulptorëve. “Tablotë janë vendosur gjithmonë në një sallon kalimtarësh në katin e dytë,” shton Mahilaj, duke na kujtuar situatën e ngjashme me atë të bibliotekës. Ndonëse ka mungesë në menaxhimin e hapësirave, Pallati i Kulturës ka një sallë shfaqjesh me 320 vende, që do të ishte e lakmueshme edhe për qytete të mëdha. Ndërkaq, dy vjet më parë qytetit iu shtua edhe salla e kinemasë “Aleksandër Moisiu”, e restauruar me financimin e qeverive të Austrisë dhe Zvicrës. Por veprimtaritë që organizohen në të dyja sallat janë të pakta dhe i kushtohen kryesisht takimeve me sfond social. “Kinemaja dhe salla e shfaqjeve në Pallatin e Kulturës shfrytëzohen shumë pak për projektimin e filmave dhe për koncerte të ndryshme,” përfundoi Nazmi Roli.

Reporter.al

Video

Rreth orës 12:20 të ditës së sotme, në Rrethrrotullimin e Nartës, në hyrje të qytetit të Vlorës, është regjistruar një incident gjatë një aksioni të përbashkët të IMT/INUV dhe Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave publike. Gjatë aksionit, disa shtetas kanë kundërshtuar zbatimin e masave për heqjen e një strukture të paligjshme, duke ushtruar dhunë ndaj dy punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor që kishin ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Në përpjekje për të vendosur rendin, një efektiv policie ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit, pa pasoja. Si pasojë e incidentit, dy punonjës policie janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar personat e përfshirë në konflikt.

Vetëm se në vendet që permend Berisha e vjetra u zëvendesua me të renë. Jo me një edhe më të vjetër...

Tregtarë të tregut të fruta-perimeve kanë bllokuar mëngjesin e kësaj të hëne rrugën pranë Sahatit në qendër të Vlorës, në shenjë proteste. Ata akuzojnë pronarin e një marketi se ka zaptuar hapësirën publike dhe tregëton në rrugë të njëjtat produkte, duke krijuar konkurrencë të pandershme. Tregtarët shprehen se kjo situatë po u bllokon punën dhe po i çon drejt falimentimit, ndërsa theksojnë se ata paguajnë rregullisht taksa dhe detyrime ndaj shtetit, ndryshe nga marketi në fjalë që, sipas tyre, shet mallra me çmime shumice.

Asambleja Kombëtare e Turqisë u përfshi nga tensione të forta gjatë ditës së fundit të debatit për buxhetin e shtetit, kur deputetë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet dhe Partisë Republikane Popullore të opozitës u përleshën fizikisht, duke shkëmbyer grushte në sallën plenare. Incidenti zgjati rreth dhjetë minuta dhe detyroi Kryetarin e Parlamentit, Numan Kurtulmuş, të pezullojë seancën, pasi forcat e sigurisë patën vështirësi në largimin e deputetëve të përfshirë në përleshje. Pavarësisht kaosit, Parlamenti miratoi më pas përfundimisht Buxhetin e Qeverisë Qendrore për vitin 2026 me 320 vota pro dhe 249 kundër.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme