Politika 2026-10-26 13:55:36 Nga VNA

Berisha kërkon lista të hapura, por hesht për sistemin e vitit 2008 që mban atë dhe Ramën në krye të partive

Ndaje në Whatsapp

Berisha kërkon lista të hapura, por hesht për sistemin e vitit

Sali Berisha kërkoi lista plotësisht të hapura dhe paralajmëroi bojkot parlamentar në mbështetje të revoltës studentore. Por heshti për sistemin politik të vitit 2008, të cilin e miratoi së bashku me Edi Ramën dhe që favorizon përqendrimin e pushtetit në duart e kryetarëve të partive.

Në konferencën për shtyp të mbajtur sot, kreu i PD-së deklaroi se Parlamenti nuk mund të vijonte normalisht punimet, por shmangu përgjigjen nëse opozita do të bojkotonte edhe Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

“Nuk mund të ketë parlament në këto kushte. Sot përfaqësuesit tanë në detyrë, kryetari apo nënkryetari, janë paraqitur tek komisionet për të bërë një deklaratë dhe për t’u larguar. Ne jemi në një detyrë shumë të rëndësishme të mobilizimit me të gjithë potencialit tonë të mbështetjes të përditshme të revoltës studentore dhe organizimin periodik të protestave kombëtare në mbështetje të kësaj revolte”, deklaroi Berisha.

Por nëse Parlamenti nuk mund të funksionojë, përse PD nuk sqaroi nëse do të largohej edhe nga tryeza ku negociohen rregullat zgjedhore me socialistët? Bojkot i plotë apo protestë selektive që lë hapur derën e marrëveshjeve me mazhorancën?

I pyetur për këtë, Berisha e zhvendosi përgjigjen te listat e hapura.

“Ne jemi për lista të hapura, plotësisht. Kemi pasur një proces në qoftë se ju kujtohet. Ky proces ka qenë i ndërmjetësuar nga forumi intelektual, dhe ky forum ndërmorri konsultat dhe me ato partitë e tjera opozitare që janë në parlament dhe njëra prej tyre e kryesuar nga Adriatik Lapaj kërkoi listën e hapur 100%, gjë për të cilën ne ishim dakord. Jemi plotësisht dakord”, tha Berisha.

Por listat e hapura nuk nënkuptojnë ndryshimin e sistemit. Ato rrisin ndikimin e zgjedhësve në përzgjedhjen e deputetëve, pa kufizuar domosdoshmërisht kontrollin e kryetarëve mbi partitë.

Marrëveshja Berisha–Rama e vitit 2008 vendosi sistemin proporcional rajonal, duke krijuar kushte për forcimin e kontrollit të udhëheqjeve partiake mbi përfaqësimin parlamentar. Ky model vazhdon të kritikohet për favorizimin e partive të mëdha dhe vështirësimin e konkurrencës së forcave të reja politike.

Berisha nuk propozoi rishikimin e tij dhe as kufizimin e pushtetit të kryetarëve. Kjo e vendosi në kontradiktë me kërkesat për ndryshim të artikuluara në protestat qytetare, ku janë dëgjuar edhe thirrje për largimin e figurave të vjetra politike, përfshirë vetë atë.

Ndërkohë, paqartësia për bojkotin la të hapur mundësinë që PD të kundërshtonte mazhorancën në Parlament, por të vijonte negociatat me të për reformën zgjedhore.

Në fund, Berisha kërkoi të hapte listat, por jo të prekte sistemin që ka ndihmuar atë dhe Ramën të ruajnë kontrollin mbi partitë. Ndërsa bojkoti rrezikon të mbetet një tjetër shfaqje parlamentare, si ajo e së enjtes së kaluar, reforma zgjedhore mund të përfundojë sërish në një marrëveshje mes dy protagonistëve të vitit 2008.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news