Bota 15 January 2026, 16:40 Nga VNA

Europa zbarkon ushtarakisht në Groenlandë, Trump këmbëngul: “Na duhet për sigurinë kombëtare”

Ndaje në Whatsapp

Europa zbarkon ushtarakisht në Groenlandë, Trump këmbëngul:

Një kontingjent prej 15 ushtarësh francezë ka mbërritur në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ndërsa disa shtete europiane kanë nisur dislokimin e trupave në ishullin arktik në kuadër të një misioni të quajtur “zbulues”. Përveç Francës, në këtë prani ushtarake po marrin pjesë edhe Gjermania, Suedia, Norvegjia, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar.

Lëvizja vjen në një moment tensioni të lartë diplomatik, teksa presidenti amerikan Donald Trump vijon të shtyjë hapur pretendimin e tij për ta vënë Groenlandën nën kontrollin e SHBA-së. Groenlanda është territor gjysmë-autonom, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se kontingjenti fillestar do të forcohet së shpejti me kapacitete tokësore, ajrore dhe detare. Ndërkohë, diplomati i lartë francez Olivier Poivre d’Arvor e cilësoi misionin si një sinjal të fortë politik, duke theksuar se “NATO është e pranishme” dhe se kjo është vetëm një stërvitje e parë.

Dislokimi i trupave ndodhi pak pasi ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës udhëtuan drejt Uashingtonit për bisedime me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance. Pas takimit, ministri danez i Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen, pranoi se bisedimet ishin konstruktive, por nënvizoi se mes palëve ekziston një “mospërputhje themelore”, duke kritikuar hapur idenë e Trump për blerjen e Groenlandës.

Nga ana e tij, Trump e përsëriti qëndrimin e tij, duke deklaruar nga Zyra Ovale se “SHBA-ja ka nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare”. Edhe pse nuk përjashtoi përdorimin e forcës, ai tha se beson se mund të arrihet një zgjidhje me Danimarkën.

Në Evropë, reagimet kanë qenë të forta. Kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane në Groenlandë do të ishte një “katastrofë politike”, duke theksuar se një konflikt mes vendeve anëtare të NATO-s do të shkatërronte themelet e sigurisë euroatlantike. Nga ana tjetër, Rusia shprehu “shqetësim serioz”, duke akuzuar NATO-n për militarizim të Arktikut nën pretekstin e rremë të kërcënimeve nga Moska dhe Pekini.

Edhe pse prania ushtarake europiane përbëhet vetëm nga disa dhjetëra trupa dhe është pjesë e stërvitjeve të përbashkëta daneze “Operation Arctic Endurance”, ajo shihet si një mesazh simbolik, por i qartë politik ndaj Uashingtonit. Zyrtarët danezë kanë bërë të ditur se synimi është një prani ushtarake rrotulluese dhe afatgjatë në Groenlandë, për të forcuar gjurmën e NATO-s në Arktik.

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, e ka përshkruar situatën si një krizë gjeopolitike, duke theksuar se nëse qytetarët e Groenlandës do të duhej të zgjidhnin, ata do të qëndronin me Danimarkën dhe jo me SHBA-në. “Groenlanda nuk dëshiron të zotërohet, të qeveriset apo të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara,” deklaroi ai.

Ndërkohë, SHBA-ja ka tashmë një bazë ushtarake në Groenlandë me rreth 150 persona, por zhvillimet e fundit tregojnë se beteja për ndikim në Arktik sapo ka hyrë në një fazë të re, ku simbolika ushtarake po shndërrohet gjithnjë e më shumë në presion politik të hapur.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme