
SPAK sekuestron të tjera pasuri që u përkasin anëtarëve të organizatës kriminale të drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja Gërgyli apo familjarëve të tyre. Pasuritë e sekuestruara kapin vlerën e 77 milionë lekëve. Konkretisht, janë sekuestruar sipërfaqe toke në Sharrë, 100 për qind e kuotave të shoqërisë “Check Company Sh.p.k.”, në Rrugën e Dibrës, Tiranë, si dhe 24 automjete Volkswagen (modeli Ioniq5 dhe ID3, ID4) dhe 1 Toyota (modeli bZ3) në pronësi të kësaj kompanie.
Anëtarët e kësaj organizate kriminale janë duke u hetuar për trafik kokaine, pastrim parash dhe grup kriminal. Organizata kriminale me shtrirje të gjerë ndërkombëtare bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e lëndëve narkotike drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.
Hetimet përfshinë bashkëpunimin intensiv me EUROPOL dhe autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC. Nga këto hetime janë zbuluar dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anversin etj.
Gjithashtu, janë evidentuar rolet përkatëse të secilit prej pjesëtarëve të grupit kriminal, si dhe është dokumentuar i gjithë zinxhiri i transferimit të shumave monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal. Në kuadër të këtij procedimi penal janë caktuar masa të sigurimit personal ndaj 16 personave.






















