Shtëpia e Bardhë u detyrua të ndërhyjë për të përgënjeshtruar zërat që qarkulluan në rrjetet sociale se presidenti amerikan Donald Trump ishte shtruar në spitalin ushtarak Walter Reed National Military Medical Center në Maryland.
Thashethemet nisën të përhapen pasi podkasteri Ed Krassenstein publikoi në rrjetin social X një mesazh ku shkruante se “po shtohen zërat se Donald Trump ndodhet në qendrën mjekësore Walter Reed”. Postimi i tij u pa nga më shumë se tetë milionë përdorues brenda pak orësh.
Më pas, përdorues të tjerë shtuan detaje të paverifikuara, duke pretenduar se zona rreth spitalit ishte mbyllur për arsye sigurie. Një tjetër llogari në X, RealDrJaneRuby, shpërndau edhe një video ku shfaqej një autokolonë makinash me sirena që hynte në një rrugë. Por pamjet rezultuan të vjetra: ato i përkisnin verës së vitit 2024, pas atentatit ndaj Trump në Pensilvani dhe shtrimit të tij të përkohshëm në spital.
Në një tjetër postim të rremë u pretendua madje se zëvendësshefi i kabinetit, Stephen Miller, kishte njoftuar vdekjen e Trump nga një atak në zemër.
Zëdhënësi i presidentit, Steven Cheung, reagoi në rrjetin X duke hedhur poshtë lajmet, pa i përmendur drejtpërdrejt:
“Askush nuk punon më shumë për popullin amerikan se presidenti Trump. Gjatë fundjavës së Pashkëve ai po punon pa pushim në Zyrën Ovale.”
Edhe llogaria e lidhur me Shtëpinë e Bardhë, Rapid Response 47, sulmoi podkasterin që kishte përhapur lajmin, duke e cilësuar postimin e tij thjesht si një gënjeshtër.
Megjithatë, shëndeti i presidentit 79-vjeçar është bërë një temë e diskutuar gjatë mandatit të tij të dytë. Opinionit publik i kanë rënë në sy gafat e tij publike, momentet kur duket i përgjumur para gazetarëve, kyçet e fryra të këmbëve, mavijosjet në duar dhe disa paqartësi rreth gjendjes së tij shëndetësore.
Zërat për shtrimin në spital nisën të përhapen pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi papritur të shtunën në mëngjes se presidenti nuk do të kishte më paraqitje publike gjatë ditës. Ky njoftim ngriti pikëpyetje, pasi zakonisht Trump kalon fundjavat në resortin e tij në Florida, Mar-a-Lago, për të luajtur golf.
Herën e fundit që Trump ishte në spital ishte në tetor, kur iu nënshtrua një rezonance magnetike. Ai vetë u tha gazetarëve në bordin e Air Force One se rezultatet kishin qenë “perfekte”.
Mjekët kanë bërë të ditur më herët se presidenti vuan nga insuficienca kronike venoze, por sipas mjekut të tij personal, dr. Sean Barbabella, Trump “vazhdon të tregojë një gjendje të shkëlqyer të përgjithshme shëndetësore”.






















