Politika 2026-10-25 16:06:17 Nga VNA

Të rinjtë në rrugë, kryetari i FRPD-së në Facebook! Për çfarë i duhet PD-së Besart Xhaferri, nëse nuk është zëri dhe forca e tyre kur policia i dhunon?

Ndaje në Whatsapp

Të rinjtë në rrugë, kryetari i FRPD-së në

Nëse do të kuptosh pse Partia Demokratike vazhdon të jetë opozitë, por jo alternativë, mjafton të shohësh si funksionon dhe çfarë njerëzish vendos në krye të strukturave të saj.

Besart Xhaferri, 36 vjeç, është kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Është edhe deputet, falë një vendi në listën e mbyllur të PD-së. Pra, i ka marrë të dyja: edhe drejtimin e të rinjve demokratë, edhe mandatin parlamentar.

Por çfarë bën kryetari i Forumit Rinor kur të rinjtë protestojnë prej trembëdhjetë ditësh në rrugët e Tiranës, përballen me policinë, plagosen dhe arrestohen?

I hodhëm një sy aktivitetit të tij në rrjetet sociale. Nuk gjetëm dëshmi të një pranie të vazhdueshme në protesta apo të një roli të dukshëm drejtues. Kryesisht shpërndarje postimesh dhe reagime nga distanca. Sigurisht, Facebook-u nuk provon ku ndodhet fizikisht një deputet, por angazhimi i kryetarit të forumit rinor nuk mund të mbetet një mister.

Sepse kryetari i FRPD-së nuk është zgjedhur për të administruar një faqe në Facebook. Është zgjedhur për të përfaqësuar të rinjtë, për t’u qëndruar pranë, për të qenë zëri dhe forca e tyre, sidomos kur përballen me dhunën. Nuk mjafton të shpërndash lajmin për një të ri të plagosur. Duhet të jesh aty, të kërkosh përgjegjësi dhe të mbrosh të drejtat e tij.

Dhe kjo bëhet edhe më domethënëse kur vetë Partia Demokratike dhe kryetari i saj pretendojnë autorësinë politike të protestës. Nëse protesta është edhe e juaja, ku është drejtuesi i forumit tuaj rinor? Çfarë roli ka marrë përsipër? Çfarë ka bërë konkretisht për të rinjtë e dhunuar dhe të arrestuar?

Nuk është çështje fotografish apo konkurs se kush del më shpesh në televizor. Është çështje përgjegjësie politike. Mandati i deputetit nuk është dekoratë dhe drejtimi i FRPD-së nuk është titull nderi.

Këtu qëndron edhe një nga problemet e Partisë Demokratike. Ndërsa kërkon ndryshimin e pushtetit, duhet të tregojë fillimisht se di të kërkojë përgjegjësi nga njerëzit që vetë i ka ngritur në poste.

Të rinjtë nuk kanë nevojë për një kryetar forumi që u shpërndan lajmet. Kanë nevojë për dikë që u qëndron pranë kur bëhen vetë lajm, të plagosur, të arrestuar apo të dhunuar.

Përndryshe, FRPD mbetet një strukturë me kryetar, por pa udhëheqje. Dhe PD një parti me plot poste për të ndarë, por ende pa një alternativë bindëse për të ofruar.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news