Sipas një analize të CNN, dështimi i bisedimeve mes Shtetet e Bashkuara dhe Iranit përbën një goditje të fortë për shpresat e gjetjes së një zgjidhjeje për krizën.
Bisedimet, të cilat zgjatën për orë të tëra, përfunduan pa marrëveshje, pavarësisht rëndësisë së tyre të madhe. Këto ishin kontaktet në nivelin më të lartë mes dy vendeve që nga krijimi i Republikës Islamike në vitin 1979. Diskutimet kanë qenë tepër komplekse, me shkëmbim dokumentesh teknike dhe shqyrtime të vazhdueshme, por palët mbetën shumë larg njëra-tjetrës, si në përmbajtje ashtu edhe në mënyrën e negociimit.
Sipas analizës, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance kërkonte një zgjidhje të shpejtë pas një armëpushimi dyjavor, ndërsa Irani ka ndjekur një qasje më të ngadaltë dhe afatgjatë në negociata.
SHBA ka deklaruar se ka paraqitur ofertën e saj “më të mirë dhe përfundimtare”, duke e lënë tashmë vendimin në dorë të Iranit. Nga ana tjetër, Teherani e konsideron dështimin si pasojë e kërkesave “të tepruara” nga SHBA.
Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbetet pasurimi i uraniumit. Irani këmbëngul se programi i tij është për qëllime energjetike dhe jo për armë bërthamore, ndërsa SHBA kërkon garanci të forta që Teherani nuk do të zhvillojë armë të tilla.
Analiza thekson gjithashtu se retorika e ashpër, përfshirë kërcënimet e mëparshme nga presidenti Donald Trump, e ka tensionuar më tej situatën.
Në përfundim, mbeten të hapura disa pyetje kyçe: si do të reagojë Irani ndaj dështimit të bisedimeve dhe sa gjatë do të vazhdojë pasiguria që kjo krizë krijon për ekonominë globale.






















