Kronika 3 Mars 2025, 22:32 Nga VNA

Arrestimi i zyrtarëve të policisë, Klodiana Lala zbulon detaje të reja mbi operacionin

Ndaje në Whatsapp
Arrestimi i zyrtarëve të policisë, Klodiana Lala zbulon detaje

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar në emisionin “Të Paekspozuarit” detaje nga operacioni i Policisë së Shtetit, që çoi në arrestimin e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve policorë, të lidhur me një grup të strukturuar kriminal në zonat e Sarandës dhe Gjirokastrës.

Lala tha se hetimet kanë zbuluar se trafikimi i kanabisit dhe pastrimi i parave përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, kryesisht në jug të Shqipërisë, janë veprimtaritë kryesore të këtij grupi kriminal.

Ajo theksoi se prokuroria ka siguruar prova të forta përmes përgjimeve të Sky EÇ-së dhe se disa zyrtarë të policisë kanë bashkëpunuar me kriminelët, duke i ofruar mbështetje në shkëmbim të pagesave të majme.

“Pjesëtarë të Policisë së Shtetit, të cilët janë arrestuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me bazë në zonën e Sarandës dhe Gjirokastrës, përfshirë një ish-zyrtar që ka qenë oficer i forcës së posaçme operacionale, janë ndaluar.

Një tjetër person, Erdit Hazizaj, ish-oficer i forcës së posaçme operacionale dhe kandidat për kryetar të bashkisë së Roskovecit për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, është shpallur në kërkim.

Ky person është i pari që është arrestuar si pjesëtar kyç i grupit kriminal të drejtuar nga Kristo Qirici dhe Eldian Allushaj, dy individë të njohur në botën e krimit në Sarandë. Ata janë në përplasje të forta me familjarët e Aleksandër Sadikajt, i cili u ekzekutua në vitin 2022 me një shpërthim të telekomanduar afër TEGut.

Po ashtu, janë arrestuar Shkëlzen Ruska, shefi i krimeve në Himarë, dhe Ervis Ali Sinanaj, shefi i krimeve në Lushnjë, ndërkohë që Elvis Dervishi, shefi i policisë kufitare në Himarë, është shpallur në kërkim.

Të gjithë këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë të policisë së shtetit kanë punuar në periudhën kur dyshohet se janë kryer veprat penale në qarkun e Sarandës dhe Gjirokastrës, dhe sipas hetimeve të deritanishme të prokurorisë së posaçme, ata rezultojnë si anëtarë aktivë të grupit kriminal të drejtuar nga Kristo Qirici.

Për sqarim të opinionit publik, Kristo Qirici është vëllai i Edmond Papës, një biznesmen i njohur dhe pronar i një hoteli luksoz në Sarandë, Blu Sky. Edmond Papa u ekzekutua në dhjetor të vitit 2022, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt, i njohur me pseudonimin Sanço.

Për këtë grup kriminal, hetimet kanë nisur në dy momente kryesore. Fillimisht janë përdorur përgjimet e Sky ECC-së, të cilat u vënën në dispozicion të autoriteteve shqiptare nga pala franceze.

Aty dyshohet se grupi kishte si aktivitet kryesor trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht kanabis-sativa, i cili kultivohej në ambiente të mbyllura me mbështetje dhe favorizim nga policia e shtetit, duke siguruar bashkëpunimin e saj.

Një hetim i nisur nga Policia e Shtetit ka zbuluar se paratë e përfituara nga trafikimi i drogës, sidomos nga kultivimi dhe shitja e kanabisit, investoheshin në pasuri të paluajtshme, si hotele dhe resorte kryesisht në zonën jugore të Shqipërisë.

Katër zyrtarët e policisë të përfshirë, siç përmenda, kanë përdorur aplikacionin Sky ECC. Një moment interesant në hetim është identifikimi i tyre nga prokuroria e posaçme, pasi ata dërguan të dhëna të sakta dhe të qarta, duke bërë të lehtë identifikimin.

Për shembull, një nga zyrtarët, Shkelzen Ruska, kërkoi ndihmën e Kristo Qiricit për të dërguar babain e tij në spital, pasi ai ishte prekur nga COVID-19 dhe më pas ka ndërruar jetë. Prokuroria ka verifikuar këtë bisedë dhe ka marrë listën e pacientëve të shtruar, ku ka rezultuar se babai i Ruskës ka qenë një nga të shtruarit dhe ka ndërruar jetë në spital. Kristo Qirici i dërgoi mesazh ngushëllimi zyrtarit të policisë.

Gjithashtu, pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal kanë dërguar pamje filmike, duke treguar anëtarët e grupit në ambiente ku kultivohej kanabis. Ata kanë dërguar këto pamje për të siguruar ecurinë e trafikut, dhe më pas prokuroria ka verifikuar ato. Këto ambiente, që rezultojnë të jenë në pronësi të Eldian Allushaj, janë identifikuar si pjesë e aktivitetit të grupit kriminal.

Pjesë kryesore e këtij hetimi është edhe Erdit Hazizaj, i cili ka kandiduar për kryetar të bashkisë së Roskovecit, dhe megjithëse nuk ka fituar, është arrestuar dhe ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Kristo Qiricin, i cili i ka kërkuar ndihmë për të shmangur kontrollet policore.

Në një moment, ai ka shprehur shqetësim për arrestimin e disa personave nga autoritetet greke, duke diskutuar se çfarë duhet të bëjnë në rastin konkret. Kristo Qirici i ka thënë që të shpresojë se të arrestuarit nuk do të kenë shumë informacione dhe ka diskutuar për shuma të ndryshme parash, që mund të arrijnë deri në 40 mijë euro si pagesë për zyrtarët e policisë.

Ka pasur raste kur trafikimi i lëndëve narkotike nuk është realizuar vetëm nga shtetas shqiptarë, por edhe nga shtetas të huaj, si boshnjakë, italianë dhe të tjerë, të cilët janë arrestuar.

Autoritetet greke kanë pasur shqetësime të shtuar lidhur me këtë grup kriminal, ndërkohë që zyrtarët e policisë të përfshirë kanë shkuar deri në fshirjen e gjurmëve, duke mundësuar kështu që aktivitetet kriminale të vazhdonin deri në momentin që autoritetet arritën të sigurojnë përgjimet e Sky ECC dhe prova të tjera, që ekspozuan plotësisht këtë grup kriminal”- tha Lala.

 

 

Video

Një dirigjent izraelit që mbrëmë performoi në Proms përdori rastin për të kritikuar vendin e tij për situatën në Gaza dhe njoftoi se përkohësisht nuk do të performojë më në Izrael, edhe pse vazhdon të jetojë atje. Ilan Volkov performoi me Orkestrën Simfonike Skoceze dhe iu drejtua audiencës në Royal Albert Hall pas duartrokitjeve të muzikantëve.

Ermal Beqiri i kompanisë Soft and Solution sapo la ambientet e prokurorisë së Posaçme. Ai është marrë në pyetje lidhur me një hetim që po kryen ky institucion, ndërsa më herët i është ushtruar kontroll në biznesin e tij me vendim të Gjykatës së Posaçme. Beqiri është i njohur për publikun si një nga ekspertët e videos së famshme Meta-Prifti ku, me aktin e ekspertimit të firmosur nga ai dhe dy të tjerët, ish-presidenti mori pafajësinë në Gjykatën e Lartë edhe pse ishte nën akuzën e korrupsionit. https://www.vna.al/kronika/ermal-beqiri-ekspert-i-videos-meta-prifti-pyetet-nga-prokuroria-e-posacm-i14510

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një banesë në lagjen Dudas të qytetit të Shkodrës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Ngjarja ka rrezikuar edhe banesat përreth, pasi objektet janë shumë afër njëra-tjetrës. Në vendngjarje janë angazhuar pesë automjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas informacioneve paraprake, shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike, si pasojë e instalimeve të vjetra elektrike brenda banesës.

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë sot në mbrëmje lagjen Dudas në Kiras të Shkodrës, duke shkrumbuar dy banesa. Forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e flakëve, ndërsa policia ka rrethuar zonën. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme