Kronika 19 Dhjetor 2024, 18:52 Nga VNA

5 vite SPAK/ Goditja e të paprekshmëve dhe bilanci i drejtësisë

Ndaje në Whatsapp
5 vite SPAK/ Goditja e të paprekshmëve dhe bilanci i

Sot SPAK shënoi 5-vjetorin e themelimit. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, prezantoi një bilanc të arritjeve, duke theksuar se epoka e të paprekshmëve në Shqipëri ka marrë fund. Ndërkohë, VNA sjell në mënyrë të detajuar listën e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që deri më sot janë “futur” në rrjetën e SPAK.

Bilanci i këtyre 5 viteve tregon se forca politike më e goditur është Partia Socialiste, me 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të akuzuar dhe dënuar për korrupsion. Niveli më i lartë i hetuar dhe akuzuar është ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. Ai është zyrtarisht në kërkim nga drejtësia shqiptare, pasi SPAK e akuzon për korrupsion, mos-deklarim pasurie dhe pastrim parash.

Një tjetër emër i njohur është ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ishte një yll në ngjitje në mandatin e parë qeverisës të socialistëve, por përgjimet e prokurorëve italianë zbuluan implikime të ish-ministrit me kushërinjtë e tij në trafikun e narkotikëve. Hetimet ndaj tij filluan që para krijimit të SPAK, nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda, ndërsa në fund Tahiri u dënua vetëm për “shpërdorim detyre”. Por ish-ministri i Brendshëm, një vit më parë, ka rënë sërish në “radarët” e SPAK dhe në shënjestër kësaj radhe është pasuria e tij. Organi i akuzës po mbledh informacione brenda dhe jashtë vendit për të gjurmuar pasurinë e Tahirit dhe për të parë nëse ka fshehje apo elementë të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Prapa hekurave ndodhet edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Beqaj, edhe pse hetohet nga SPAK për koncensionin e Sterilizimit, prangat në duar i erdhën për abuzim me fondet e BE-së gjatë periudhës që drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC.

Një tjetër ish-ministër i dënuar është Lefter Koka. Ish-ministri i Mjedisit është dënuar me 10 vite burgim për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa i janë sekuestruar edhe disa prona.

SPAK ka zhvilluar hetime edhe ndaj ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhacka dhe bashkëshortit të saj. Hetimet filluan pas shpalljes si investitor strategjik të bashkëshortit të saj, i cili përfitoi një sipërfaqe toke në Palas të Himarës gjatë kohës kur Xhaçka mbante postin e ministres. Deri më tani për këtë çështje janë sekuestruar 5512 m2 truall të Artan Gaçit, që sipas SPAK u përfitua duke falsifikuar aktin e marrjes së tokës në pronësi. Ndërkohë, për këtë aferë, Gjykata Kushtetuese kërkon shqyrtimin e mandatit të Olta Xhaçkës, por ky proces bllokohet nga mazhoranca.

Ogerta Manastirliu është një tjetër ministre që është nën hetim nga SPAK. Ajo është kallëzuar për keqmenaxhimin dhe abuzimin me fondet për Covid-19, kur drejtonte ministrinë e Shëndetësisë. Në shkurt të këtij viti, ajo ka dëshmuar për dy orë në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa hetimet ndaj saj po vazhdojnë.

Në skanerin e SPAK është edhe ish-ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili aktualisht është deputet dhe sekretar organizativ dhe zgjedhor në PS. SPAK ka nisur një hetim pasuror ndaj Gjiknurit, nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.

Radha më tej vijon me ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, e cila po hetohet nga SPAK për abuzime me fondet e IPARD. Krifca akuzohet se ka shpërdoruar fondet e IPARD, gjatë kohës kur mbante postin e drejtoreshës së AZHBR. Ish-ministrja nuk do ta ketë të lehtë këtë hetim, edhe për faktin se për këtë çështje janë interesuar edhe vetë BE. Ata i kanë dërguar letër SPAK-ut që të përfundojë sa më shpejt hetimet për fondet e IPARD, ose prokurorët e EUROJUST do ta marrin vetë në dorë këtë çështje.

Hetimeve të SPAK nuk i kanë shpëtuar as drejtorë të rëndësishëm gjatë qeverisjes së socialistëve. Dy prej tyre janë ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato dhe drejtori aktual i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Qato është marrë e pandehur së bashku me 10 persona të tjerë me akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera” në lidhje me tenderin e ndërtimit të rrugës Kardhiq-Delvinë. Ndërsa kreu i FSHZH, Dritan Agolli, po hetohet nga Prokuroria e Posaçme pas zbulimit të skandalit me tenderin 500 mijë dollarë për një libër me receta dhe informacione, si dhe për një dokumentar nga i cili do të promovohet puna mbi menynë “100 Fshatra”.

Në listën e dytë të socialistëve, VNA sjell hetimet që po kryen SPAK për deputetë dhe ish-deputetë të grupit parlamentar të PS. Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për deputetin Plarent Ndreca, i cili disa kohë më parë është marrë i pandehur lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Akuza Ndrecës i është komunikuar për “Shkelje të barazisë në tender”, ndërsa bashkë me të, u është komunikuar edhe disa zyrtarëve të tjerë dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Bujar Çela është deputeti tjetër socialist që po hetohet nga SPAK. Çela është nën hetim pas aksidentit në punë në magazinën në pronësi të tij, që i mori jetën 2 punëtorëve babë e bir dhe solli plagosjen e 7 të tjerëve. Ai akuzohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, “ndërtim të paligjshëm”, dhe “shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

Hetimi vazhdon edhe për ish-deputetin e PS, Artan Gaçi, njëherësh bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, për rastin që përmendëm më sipër. Ai hetohet nga SPAK për përfitimin e 5 mijë metrave katror tokë shtetërore në Himarë, gjatë kohës kur bashkëshortja e tij mbante post të lartë në qeveri.

Pjesa tjetër e deputetëve socialistë ka përfunduar prapa hekurave. Ndër ta është Jurgis Çyrbja, i cili u arrestua nga SPAK për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Ish-deputeti dyshohet se ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.

Në burg përfundoi edhe ish-deputeti Alqi Bllako. Atij i është caktuar masa e 'Arrest me burg' nga GJKKO, i vënë në akuzë për aferën në inceneratorin e Fierit. Bllako akuzohet nga SPAK se kompania që ndërtoi inceneratorin e Fierit i pagoi 15 milionë lekë ryshfet përmes babait të tij.

Një tjetër deputet socialist i dënuar më parë është edhe Arben Çuko, pasi u akuzua se ka marrë para për transferimin e një të dënuari.

Socialisti tjetër i shpallur në kërkim është Arben Ndoka. Pas zbërthimit të SKY EÇ, ish-deputeti rezultoi se ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vitin 2018, ku u bë i mundur ndalimi i tij për një tjetërsim pronash në Lezhë. Emri i Ndokës gjithashtu doli nga përgjimet për tjetërsim të pronave.

Goditjet e SPAK gjatë këtyre viteve nuk kanë kursyer as eksponentë të lartë të opozitës. Nga rezultatet e deritanishme, në krahun opozitar vihet re se problemet me drejtësinë i kanë krerët e saj. Ndër ta mund të veçohen ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-Presidenti Ilir Meta.

Berisha është marrë i pandehur nga SPAK për aferën “Partizani”, së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Pasi refuzoi në mënyrë të vazhdueshme të zbatojë masën e parë që gjykata vendosi ndaj tij, atë të detyrimit për t'u paraqitur, si person nën akuzë për korrupsion pasiv, Berisha u dënua me “arrest në shtëpi”. Pas 11 muajsh, GJKKO vendosi ta lironte nga kjo akuzë, ndërsa SPAK është shprehur se do ta ankimojë vendimin për ta rikthyer kryetarin e PD në arrest në shtëpi. Ndërkohë, hetimet ndaj tij ende vazhdojnë.

Edhe arrestimi i ish-Presidentit Ilir Meta u pa si goditja tjetër e madhe e SPAK. Prokuroria e Posaçme e akuzon kreun e PL për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje interkonjeksioni, si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji me porosi në favor të biznesmenit Samir Mane, i cili sipas SPAK nuk është nën akuzë, pasi çështja është parashkruar. Meta ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet ndaj tij ende vazhdojnë.

Hetimit nuk i shpëtoi as bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, njëherësh deputete e Partisë së Lirisë. Ndaj Monikës Kryemadhi rëndojnë të njëjtat akuza që janë ngritur nga SPAK edhe për Metën. Konkretisht, ndaj Kryemadhit rëndojnë akuzat për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Ndaj saj është caktuar masa e “detyrimit për t’u paraqitur”.

Opozitari tjetër që është nën hetim nga SPAK është kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Ai hetohet për çështjen “Gërdeci”, që sipas Prokurorisë së Posaçme dyshohet se ka shkelur ligjin kur ishte ministër i Mbrojtjes, duke shpërdoruar detyrën, veprime të cilat sollën tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë u plagosën. Mbi të rëndojnë akuzat për ‘shpërdorim të detyrës’ dhe zyrtarisht është marrë i pandehur.

Sa i përket grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në hetim nga SPAK janë vetëm deputetët Flamur Noka dhe Asllan Dogjani. Të dy deputetët demokratë i janë nënshtruar hetimit pasuror. Konkretisht, ndaj Nokës, objekti i hetimit përfshin verifikimin e gjithë transaksioneve financiare në emër të tij, gruas dhe dy fëmijëve. Ndërsa Asllan Dogjani është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Lista tjetër e gjatë e hetimeve të SPAK ka të bëjë me kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë, të cilët janë nën hetim ose janë dënuar nga GJKKO. Emir "vip" i kësaj liste është kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarët e tij, për të cilët SPAK po kryen hetim pasuror. Intensifikimi i hetimeve është parë ditët e fundit, kur oficerët e BKH kanë bastisur shtëpinë dhe zyrat e kompanive të bashkëshortes dhe vëllait të Veliajt. Kujtojmë se hetimi pasuror ndaj tij nisi pas arrestimeve të bujshme të drejtorëve të bashkisë Tiranë për aferën 5D dhe hetimeve ndaj inceneratorit të Tiranës.

Jorgo Goro ishte një nga kryebashkiakët që u arrestua kur ishte në detyrë. Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se ka shpërdoruar detyrën duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, në dy episode, ku përfitues fundor i truallit, me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish-deputet i PS. Pasi ka përfituar tokën, është pajisur me leje për ndërtimin e një kompleksi turistik.

Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, u arrestua nga SPAK gjatë kohës kur po ushtronte funksionin e tij. Hetimi ndaj Gjicit nisi më 16 qershor 2023, menjëherë pasi në media u publikua një video ku Safet Gjici shfaqej në zyrën e tij duke kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë. Fillimisht ndaj tij nisi hetimi për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa pas publikimit të pjesës së dytë të videos, ku Alma K. shfaqej teksa i kërkonte Gjicit një tender për shoqatën e saj të qenve, SPAK ka nisur hetimet për korrupsion.

Lefter Alla i Bulqizës është ish-kryebashkiaku tjetër i PS që u arrestua gjatë ushtrimit të detyrës. Alla së bashku me 12 zyrtarë të tjerë, u akuzuan nga SPAK se favorizuan kompaninë e të afërmit të tij në tenderin prej 3 milionë eurosh. Alla u dënua me 3 vite burg.

Kryebashkiaku tjetër në hetim është ai i Tropojës, Rexh Byberi. Gjykata e Posaçme GJKKO ka lënë në arrest shtëpie Byberin dhe zv/kryetarin e bashkisë, pasi akuzohen nga SPAK se kanë shkelur ligjin në ndërtimin e dy rrugëve, duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej 277 mln lekësh.

Kryetari i bashkisë së Lushnjës u hetua nga SPAK dhe u dënua nga GJKKO me 3.6 vite për shpërdorim detyre. Hetimet zbuluan se Fatos Tushe, përveçse ishte deklaruar fajtor për shkelje të barazisë në tendera, mori edhe një dënim të dytë, pasi nuk ka deklaruar siç e kërkon ligji, nga 2018 e në vijim, blerjen e apartamentit, arredimin dhe një hua.

Edhe kryebashkiaku i Rogozhinës, Edison Memolla, është nën hetim nga SPAK. Memolla po hetohet për keqmenaxhim të fondeve të rindërtimit dhe hetim pasuror.

Hetimi ka mbaruar edhe ndaj kryetarit të bashkisë së Devollit, Eduard Duro. Ai së bashku me sh-administratoren e Komanduar të Bilishtit, Vojsava Bregu, si edhe 3 zyrtarë të bashkisë, akuzohen për shpërdorim detyre, lidhur me licencimin e paligjshëm të pikës së karburantit “Genci Petrol” sh.p.k. Në 7 dhjetor, SPAK ka çuar dosjen për gjykim.

I vetmi kryetar bashkie opozitar që u dënua nga GJKKO, ishte Fredi Beleri. Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit 2023, pasi u kap në flagrancë duke blerë vota. Beleri u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe dënimi me dy vite burg u konfirmua në Apel. Edhe pse në qeli, Beleri fitoi zgjedhjet në Himarë, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli mandatin të pavlefshëm. Për shkak të dënimit, Beleri nuk e kreu dot betimin si kryebashkiak i Himarës. Beleri u lirua pas 16 muajsh burgim, pasi, teksa vuante dënimin në Shqipëri, ai mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe në qershor të këtij viti u zgjodh eurodeputet nën siglën e “Demokracia e Re”, të kryeministrit Mitsotakis.

Prokuroria e Posaçme nuk ka kursyer as ish-kryebashkiakë, të cilët i ka hetuar pas lënies së detyrës. Ndër ta është edhe ish-kryetari i bashkisë Durrës, Vangjush Dako, për shpërdorim detyre në dy raste dhe e dënoi atë me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe vartësit e tij i përpiluan dokumentet dy vjet pas përfundimit të ndërtimit dhe kur banorët tashmë jetonin në pallatin përkatës. Hetimi arriti në përfundimin se ishte bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që ndërtimi vetë nuk ishte bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.

Në radhën e gjatë të të hetuarve nga SPAK është edhe ish-kryebashkiaku socialist i Hasit, Adem Lala. Ai u hetua për korrupsion, ndërsa në vitin 2020, GJKKO vendosi pushimin e hetimeve ndaj tij.

Eduart Kapri, ish-kryebashkiaku i PS në Pogradec, gjithashtu është nën hetim nga SPAK. Kapri akuzohet se, me ndihmën e dy zyrtarëve të tij, lejoi përfundimin e punimeve të pezulluara të pallatit 12 katësh të shoqërisë Gedi sh.p.k, ku ai vetë ka qenë administrator. Jo vetëm kaq. Pallati, që ishte 12 katësh në lagjen nr. 3 të Pogradecit, u bë edhe me 2 kate shtesë, duke arritur në 14 kate. Pasi fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie, firmën e kaloi në emër të të vëllait.

Hetimeve nuk i shpëtoi as ish-kryebashkiaku i PD në Lezhë, Fran Frroku, për tjetërsimin e pronave tek Rana e Hedhun. GJKKO e dënoi me 2 vite burgim, ndërsa ish-kryebashkiaku përfitoi nga amnistia penale që u miratua me votat e mazhorancës dhe grupit të Sali Berishës.

Në 5 vitet e fundit, rritmi i SPAK duke goditur personat e përfshirë në korrupsion ka qenë në rritje, veçanërisht kur në krye të tij erdhi Altin Dumani. Ndoshta Prokuroria e Posaçme nuk është në perfeksionin e saj, por i vetmi sukses i garantuar i SPAK është se ka shkulur një herë e përgjithmonë idenë se nuk ka zyrtarë të pandëshkueshëm. Sot, edhe ata që në 34 vite shiheshin si të “pa prekshëm” nga ligji, me hir apo pahir, janë detyruar të ulen në bankën e të akuzuarve.

 

Video

Biznesmeni i njohur nga Kosova, Behgjet Pacolli, është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës, ku ka qëndruar për rreth tre orë për t’u marrë në pyetje. Pacolli është thirrur për të dhënë shpjegime në kuadër të një çështjeje që lidhet me ndërtimin e aeroportit të Vlorës, projekt që po zhvillohet përmes një koncesioni të miratuar nga qeveria shqiptare.

Veliaj në rolin e Mesias

Veliaj niset me furgon policie nga paraburgimi i Durrësit drejt Tiranës. Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të jetë sot i pranishëm në seancën publike që do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese

Veliaj hyn me pranga në Gjykatën Kushtetuese, shfaqet i buzëqeshur

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme