Dhëmbë të shtrembër, gjuhë që dalin jashtë, qime të rralla dhe fytyra që është e pamundur të harrohen. Në Kaliforni është zhvilluar edicioni i 50-të i një prej konkurseve më të pazakonta në botë: “World’s Ugliest Dog”.
Qentë u mblodhën në Sonoma County Fairgrounds në Santa Rosa më 14 gusht, ndërsa pamjet u publikuan nga Reuters më 15 gusht.
Pavarësisht emrit provokues, konkursi ka një histori më të ngrohtë sesa duket. Shumë nga pjesëmarrësit janë qen të adoptuar, kafshë të moshuara ose me karakteristika fizike që normalisht do t’i bënin më pak të kërkuara për adoptim.
Për pronarët e tyre, pikërisht këto “papërsosmëri” janë arsyeja pse kafshët janë të veçanta.
Gjatë viteve konkursi është shndërruar në një festë të qenve që nuk i përshtaten imazhit tradicional të kafshës së bukur. Mesazhi që përsëritet nga organizatorët dhe pronarët është i thjeshtë: një kafshë nuk ka nevojë të duket perfekte për t’u dashur.






















