Bota 14 January 2026, 17:47 Nga VNA

FBI kontrollon banesën e një gazetareje të Washington Post që raportonte për shkarkimet federale të Trump

Ndaje në Whatsapp
FBI kontrollon banesën e një gazetareje të Washington Post

FBI ka kryer një kontroll në banesën e një gazetareje të Washington Post, e cila ka raportuar për shkarkimet masive të punonjësve federalë nga administrata Trump. Kontrolli u krye në kuadër të një hetimi për shpërndarje të mundshme të dokumenteve të klasifikuara, raportoi gazeta.

Agjentët ndërmorën të mërkurën një hap të rrallë, duke kontrolluar shtëpinë në Virxhinia të gazetares Hannah Natanson, nga ku sekuestruan telefonin e saj, një orë Garmin, një laptop personal dhe një kompjuter të pajisur nga Washington Post. Hetuesit i kanë bërë të ditur Natanson se ajo nuk është objekt i hetimit, sipas gazetës.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën në platformën X, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha se Departamenti i Drejtësisë dhe FBI kanë ekzekutuar një urdhër kontrolli me kërkesë të Departamentit të Mbrojtjes “në banesën e një gazetareje të Washington Post që po siguronte dhe raportonte informacion të klasifikuar dhe të rrjedhur në mënyrë të paligjshme nga një kontraktor i Pentagonit”.

“Rrjedhësi i informacionit ndodhet aktualisht pas hekurave,” tha Bondi. “Administrata Trump nuk do të tolerojë rrjedhje të paligjshme të informacionit të klasifikuar që, kur publikohen, përbëjnë rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe për burrat e gratë që shërbejnë me guxim për vendin tonë.”

Washington Post e cilësoi kontrollin e banesës së gazetares së saj si “tejet të pazakontë dhe agresiv”.

Urdhri i kontrollit, ndërkohë që Natanson ndodhej në banesë, theksonte se autoritetet po hetonin një administrator sistemi me bazë në Maryland, i pajisur me nivel të lartë sigurie. Aurelio Perez-Lugones përmendet në një deklaratë nën betim të FBI-së dhe akuzohet se ka aksesuar dhe marrë në shtëpi raporte të klasifikuara të inteligjencës.

Natanson ka kaluar vitin e fundit duke mbuluar riformësimin e qeverisë nga administrata Trump dhe në dhjetor 2025 botoi një rrëfim në vetën e parë mbi kontaktet e saj me punonjës federalë për të kuptuar përvojat e tyre. Artikulli titullohej: “Unë jam ‘pëshpëritësja e qeverisë federale’ e Post-it. Ka qenë brutale.”

Në muajt e parë të mandatit të dytë të presidentit Donald Trump, ai ndërmori menjëherë mijëra shkarkime masive përmes të ashtuquajturit Departamenti i Efiçencës Qeveritare, i mbikëqyrur nga miliarderi Elon Musk.

Kjo lëvizje i solli Natanson 1.169 burime të reja, sipas raportimit të saj, ku ajo përshkruante se ishte “pothuajse e thyer” nga ngarkesa e punës.
“Fitova një rubrikë të re, një redaktor të ri dhe 1.169 kontakte në Signal, të gjithë punonjës aktualë ose ish-punonjës federalë që vendosën të më besonin historitë e tyre,” shkroi ajo.

Në një nga mesazhet që mori nga një punonjës i Departamentit të Mbrojtjes, ky i fundit i tha: “I kuptoj rreziqet. Por nxjerrja e së vërtetës dhe e fakteve është shumë më e rëndësishme.”
“Nuk e kisha menduar kurrë se do të rridhja informacion në këtë mënyrë,” i tha një tjetër punonjës i Departamentit të Drejtësisë Natansonit, sipas rrëfimit të saj.

Perez-Lugones ndodhet aktualisht në paraburgim dhe pritet të paraqitet të enjten në orën 11:00 (ora lokale) në një gjykatë federale në Baltimore.

Instituti i Amendamentit të Parë Knight në Universitetin Columbia reagoi ashpër ndaj kontrollit, duke kërkuar “shqyrtim intensiv” të veprimit.

“Këto lloj kontrollesh mund të dekurajojnë dhe pengojnë raportimin që është jetik për demokracinë tonë,” tha drejtori ekzekutiv Jameel Jaffer. “Kontrollet në redaksi dhe ndaj gazetarëve janë shenja të regjimeve joliberale, dhe duhet të sigurohemi që këto praktika të mos normalizohen këtu.”

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme