
Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, dy zyrtarë të lidhur me institucionet në varësi të Belinda Ballukut, janë paraqitur sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Paraqitja e tyre në SPAK vjen në kuadër të procedurave hetimore, ndërsa mbetet për t'u sqaruar nëse janë thirrur për të dhënë deklarime apo për veprime të tjera procedurale.
Gjyli, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe Elezi, ish-drejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, kanë mbërritur së bashku në institucionin e drejtësisë.
Dy ish-zyrtarët janë paraqitur edhe disa ditë më parë në SPAK, ku janë marrë në pyetje në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjen e Evis Berberit, ish-kreut të ARRSH-së.
Kjo është paraqitja e radhës e tyre në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa nuk janë bërë publike detaje të tjera lidhur me veprimet hetimore të kryera gjatë ditës së sotme.






















