Opinion 2026-10-18 09:09:21 Nga VNA

Forca mund të imponojë bindje. Nuk mund të prodhojë besim.

Ndaje në Whatsapp
Forca mund të imponojë bindje. Nuk mund të prodhojë besim.

Nga Neli Demi

Dalja e RENEA-s në rrugët e kryeqytetit nuk është vetëm një ngjarje policore. Është një ngjarje me domethënie të thellë psikopolitike.

Një shtet demokratik ka të drejtën dhe detyrimin të garantojë rendin publik. Por kur përballë qytetarëve shfaqen njësi të specializuara të ndërhyrjes së armatosur, pyetja nuk është më vetëm çfarë po mbron shteti, por edhe çfarë marrëdhënieje po ndërton me qytetarët e tij.

Në psikologjinë politike, autoriteti dhe frika nuk janë e njëjta gjë. Autoriteti legjitim mbështetet te njohja dhe pranimi i tij ndërsa frika mbështetet te mundësia e ndëshkimit. Kur këto dy mekanizma ngatërrohen, rreziku është që qytetari të mos shihet më si subjekti prej të cilit buron pushteti, por si objekti mbi të cilin pushteti ushtrohet. Në këtë pikë, prania e forcës merr edhe një funksion simbolik. Ajo nuk komunikon vetëm aftësinë e shtetit për të ndërhyrë, por mund të komunikojë edhe distancën që është krijuar midis institucioneve dhe shoqërisë dhe kjo distancë nuk zvogëlohet me autoblinda.

Një qeveri mund të kontrollojë një shesh, të shpërndajë një turmë, të vendosë barriera dhe të mobilizojë aparatin e saj të sigurisë. Por asnjëra prej këtyre nuk i përgjigjet pyetjes se përse qytetarët kanë humbur besimin tek ajo. Madje, kur përdorimi i forcës nuk shoqërohet me transparencë, përgjegjshmëri dhe respekt rigoroz për të drejtat, ai mund të prodhojë pikërisht atë që synon të parandalojë: më shumë armiqësi, më shumë polarizim dhe më pak legjitimitet.

Në demokraci, qytetari nuk është kërcënim për shtetin vetëm për faktin se kundërshton pushtetin. Prandaj, dalja e RENEA-s kërkon përgjigje publike të qartë për disa pyetje. Cili ishte kërcënimi konkret, kush e autorizoi dislokimin, cilat janë detyrat e kësaj njësie speciale dhe përse mjetet e zakonshme të ruajtjes së rendit konsiderohen të pamjaftueshme?

Këto nuk janë pyetje kundër policisë. Janë pyetje në mbrojtje të shtetit të së drejtës. Sepse problemi më i madh i një demokracie nuk fillon domosdoshmërisht kur qytetarët nuk i binden më pushtetit por fillon kur pushteti e ngatërron bindjen e qytetarëve me legjitimitetin e vet.

Dhe asnjë forcë speciale nuk mund ta zëvendësojë këtë legjitimitet.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news