Bota 12 January 2026, 08:04 Nga VNA

Regjimi iranian përpiqet të mbahet në pushtet mes protestave dhe presionit në rritje nga Trump

Ndaje në Whatsapp
Regjimi iranian përpiqet të mbahet në pushtet mes protestave dhe

Ndërsa protestat masive në Iran kanë hyrë në javën e tretë dhe po e çojnë vendin drejt një momenti kritik, regjimi teokratik po përpiqet të mbijetojë përmes një goditjeje të ashpër ndaj demonstratave që po zgjerohen në të gjithë vendin.

Kleri që sundon Iranin ka përballuar edhe më parë protesta të mëdha, por këtë herë kontrolli i regjimit mbi pushtetin duket më i brishtë se kurrë, teksa opozita kërkon ndryshime thelbësore. Fillimisht të nxitura nga pakënaqësitë ekonomike, protestat janë shndërruar tashmë në një lëvizje të gjerë kundër regjimit që ka sunduar vendin për dekada.

“Ka keqmenaxhim sistemik, korrupsion dhe represion. Kjo është arsyeja pse njerëzit duan largimin e Republikës Islamike,” tha për CNN Holly Dagres, studiuese e lartë në Washington Institute.

Përveç presionit të brendshëm, udhëheqja iraniane po përballet edhe me paralajmërime nga jashtë. Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur hapur mbështetje për protestuesit dhe ka bërë thirrje për fundin e regjimit islamist në Iran, me të cilin SHBA ka marrëdhënie armiqësore prej vitesh.

“Irani po shikon LIRINË, ndoshta si kurrë më parë. SHBA është gati të ndihmojë!!!” shkroi Trump në rrjetet sociale.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Trump po shqyrton disa opsione të mundshme ushtarake ndaj Iranit, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për mënyrën e ndërhyrjes së mundshme të SHBA-së.

“Po shohim shumë seriozisht situatën. Ushtria po e shqyrton dhe ne po shohim disa opsione shumë të forta,” tha Trump për gazetarët.

Megjithatë, disa analistë paralajmërojnë se një ndërhyrje ushtarake amerikane mund të ketë ndikim të kufizuar. “Regjimi është i brishtë, por ende qëndron në këmbë përmes brutalitetit,” u shpreh për CNN Dr. HA Hellyer nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).

Kriza ekonomike dhe izolimi ndërkombëtar

Gjatë viteve, Irani ka përjetuar valë protestash që kanë sjellë pak ndryshime politike apo shoqërore. Por zemërimi aktual po rritet, teksa qytetarët janë gjithnjë e më të lodhur nga kriza ekonomike dhe mungesa e perspektivës.

Që nga ardhja në pushtet në vitin 1989, Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei ka ruajtur mbështetjen e disa strukturave shtetërore, por politikat represive kanë sjellë rënie të ndjeshme të mbështetjes popullore.

Sanksionet ndërkombëtare, përfshirë rikthimin e sanksioneve të lidhura me programin bërthamor, kanë goditur rëndë ekonominë dhe veçanërisht shtresën e mesme, e cila shihet si baza e lëvizjes reformiste në Iran.

Në të njëjtën kohë, Irani ka humbur disa pika të rëndësishme ndikimi rajonal. Sulmet izraelite kanë dobësuar grupet aleate si Hamas dhe Hezbollah, ndërsa goditjet amerikane kanë dëmtuar rëndë programin bërthamor iranian. Një tjetër goditje erdhi me rrëzimin nga pushteti të presidentit sirian Bashar al-Assad në dhjetor 2024, një aleat kyç i Teheranit.

“Situata është e paqëndrueshme për Republikën Islamike,” tha Dagres, duke shtuar se ndjenja anti-regjim ka arritur nivele historike.

Reagimi i regjimit

Përballë protestave, autoritetet kanë ndjekur strategjinë e njohur të shtypjes së dhunshme. Sipas organizatës Human Rights Activists in Iran, mijëra persona janë arrestuar dhe qindra janë vrarë gjatë përplasjes me forcat e sigurisë. Regjimi ka vendosur gjithashtu ndërprerje të internetit dhe telefonisë për të kufizuar informacionin nga terreni.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian u ka bërë thirrje qytetarëve të mos iu bashkohen protestave, të cilat i ka cilësuar si veprime të “trazirave dhe terrorizmit”. Ai ka akuzuar “elementë të lidhur me jashtë” për djegien e objekteve fetare dhe kulturore.

“Nëse njerëzit kanë shqetësime, është detyra jonë t’i zgjidhim ato, por detyra më e madhe është të mos lejojmë që një grup trazirash të prishë gjithë shoqërinë,” deklaroi Pezeshkian në një fjalim televiziv.

Ndërkohë, protestat vazhdojnë, duke e lënë të hapur pyetjen nëse regjimi iranian do të arrijë edhe këtë herë të mbijetojë përballë një sfide gjithnjë e më të madhe.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme