Bota 25 October 2024, 08:01 Nga VNA

Biden nënshkruan direktivë mbi përdorimin e inteligjencës artificiale për të mbrojtur sigurinë kombëtare

Ndaje në Whatsapp
Biden nënshkruan direktivë mbi përdorimin e inteligjencës

Presidenti Jo Bien nënshkroi të enjten një direktivë që i kërkon Pentagonit dhe agjencive të zbulimit që të përqafojnë me shpejtësi teknologjinë e inteligjencës artificiale, si një çështje që i përket sigurisë kombëtare.

Direktiva synon që Shtetet e Bashkuara të mbajnë rolin udhëheqës në teknologjinë e inteligjencës artificiale, ndërsa synon parandalimin që vendi të bjerë viktimë manipulimeve me këtë teknologji nga vende kundërshtare si Kina.

Memorandumi, ku inteligjenca artificiale (AI) cilësohet si “një teknologji përcaktuese për epokën”, gjithashtu parashtron udhëzime për të cilat Shtëpia e Bardhë thotë se janë krijuar për të parandaluar përdorimin e AI për të dëmtuar liritë civile ose të drejtat e njeriut.

Rregullat e reja do të “sigurojnë që agjencitë tona të sigurisë kombëtare t’i përdorin këto teknologji në mënyra që përputhen me vlerat tona”, tha për gazetarët një zyrtar i lartë i administratës, duke folur për memorandumin në kushte anonimiteti përpara publikimit të tij zyrtar.

“Dështimi për ta vënë menjëherë në funksion këtë teknologji”, tha zyrtari, “mund të na vërë në rrezik të një surprize strategjike nga rivalët tanë”.

“Për shkak se vende si Kina i kuptojnë mundësitë që ofron kjo teknologji për të modernizuar dhe revolucionarizuar aftësitë e tyre ushtarake dhe të zbulimit përmes inteligjencës artificiale, është veçanërisht e domosdoshme që ne të përshpejtojmë përfshirjen dhe përdorimin e AI nga agjencitë e sigurisë kombëtare”, tha zyrtari.

Por disa organizata që mbrojnë liritë civile kanë shprehur shqetësimet se udhëzimeve të reja u mungojnë masa mbrojtëse të mjaftueshme.

Udhëzimet e reja bazohen në një urdhër ekzekutiv të lëshuar vitin e kaluar që u kërkon agjencive qeveritare që të hartojnë politika mbi mënyrën e përdorimit të inteligjencës artificiale.

Dispozitat në memorandum kërkojnë një sërë veprimesh për të mbrojtur zinxhirët e furnizimit që prodhojnë pajisje të avancuara kompjuterike, kritike për sistemet e inteligjencës artificiale. Gjithashtu kërkohen veprime shtesë për të luftuar spiunazhin ekonomik që do të lejonte kundërshtarët ose kompanitë jo-amerikane që të vjedhin risitë kritike.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, tha se: “Nëse nuk e fusim në përdorim me shpejtësi AI dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse për të forcuar sigurinë tonë kombëtare, mund të vëmë në rrezik epërsinë tonë të fituar me djersë”.

Video

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme