Opinion 2026-10-18 10:52:43 Nga VNA

Revolta në Shqipëri nuk është diagnoza por simptoma

Ndaje në Whatsapp
Revolta në Shqipëri nuk është diagnoza por simptoma

Nga Adrian Shtuni

Protestat e dhunëshme që kanë shpërthyer në rrugët e Tiranës, me ndërtesa qeveritare të bëra shënjestra të revoltës së rinisë, po i japin Shqipërisë një paralajmërim të dhimbshëm. Për ne që e përjetuam shkatërrimin e 1997-ës dhe u detyruam të largohemi nga vendi prej pasojave të tij, ajo plagë mbetet ende e hapur. Dhuna nuk është zgjidhje. Por a jemi në gjendje të kthjellohemi dhe të kuptojmë, pa syze partiake, pse kemi mbërritur sërish në të njëjtën pikë të mbrapshtë vetëshkatërrimi?

Pyetjet nuk janë të vështira. A është e tepërt të merren seriozisht vështirësitë ekonomike të njërëzve të thjeshtë, nevojat e rinisë për shkollim e punësim të dinjitetshëm, kërkesat e llogaridhënies për korrupsionin e shfrenuar në kupolën e pushtetit? Muajt e protestave paqësore nuk prodhuan asnjë përgjigje kuptimplote.

Për të rinjtë shqiptarë, frustrimi është përditshmëri. Kostot e jetesës janë më të lartat në rajon, pagat nga më të ultat, perspektiva e punësimit e dobët, dhe avancimi në çfarëdo sektori punësimi më shumë në varësi të lidhjeve se sa të meritave. Ky kombinim fatal vazhdon t’i shtyjë të rinjtë të zbrazin vendin, të migrojnë me rritmet më të larta në rajon. Këto janë statistika jo opinione. 

Ndërkohë kyeministri e ka kthyer në kalë beteje avancimin drejt anëtarësimit në BE. Po, anëtarësimi në BE është një aspirate e të gjithë shqiptarëve që lexohet padyshim si premtim për një jetë më dinjitoze, por ky premtim tingëllon bosh kur korrupsioni mbetet i lartë dhe mundësitë për një jetë më të mirë në vendin tënd të pakapshme.

Për muaj të tërë, dhjetëra mijëra njerëz demonstruan çdo ditë pakënaqësitë e tyre poshtë dritares së kryeministrit. Por që kur fitoi një mandat të katërt në maj 2025, kryeministri e ka trajtuar atë si një mburojë legjitimiteti dhe si justifikim për të bërë veshin shurdh ndaj pakënaqësive të protestuesve që rëndomë i ka qesëndisur. Por fitorja zgjedhore nuk e liron një qeveri nga detyrimi i saj për të dëgjuar edhe ata që nuk ja kanë dhënë votën por këkojnë zgjidhje e llogari. 

Kushdo që realisht pretendon se është një “dorë e fshehtë e huaj” që po e kurdis këtë krizë vetëm dëshmon sa e thellë është shkëputja që ka nga realiteti. A mund të ketë njerëz të infiltruar mes protestuesve. Nuk mund ta përjashtoj apriori. Nëse ka prova ato duhet të ndahen me publikun. Por vala e protestave me këtë kohëzgjatje, shtrirje, e përmasa nuk mundet llogjikisht t’i faturohet dashakeqëve të padukshëm. Protestuesit i kanë shprehur qartë ankesat e tyre për korrupsionin, kostot e jetesës dhe mungesën e mundësive që i shtyjnë shqiptarët të largohen jashtë vendit. Këto nuk janë çështje të stisura apo të importuara, por probleme të brendshme që kërkojnë përgjigje të brendshme.

Për fat të mirë, puna e SPAK po tregon se personat me pushtet nuk janë më automatikisht mbi ligjin. Por hetimet nuk mund të rivendosin besimin ndërsa kontratat e dyshimta vazhdojnë, paratë publike rrjedhin përmes marrëveshjeve të errëta dhe llogaridhënia mbetet e ngadaltë ose e pabarabartë. Çështja nuk është një emër apo një tjetë por një model qeverisieje ku korrupsioni është i rrënjosur në marrëdhënien midis pushtetit politik, institucioneve publike dhe pasurisë së paligjshme private. Të përballur me këtë model qeverisës, ku sa e sa funksionarë të lartë të shtetit janë duke u hetuar e dënuar, qytetarët në mënyrë të arsyeshme pyesin: interesave të kujt i shërben qeveria? 

Rënia e skemave piramidale në vitin e mbrapshtë 1997 zhduku kursimet e pakta të shqiptarëve të varfër, ndezi fitilin e trazirave të përgjakshme anë e kënd vendit dhe solli shembjen e shtetit. Kriza nuk ndodhi brenda natës, por politikanët në pushtet, në vend që ta parandalonin u munduan t’i shisnin njerëzve deri në momentin përpara kolapsit iluzionin se gjithshka ishte nën kontroll. 

Kjo histori, ende e gjallë në kujtesën tonë, e bën momentin e tanishëm të rrezikshëm dhe nevojën për t’i thënë gjërat ashtu siç janë akoma më të domosdoshme. Situata nuk është nën-kontroll. Vëndi është në gjendje kritike, në një krizë që s’mund e s’duhet të lejohet të përshkallëzohet. Dënimi i dhunës është i nevojshëm, por dënimi nuk mund të zëvendësojë diagnozën objektive. E pra, tranzirat nuk janë diagnoza. Ato janë simptoma e një modeli arrogant qeverisës të damkosur nga klientelizmi dhe skandale të njëpasnjëshme korruptive të shoqëruara nga tendenca kronike për të bërë veshin shurdh e syrin qorr përpara shqetësimeve, kërkesave, dhe paralajmërimeve të protestuesve. 

Në këtë pikë, forcat e rendit dhe arrestimet s’mund të hapin rrugën për të dalë nga kriza. Dhuna duhet të ndalet! Nevojitet një kompromis politik i negociuar, e bashkë me të një zgjidhje politike e aftë për të rikthyer gradualisht besimin e rinisë tek qeverisja e drejtë dhe legjitime që nuk i bën të ndihen të tepërt e të përjashtuar, por të vlefshëm e të dëgjuar.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news