Bota 2026-10-14 22:39:13 Nga VNA

Papa Leoni XIV nis të ecë pas operacionit për tumorin në mushkëri, mjekët: Gjendja po përmirësohet sipas parashikimeve

Ndaje në Whatsapp
Papa Leoni XIV nis të ecë pas operacionit për tumorin në

Papa Leoni XIV po shfaq shenja pozitive rikuperimi pas operacionit të kryer të martën në spitalin Gemelli të Romës, ku iu hoq një tumor malinj në mushkëri, së bashku me lobin e poshtëm të mushkërisë së djathtë.

Sipas njoftimit të publikuar nga Vatikani të mërkurën, më 14 tetor, Papa ka kaluar një natë të qetë dhe ka nisur të ecë brenda dhomës së spitalit. Ai ka rifilluar gjithashtu ushqyerjen normale dhe ka kryer fizioterapi për frymëmarrjen.

Mjeku personal i Papës, Luigi Carbone, dhe kirurgu Stefano Margaritora, i cili realizoi ndërhyrjen, konfirmuan se rezultatet e analizave të gjakut dhe radiografisë së kraharorit janë brenda parametrave të pritshëm pas një operacioni të tillë.

“Rezultatet konfirmojnë një ecuri të rregullt pas operacionit. Vlerat janë brenda normave për llojin e ndërhyrjes së kryer. Ati i Shenjtë ka nisur të ecë në dhomë dhe ka rifilluar ushqyerjen e zakonshme. Rikuperimi po ecën sipas parashikimeve”, thuhet në njoftimin mjekësor.

Gjatë pasdites, Papa ka marrë pjesë edhe në bashkëkremtimin e meshës në ambientet ku po qëndron në spital.

Vatikani: Papa është në humor të mirë, priten rezultatet e biopsisë

Sipas Selisë së Shenjtë, Papa është në humor të mirë dhe, nëse rikuperimi vazhdon normalisht, qëndrimi i tij në spital pritet të zgjasë rreth një javë nga dita e shtrimit.

Megjithatë, mbeten për t’u vlerësuar rezultatet përfundimtare të ekzaminimeve të indeve të hequra gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Vatikani nuk ka dhënë ende një afat për publikimin e rezultateve të biopsisë.

Mjekët pritet të shqyrtojnë edhe gjendjen e nyjeve limfatike, për të përcaktuar nëse do të nevojiten trajtime të mëtejshme. Përfundimet e këtyre ekzaminimeve mund të kërkojnë rreth dy javë.

Vëllai i Papës: Tumori u zbulua herët, kemi shpresë për shërimin e tij

Për gjendjen shëndetësore të Papës ka folur edhe vëllai i tij i madh, Louis Prevost, gjatë një interviste për televizionin amerikan Newsmax.

Ai tregoi se pas ndërhyrjes kishte marrë një mesazh nga një bashkëpunëtor i afërt i Papës, i cili e kishte informuar se operacioni kishte përfunduar me sukses dhe se Ati i Shenjtë ishte zgjuar, ndihej mirë dhe nuk kishte dhimbje.

“Për aq sa di deri tani, ai është mirë dhe ndodhet në duar shumë të sigurta. Problemi u zbulua mjaft herët dhe shpresojmë që të rikuperohet plotësisht e të vazhdojë shërbimin e tij si Papë”, deklaroi Louis Prevost.

Ai pranoi se lajmi për tumorin kishte qenë tronditës për familjen, veçanërisht për faktin se edhe vetë po përballet prej vitesh me një sëmundje onkologjike.

Louis Prevost vuan nga mieloma multiple, një lloj kanceri i gjakut që prek palcën e kockave. Sëmundja iu diagnostikua në vitin 2017 dhe aktualisht po merr pjesë në një provë klinike në Tampa të Floridës.

Sipas tij, përpara operacionit Papa i kishte shpjeguar se tumori ishte relativisht i vogël dhe se mjekët besonin se ishte zbuluar në kohë.

“Ajo që gjetën ishte serioze, por arritën ta hiqnin plotësisht”, u shpreh ai, duke iu referuar informacionit të marrë për ndërhyrjen kirurgjikale.

Vëllai i Papës theksoi gjithashtu rëndësinë e optimizmit dhe të besimit fetar gjatë përballjes me sëmundjen.

Ai tha se të dy vëllezërit përpiqen të ruajnë një qëndrim pozitiv dhe se lutjet e besimtarëve janë një mbështetje e rëndësishme për familjen.

Kardinali Tagle zëvendëson Papën në meshën në Sheshin e Shën Pjetrit

Ndërkohë, për shkak të qëndrimit në spital, Papa Leoni XIV nuk ka mundur të marrë pjesë në aktivitetet e planifikuara në Vatikan.

Në meshën e zhvilluar të mërkurën në Sheshin e Shën Pjetrit, ai u zëvendësua nga kardinali filipinas Luis Antonio Tagle.

Ceremonia shënoi përfundimin e takimit me presidentët e konferencave ipeshkvnore nga e gjithë bota, të organizuar me rastin e dhjetëvjetorit të dokumentit apostolik Amoris Laetitia të Papa Françeskut.

Në mesazhin e tij për pjesëmarrësit, Papa Leoni XIV e përshkroi Kishën si një “familje familjesh”, duke bërë thirrje për solidaritet, kujdes të ndërsjellë dhe mbështetje ndaj çifteve të reja, prindërve, të moshuarve dhe personave që përballen me vështirësi.

Pavarësisht shtrimit në spital, aktiviteti administrativ i Selisë së Shenjtë vijon. Vatikani publikoi gjatë ditës edhe dy emërime ipeshkvnore të miratuara nga Papa, në Sllovaki dhe Brazil.

Gjendja shëndetësore e Papës mbetet nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor. Deri tani, rezultatet pas operacionit janë inkurajuese, por vlerësimi përfundimtar dhe nevoja për trajtime të tjera do të varen nga analizat e mëtejshme.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news