Sociale 28 July 2026, 17:48 Nga VNA

Ujësjellësit ndryshuan formë, jo përmbajtje: Fituese mbeten ofertat më të shtrenjta, tender edhe për kontroll mendor të zyrtarëve

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-07-28 at 5.47.12 PM.jpeg

Në qershor të vitit 2021, kryeministri Edi Rama shpalli reformën e re për ujësjellësit dhe shprehej se nuk ka pse të ketë gjithë ato ndërmarrje që funksionojnë veç e veç. Ai atëherë deklaronte se, qëllimi i këtij riorganizimi ishte eliminimi i borxheve, rritja e efikasitetit dhe një administrim më i mirë i fondeve publike.

Mirëpo, ndonëse u shit si një reformë që do të sillte eliminim të borxheve, rritje të efikasitetit dhe një administrim më të mirë të fondeve publike, sot këto ndërmarrje vijojnë të japin tendera duke skualifikuar rregullisht ofertat më të mira të kompanive të njohura në vend.

E vërteta e kësaj reforme pasqyrohet qartë te procedurat e zhvilluara. Vetëm në muajin korrik të këtij viti, katër shoqëri rajonale ujësjellësi, konkretisht në Shkodër, Fier, Dibër dhe Pogradec, kanë shpallur fituesit e tenderave duke skualifikuar pa hezitim ofertat më ekonomike në garë.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Qarku Shkodër SH.A, që ka si administrator ish-kandidatin për deputet të Partisë Socialiste, Besmir Lesha, ka shpallur fituesin për tenderin me objekt "Përmirësim i efiçencës së energjisë dhe implementim të paneleve fotovoltaike për shoqërinë Shkodër". Përmes këtij projekti, Ujësjellës-Kanalizime Shkodër do të investojë në përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë me synim uljen e konsumit të energjisë. Projekti konkret përfshin vendosjen e paneleve diellore, rikonstruksionin e stacionit të pompave dhe depos, ndërrimin e pompave dhe pajisjeve elektrike, si dhe rehabilitimin e dy objekteve të puseve në Dobraç.

Shkoder 1.PNG

Për këtë tender, fondi limit i parashikuar ishte 281 milionë lekë, ose rreth 2.9 milionë euro, ndërsa interes kishin shfaqur katër kompani. Dy prej tyre u skualifikuan nga gara dhe fituese u shpall kompania “JUNIK”, me një ofertë prej 255 milionë lekësh. Një nga kompanitë e skualifikuara ishte edhe “CURRI”, me ofertën prej 226 milionë lekësh.2222.PNG

Pra, institucioni që administrohet nga Besmir Lesha nuk ka menduar të kursejë 29.5 milionë lekë vetëm për të shpallur fituese kompaninë “JUNIK” në pronësi të Ded Malutajt. Ky i fundit është denoncuar më herët nga Partia Demokratike se në vitin 2022 u shpall në kërkim për mashtrim nga Prokuroria e Elbasanit, me një dëm prej 35 milionë lekësh. Sipas atij denoncimi, Malutaj së bashku me persona të tjerë kishte instaluar sisteme të dëmtuara kondicionimi duke shkelur kriteret e tenderit dhe duke mashtruar një institucion të drejtësisë. Megjithatë, duket se biznesmeni në fjalë nuk e ka humbur besimin e institucioneve të shtetit për të vazhduar marrjen e kontratave publike.

Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Fier me tenderin me objekt “Ndërtim Rrjet Ujësjellësi për Zonën DMA 10, Bashkia Fier”. Ky projekt parashikon ndërtimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në zonat 3, 4, 9 dhe 10 të Fierit, si dhe rikonstruksionin e rrjetit të kanalizimeve në zonën 6, ku punimet parashikohen të përfundojnë brenda 6 muajve nga lidhja e kontratës. Fondi limit i përcaktuar ishte 109.3 milionë lekë, ose rreth 1.13 milionë euro.

Fier 3.PNG

Edhe në këtë tender kishin shfaqur interes katër kompani, por institucioni i administruar nga Gentian Alika skualifikoi tre prej tyre dhe shpalli fituese kompaninë “BALILI KONSTRUKSION” me ofertën prej 99.9 milionë lekësh. Ndër të skualifikuarat ishin kompanitë “NDREGJONI”, e cila kishte ofruar 26 milionë lekë më pak se fituesi, si dhe subjekti “2 N”, që kishte ofruar 19.9 milionë lekë më pak. Edhe në këtë rast u injoruan plotësisht ofertat që do t'i kursenin miliona lekë buxhetit të shtetit.

333.PNG

Asnjë ndryshim nuk ka as në procedurën e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër SH.A, me objekt “Ndërtim i sistemit të kanalizimeve të qytetit të Klosit”. Projekti synon të përmirësojë sistemin e grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura në qytetin e Klosit, si dhe të sigurojë trajtimin e tyre sipas standardeve higjieno-sanitare dhe mjedisore në zonën e përfshirë. Në total janë parashikuar të shpenzohen 143.5 milionë lekë, ose rreth 1.48 milionë euro.

Diber 444.PNG

Në tender morën pjesë tre kompani, por institucioni i administruar nga Erger Kosiqi skualifikoi dy ofertat më të mira dhe shpalli fitues bashkimin e operatorëve “WOODPECKER & JUBICA” me ofertën prej 134.6 milionë lekësh. Dy kompanitë e skualifikuara kishin paraqitur oferta dukshëm më ekonomike, “NIKA” me 33.7 milionë lekë më pak se fituesi dhe “LIQENI VII” me 7 milionë lekë më pak.

444444.PNG

Institucioni i Kosiqit nuk i mori parasysh ato, duke i skualifikuar me arsyetimin e mosplotësimit të kritereve. Vlen të theksohet fakti se një nga kompanitë fituese, “JUBICA”, është në pronësi të biznesmenit Ndoc Kulla, i cili është marrë i pandehur nga SPAK më 30 qershor 2025 bashkë me ish-drejtorin e ARRSH-së, Gentian Gjyli. Kulla është nën hetim për tenderin e mirëmbajtjes së rrugës që kalon nga Rrësheni në Shpal dhe zona të tjera përreth, i akuzuar për falsifikim të vulave, stampave ose formularëve. Por këto hetime zyrtare duket se nuk e kanë lëkundur aspak besimin e institucioneve në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për t’i besuar atij sërish fondet publike në mungesë të garës.

Së fundmi, VNA raportoi edhe tenderin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Pogradec, e cila shpalli fituesin duke injoruar ofertat më ekonomike në garë dhe duke përzgjedhur ofertën më të lartë.

5555555.png

Ndërmarrja e drejtuar nga Johan Sterjo skualifikoi pesë nga shtatë kompanitë në garë, përfshirë ofertën më ekonomike që kursente 169 milionë lekë të vjetra, me pretendimin e mungesës së pajisjeve GPS dhe analizave nga laboratori i paakredituar. Në finale mbetën dy operatorë. Edhe pse bashkimi i operatorëve "Balili Konstruksion & Apis Construction & Avduli" ofroi 103 milionë lekë të vjetra më pak, ujësjellësi përzgjodhi ofertën më të shtrenjtë, kompaninë "Shëndelli" me pronar Yzedin Bozhën. Të dhënat financiare tregojnë se kjo kompani ka përfituar rreth 10 milionë euro nga buxheti i shtetit gjatë shtatë viteve të fundit.

66666.PNG

Të gjitha këto shoqëri rajonale kanë si pronar kryesor Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa aksionere me përqindje të caktuara janë edhe bashkitë e qarqeve respektive. Ndryshimi i vetëm i kësaj reforme duket se është mënyra e menaxhimit. Nëse më parë tenderat bëheshin nga ujësjellësit e bashkive me drejtorë të emëruar nga kryebashkiakët, tashmë gjithçka është centralizuar në një kompani rajonale me një administrator dhe me aksioner kryesor ministrin e e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërkohë, forma e dhënies së tenderave mbetet po ajo, me cënim të konkurrencës, skualifikim të ofertave më të lira dhe shpallje fituese të kompanive të zakonshme. Prandaj, pavarësisht reformave dhe pretendimeve për ndryshime të mëdha e mirëmenaxhim, situata mbetet e njëjtë, ndërsa qytetarët janë ata që paguajnë për ofertat e larta që shpallen fituese, me shpresën e pashterrshme se uji do t’u vijë një ditë në rubinet.

Nga ana tjetër, edhe ato pak ujësjellësa që kanë mbetur ende nën administrimin e bashkive vijojnë të bëjnë tendera në kufijtë e çudirave. Rasti më i fundit është ai i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, e cila ka vendosur të shpenzojë rreth 94 milionë lekë, ose rreth 96.7 mijë euro, për të riorganizuar strukturën drejtuese dhe burimet njerëzore. Tenderi mban objektin "Ristrukturim dhe monitorim i vënies në zbatim të strukturës organizative të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë".

888.PNG

Në procesverbalin "Për argumentimin dhe miratimin e specifikimeve teknike dhe kritereve për kualifikim" të këtij tenderi, shërbimi përfshin specifikisht kontrollin neuropsikik dhe neurolinguistik të shefave dhe zyrtarëve të këtij ujësjellësi. Dokumenti sqaron se objekti nuk konsiston vetëm në hartimin e një strukture të re, por përfshin një proces të plotë analize organizative, vlerësimi të roleve, analizë të kompetencave të stafit, zhvillim të profileve të punës, menaxhim të ndryshimit dhe mbështetje gjatë zbatimit.

Sipas specifikimeve teknike, këtë kontroll psikomendor do ta kryejnë tre ekspertë të psikometrisë për të matur ngarkesën psikologjike të shefave dhe zyrtarëve, si dhe për të matur sjelljet, qëndrimin, personalitetin dhe aftësitë e tyre mendore për kryerjen e detyrës.

Gjithashtu, një ekspert i fushës neurolinguistike do të verifikojë etikën dhe nivelin e komunikimit të zyrtarëve, duke krahasuar matjet neuropsikike dhe të shëndetit mendor gjatë përballimit të ngarkesave. Kontrolli është parashikuar të kryhet gjatë periudhës pesëmujore shtator 2026 – janar 2027.

7777777.png

E thënë me fjalë të thjeshta, qytetarët nuk paguajnë vetëm kostot e larta për ujësjellësin dhe tenderat për kompanitë me ofertat më të larta, por tashmë mbulojnë edhe shërbimet psikologjike të punonjësve të ndërmarrjes. Dhe të gjitha këto fatura paguhen për të mbushur depozitat mbi tarracat e pallateve, me ujin që vazhdon të vijë me orar të caktuar në kryeqytet.

E ndërsa drejtuesit e Ujësjellësit të Tiranës do të masin shëndetin mendor dhe nivelin e stresit me ekspertë neurolinguistikë për të përballuar ngarkesën e punës, mbetet enigma se kush do t'u bëjë një kontroll neuropsikik qytetarëve, të cilëve jo vetëm që u zbrazen xhepat nga tenderat e fryrë, por u duhet të presin me durim kur vjen orari për ujin që të mbushin depozitat depozitat.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme