
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, është paraqitur sërish këtë të mërkurë në ambientet e SPAK.
Pas daljes nga institucioni, Gaçi nuk ka pranuar të japë deklarata për mediat, duke u larguar pa sqaruar arsyet e paraqitjes së tij.
Sipas informacioneve paraprake, ish-deputeti është paraqitur në SPAK pa praninë e avokatit të tij. Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar që të sqarojë se për çfarë çështjeje është thirrur apo në çfarë cilësie është paraqitur këtë herë.
Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka, është paraqitur edhe më herët në SPAK. Më 8 tetor, ai u paraqit në Prokurorinë e Posaçme i shoqëruar nga avokati Gurali Brahimllari, i cili deklaroi se klienti i tij ishte thirrur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.
Hetimet ndaj ish-deputetit lidhen me çështje që kanë tërhequr vëmendjen e drejtësisë, ndërsa deri në këto momente nuk janë bërë publike detaje të plota mbi arsyet e paraqitjes së tij të fundit.






















