Kripë dhe Piper 2026-08-09 07:34:49 Nga VNA

Alergjik ndaj qenve? Shkencëtarët krijojnë dy beagle të modifikuar gjenetikisht

Ndaje në Whatsapp
Alergjik ndaj qenve? Shkencëtarët krijojnë dy beagle të

Për miliona njerëz, dëshira për të pasur një qen në shtëpi përfundon me teshtima, kruajtje të syve dhe probleme të tjera alergjike. Tani një eksperiment i pazakontë shkencor po përpiqet ta ndryshojë këtë realitet.

Shkencëtarët e një kompanie bioteknologjike kanë përdorur teknologjinë e modifikimit gjenetik CRISPR për të krijuar dy qen beagle të projektuar që të mos prodhojnë një nga proteinat kryesore përgjegjëse për alergjitë ndaj qenve. Associated Press raportoi për eksperimentin më 5 gusht. Në qendër të kërkimit është alergjeni i njohur si Can f 1, një proteinë që gjendet ndër të tjera në zbokthin, qimet dhe pështymën e qenve dhe që lidhet me reaksionet e shumë personave alergjikë.

Në vend që të përpiqeshin të reduktonin alergjenin pasi prodhohej, studiuesit ndërhynë në burim. Me CRISPR ata çaktivizuan gjenin që lidhet me prodhimin e proteinës.

Rezultati ishin dy beagle të modifikuar gjenetikisht.

Eksperimenti hap një mundësi që deri pak vite më parë do të dukej si fantashkencë: në të ardhmen mund të krijohen kafshë shtëpiake që prodhojnë më pak nga alergjenët që e bëjnë bashkëjetesën me to të vështirë për disa njerëz.

Por studiuesit janë ende larg momentit kur mund të thuhet se është krijuar një “qen pa alergji” për publikun e gjerë. Alergjitë ndaj qenve janë komplekse dhe nuk shkaktohen domosdoshmërisht nga vetëm një proteinë.

Për këtë arsye, fakti që Can f 1 është eliminuar nuk do të thotë automatikisht se çdo person alergjik mund të jetojë me këta qen pa pasur reaksione.

Gjithashtu duhet të studiohet shëndeti afatgjatë i kafshëve dhe çdo pasojë e mundshme e ndërhyrjes gjenetike.

Teknologjia CRISPR ka revolucionarizuar biologjinë sepse u lejon studiuesve të ndryshojnë me saktësi pjesë të ADN-së. Ajo po studiohet për trajtimin e sëmundjeve njerëzore, për bujqësinë dhe tashmë edhe për kafshët shtëpiake.

Pikërisht këtu lind edhe debati etik: deri ku duhet të shkojë njeriu në modifikimin gjenetik të kafshëve për t’iu përshtatur nevojave njerëzore?

Për momentin, dy beagle-t janë më shumë një provë shkencore sesa fillimi i një produkti të ri. Por eksperimenti tregon se teknologjia që dikur përdorej vetëm në laboratorë po afrohet gjithnjë e më shumë me jetën e përditshme.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news