
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka uruar Péter Magyar për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Hungari, duke e cilësuar procesin si shembull të demokracisë dhe duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me TISZA-n.
Berisha nuk ka nguruar të tërheqë një paralele me situatën politike në Shqipëri, ku krahason diferencën mes Viktor Orbán në Hungari dhe Edi Ramës në Shqipëri. Në një status të gjatë në Facebook, kryedemokrati vlerëson qëndrimin e Orbán për pranimin e humbjes pas 16 vitesh në pushtet, ndërsa akuzon Ramën për manipulim elektoral.
“Për t’u theksuar është fakti se, në dallim të madh nga Edvin Kristaq Rama, kryeministri Viktor Orbán nuk zhvilloi një farsë elektorale, por zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai nuk u fali zgjedhësve dy miliardë euro gjoba dhe kamata dy ditë para votimit. Ai nuk u dha pensionistëve “dhurata” prej 100 eurosh në këmbim të votës. Ai nuk përdori organizata kriminale dhe kartele droge për të terrorizuar qytetarët e për të kontrolluar vullnetin e tyre. Ai nuk dekretoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis për vota. Qeveria e tij nuk ndërtoi një komision zgjedhor karikaturë si ky i Shqipërisë. Së fundmi, kryeministri Orbán nuk vendosi nën kontroll 90% të mediave të vendit dhe nuk bllokoi TikTok-un si Edi Rama”, shkruan ndër të tjera ai.
Të gjitha këto konstatime të Berishës mund të jenë të drejta, megjithatë kreu i PD nuk specifikon edhe një fakt tjetër që është thelbësor për arsyen pse qytetarët hungarezë votuan TISZA-n, rolin e figurave të reja politike dhe një parti që ishte alternativë. Që nga kryetari i saj Péter Magyar, sipas mediave të huaja bëhet fjalë për një politikan të ri që nuk ka ushtruar pushtet të drejtpërdrejtë dhe që ndërtoi partinë e tij me ekspertë, aktivistë dhe njerëz të rinj në politikë, me një platformë të fokusuar në anti-korrupsion dhe pro-BE.
Pra, kundër një qeverie të korruptuar dhe jetëgjatë në pushtet, u vendos një grup politikanësh që nuk kanë pasur pushtet real në duart e tyre dhe që nuk janë përlyer në korrupsion.
Dhe jo pa qëllim Berisha e shmang këtë aspekt, sepse ai e di shumë mirë se rotacioni në Shqipëri nuk vjen vetëm për shkak të superpushtetit të Ramës, por edhe për shkak të mëkateve të shumta që i atribuohen opozitës që ai drejton.
Sepse problemi qëndron edhe tek vetë ai, që drejton një parti prej 35 vitesh dhe nuk e lëshon ende duke mos pyetur as për statutin dhe as për demokracinë brenda saj. Që ka provuar disa herë pushtetin si kryeministër dhe jo vetëm, dhe është akuzuar dhe akuzohet për korrupsion, ndërsa kërkon sërish të rikthehet në pushtet. Me figura brenda PD që ndahen në dy grupe, ata që kanë qenë pjesë e pushtetit të demokratëve dhe po ashtu janë përfolur për korrupsion në postet që kanë mbajtur dhe përfitojnë nga lëpirja që i bëjnë kryetarit, dhe pjesa tjetër që nuk është e aftë të artikulojë një alternativë ndryshimi, por zbaton me përpikëri urdhrat e Berishës. Dhe e fundit, një kryetar partie që përveçse është “non grata” nga aleati strategjik SHBA, nuk dëgjohet as nga përfaqësuesit BE.
Prandaj, që shqiptarët të zgjedhin, duhet që përballë të kenë edhe një alternativë që përfaqëson të kundërtën e partisë në pushtet, në mënyrë që ata t’i besojnë realisht. Dhe jo të zgjedhin mes dy forcave politike që, përveç ngjyrës së flamurit, nuk kanë asnjë ndryshim tjetër mes tyre.






















