Kronika 23 July 2025, 21:53 Nga VNA

Gjendje gatishmërie në Sarandë, forcat RENEA dhe operacionale intensifikojnë kontrollet për kapjen e personave të kërkuar

Ndaje në Whatsapp
Gjendje gatishmërie në Sarandë, forcat RENEA dhe operacionale

Gjatë 48 orëve të fundit, strukturat policore në Sarandë kanë kaluar në një gjendje të lartë gatishmërie, pas dy ngjarjeve të rënda me përdorim të armëve të zjarrit dhe shpërthim eksplozivi, të ndodhura brenda vetëm 5 ditëve në këtë zonë turistike.

Në të gdhirë të 23 korrikut, forcat speciale “RENEA” nisën një operacion masiv për kontrollin e zonave të braktisura në periferinë e qytetit, duke kërkuar të kapnin të paktën 5 persona të shpallur në kërkim nga policia. Mes tyre është edhe një person i paidentifikuar, i dyshuar si i përfshirë në ngjarjet kriminale me armë dhe shpërthim eksplozivi, që kanë shqetësuar komunitetin lokal dhe turistët.

Ndërkohë, mbrëmjen e 23 korrikut, efektivë të forcave operative të Vlorës kryen kontrolle të përforcuara në zonat më turistike të Sarandës dhe Ksamilit, duke ndaluar dhe kontrolluar automjete civile në lëvizje të dyshimta, siç dëshmohen edhe në pamjet.

Në këtë situatë, Komisariati i Sarandës po përballet me sfida të mëdha, duke qenë një strukturë relativisht e vogël për një territor që përfshin të paktën katër bashki dhe një numër të lartë ngjarjesh kriminale të rënda. Veprimtaria e krimit të organizuar dhe veprat penale më të rënda tashmë hetohen nga Drejtoria e Policisë në Vlorë, e cila disponon burimet, specialistët dhe teknologjinë e nevojshme për të goditur këto grupe kriminale.

Ndryshimi i strukturës policore dhe reduktimi i kapaciteteve në Sarandë ka shkaktuar një barrë të madhe për Komisariatin lokal, duke e vështirësuar menaxhimin efektiv të situatës. Përveç operacioneve intensive për ngjarjet kriminale, fokusimi i efektivëve në këto çështje ka lënë pas dore detyrat e përditshme, si menaxhimi i trafikut rrugor, kontrolli i plazheve turistike dhe zgjidhja e konflikteve të vogla, që mund të kenë pasoja më të rënda në të ardhmen.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se përballja me këto sfida kërkon jo vetëm burime njerëzore dhe teknologjike më të mëdha, por edhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet strukturave policore lokale dhe atyre qendrore, si dhe një përqendrim më të madh në parandalimin e krimit në zona turistike që janë në qendër të vëmendjes së publikut dhe medias.

 

Video

Nga rrugët e Tiranës në ekranet e Times Square: thirrja “Rama në burg, Berisha në burg” mbërrin edhe në zemër të New Yorkut.

Një zjarr i fuqishëm përfshiu hotelin “Good Luck” në Nepal, përgjatë rrugës turistike që të çon drejt kampit bazë të malit Everest. Sipas autoriteteve lokale, zjarri shpërtheu rreth orës 11:00 dhe dyshohet se u shkaktua nga një bombol gazi në kuzhinën e hotelit. Të gjithë turistët dhe punonjësit u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa nuk raportohet për viktima apo të lënduar.

Në ditën e 20-të, studentët janë mbledhur në protestë përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme