Kronika 14 August 2026, 16:10 Nga VNA

SPAK hap garën për 40 hetues në BKH, kriteret dhe afati i aplikimit

Ndaje në Whatsapp
SPAK hap garën për 40 hetues në BKH, kriteret dhe afati i

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar thirrjen për rekrutimin e 40 hetuesve në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke bërë të ditura kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, fazat e konkurrimit dhe afatin për dorëzimin e aplikimeve.

Sipas njoftimit, kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë dhe të kenë arsim të lartë policor, në drejtësi, kontabilitet ose në degë të tjera të lidhura me misionin e BKH-së.

Një tjetër kriter është që aplikantët të kenë më shumë se një vit përvojë pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë që lidhet me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kandidatët duhet gjithashtu të plotësojnë kushtet që lidhen me integritetin, sigurinë, pasurinë dhe figurën.

Procesi i konkurrimit do të zhvillohet në disa faza. Ai përfshin testin konjitiv, të sjelljes dhe arsyetimit logjik, testimin e aftësive fizike, testin e zgjeruar me shkrim dhe intervistën e strukturuar.

Pjesë e procesit do të jenë gjithashtu testi i poligrafit, verifikimet e pasurisë, figurës dhe sigurisë, si dhe kontrolli mjekësor dhe psikologjik. Këto faza, megjithëse nuk pikëzohen, janë të detyrueshme për kandidatët.

Afati për aplikim është nga data e publikimit të thirrjes deri më 14 shtator 2026, ora 16:00.

Dokumentacioni i kërkuar duhet të dërgohet në mënyrë elektronike në adresën [email protected]. Të njëjtat dokumente duhet të dërgohen edhe me postë pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, rruga Jordan Misja, nr. 1, Tiranë.

SPAK ka bërë të ditur se informacioni i plotë lidhur me kriteret, dokumentacionin që duhet paraqitur dhe të gjitha fazat e konkurrimit gjendet në njoftimin zyrtar për rekrutimin e 40 hetuesve të BKH-së.

Video

Teksa Gentian Gjyli ish-kreu i ARRSH del nga SPAK një qytetar i drejtohet me fjalët: S'ju vjen turp që keni vjedhur lekët e popullit!

🔴LAJM I FUNDIT/ Flakadanët u kushtojnë dy muaj jashtë Kuvendit pesë demokratëve, Berisha përjashtohet për 10 ditë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme