Bota 2026-10-18 22:02:36 Nga VNA

Tragjedi në Kanada: Katër ushtarakë humbin jetën dhe dhjetëra të tjerë plagosen rëndë nga zjarri në një bazë ushtarake

Ndaje në Whatsapp
Tragjedi në Kanada: Katër ushtarakë humbin jetën dhe

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë bazën ushtarake Wainwright, në provincën Alberta të Kanadasë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën katër ushtarakëve dhe plagosjen e rëndë të dhjetëra personave të tjerë. Kryeministri kanadez, Mark Carney, e ka cilësuar ngjarjen si një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar ushtria kanadeze në kohë paqeje.

Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën, rreth orës 16:00 me orën lokale, kur një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu në territorin e bazës së Forcave të Armatosura Kanadeze në Wainwright.

Flakët u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga erërat e forta, duke krijuar një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme për personelin ushtarak dhe ekipet e shpëtimit.

Sipas autoriteteve lokale, kushtet e vështira atmosferike ndikuan në përhapjen e menjëhershme të zjarrit, ndërsa zjarrfikësit ushtarakë dhe civilë punuan gjatë gjithë natës për të vënë situatën nën kontroll.

Kryeministri Mark Carney deklaroi se ekipet e emergjencës u përballën me kushte tepër të vështira, duke rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar personelin dhe për të parandaluar pasoja edhe më të rënda.

Dyshimet për shkakun e zjarrit

Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe autoritetet kanadeze kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Sipas raportimeve të mediave lokale, ekzistojnë dyshime se zjarri mund të ketë nisur pasi një tubacion kryesor gazi është goditur aksidentalisht gjatë një stërvitjeje ushtarake me municion luftarak.

Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ministria kanadeze e Mbrojtjes ka bërë të ditur se hetimet vazhdojnë dhe se, deri në këtë fazë, nuk ka asnjë tregues që ngjarja të ketë lidhje me ndonjë akt terrorist.

Ende nuk është sqaruar nëse viktimat dhe të plagosurit ndodheshin në poligonet ku zhvilloheshin stërvitjet apo nëse flakët janë përhapur edhe në ambientet e banimit të personelit ushtarak.

Katër viktima të konfirmuara, dhjetëra të plagosur rëndë

Kryeministri Carney konfirmoi të dielën vdekjen e katër pjesëtarëve të forcave të armatosura, ndërsa bëri të ditur se dhjetëra persona të tjerë kanë pësuar plagë të rënda.

Identitetet e viktimave nuk janë bërë ende publike, por familjarët e tyre janë njoftuar për humbjen e të afërmve.

Përpara deklaratës zyrtare të kryeministrit, disa media kanadeze kishin raportuar për shtatë viktima, duke iu referuar burimeve ushtarake të paidentifikuara. Megjithatë, bilanci zyrtar i konfirmuar mbetet katër të vdekur.

Autoritetet nuk kanë sqaruar nëse numri i viktimave mund të rritet, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë të shumë prej të plagosurve.

Spitalet në gjendje emergjence, mobilizohen ambulanca dhe avionë

Përmasat e tragjedisë shkaktuan një mobilizim të madh të shërbimeve shëndetësore në provincën Alberta.

Spitali Royal Alexandra në Edmonton aktivizoi të shtunën në mbrëmje protokollin e emergjencës të njohur si “Kodi Portokalli”, i cili përdoret në rastet e fatkeqësive me një numër të madh viktimash dhe të plagosurish.

Sipas shërbimit shëndetësor të Albertës, operacioni i emergjencës zgjati rreth 10 orë dhe përfshiu 22 ambulanca dhe tetë mjete ajrore.

Një numër i madh ambulancash u panë duke mbërritur në spital, ndërsa një mjek i tha transmetuesit publik kanadez CBC se institucioni ishte përballur me një fluks jashtëzakonisht të madh pacientësh.

Protokolli i emergjencës u çaktivizua të dielën pasdite, por autoritetet shëndetësore paralajmëruan se trajtimi i të plagosurve do të kërkojë kujdes intensiv dhe të vazhdueshëm.

 

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news