
Revolta studentore në Tiranë ka hyrë në ditën e nëntë, ndërsa të rinjtë dhe pedagogët vijojnë protestat kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit u mblodhën fillimisht përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, nga ku marshuan drejt Kryeministrisë. Pas tubimit përpara godinës së qeverisë, ata ndryshuan destinacion, duke u drejtuar drejt Ministrisë së Arsimit.
Lëvizjes studentore i janë bashkuar edhe pedagogë e qytetarë, të cilët prej nëntë ditësh mbështesin protestat dhe kërkesat e të rinjve.
Ndërkohë, përpjekja e kryeministrit Rama për të zhvilluar një dialog me përfaqësuesit e protestës është refuzuar nga studentët dhe pedagogët, të cilët këmbëngulin në kërkesën për largimin e tij nga drejtimi i qeverisë.
Pavarësisht ftesës për dialog, protestuesit kanë zgjedhur të vijojnë tubimet dhe marshimet në rrugët e kryeqytetit.






















