Sociale 30 May 2026, 17:27 Nga VNA

“Çdo metër është blerë ligjërisht”, reagon kompania e investimit 4 miliardë euro në Zvërnec

Ndaje në Whatsapp
“Çdo metër është blerë ligjërisht”,

Pas tensioneve të regjistruara sot në zonën e Dalanit në Zvërnec, ku aktivistë të mjedisit dhe përfaqësues të Lëvizjes Bashkë protestuan kundër ndërtimeve të planifikuara, ka reaguar kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila mbron projektin dhe e cilëson atë si një nga investimet më të mëdha turistike në rajonin e Mesdheut.

Në një deklaratë të gjatë publike, kompania shpreh “keqardhje të thellë” për atë që e konsideron abuzim me ndjenjat e publikut dhe përpjekje për të përbaltur projektin, duke theksuar se ka nisur vetëm fazën fillestare të investimit dhe se rrethimi i pronës është kryer në përputhje me legjislacionin shqiptar.

Sipas kompanisë, investimi pritet të kalojë vlerën e 4 miliardë eurove dhe të kontribuojë me 3 deri në 4 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë gjatë pesë viteve të ardhshme. Gjithashtu, projekti parashikon krijimin e mbi 10 mijë vendeve të reja pune, direkt dhe indirekt, duke u paraqitur si një motor i ri zhvillimi për Vlorën dhe ekonominë shqiptare.

Kompania kundërshton akuzat e ngritura nga kundërshtarët e projektit, duke deklaruar se trualli ku do të zhvillohet investimi është pronë private e blerë nga pronarë të ligjshëm dhe se të gjitha transaksionet janë kryer përmes sistemit bankar. Sipas saj, çdo hap është ndjekur në përputhje me autorizimet ligjore dhe projekti po përgatitet nga studio ndërkombëtare të arkitekturës dhe mjedisit.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës i kushtohet edhe çështjes së mjedisit. Kompania pretendon se prej dy vitesh ka angazhuar ekspertë ndërkombëtarë për studimet mjedisore dhe garanton se biodiversiteti i zonës do të mbrohet. Ajo premton se projektet mjedisore dhe arkitekturore do të bëhen publike sapo të përfundojnë.

Në fund të reagimit, “Zvërnec South Adriatic Development” dënon çdo akt dhune ndaj pronës private, hedh poshtë akuzat për dezinformim dhe paralajmëron se do të ndjekë rrugë ligjore ndaj kujtdo që, sipas saj, tenton të pengojë ose shantazhojë investimin. Deklarata vjen në një moment kur debati për të ardhmen e Zvërnecit po bëhet gjithnjë e më i ashpër, mes atyre që e shohin projektin si një mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi dhe atyre që paralajmërojnë pasoja të rënda për mjedisin.

Video

Grumbullimi i të rinjve dhe studentëve ka nisur përpara Ministrisë së Arsimit, me thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kësaj proteste pritet t'i bashkohen edhe përfaqësues e mbështetës të PD, të cilët e kanë nisur nga Kryeministria. Situata paraqitet aktualisht e qetë dhe pa incidente. Forcat e policisë janë vendosur në gatishmëri të lartë, duke përfshirë edhe praninë e autobotave për mbarëvajtjen e rendit publik.

Fabrika e kafes në Pogradec është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që ky objekt përballet me një vatër zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për të vënë situatën nën kontroll. Nga përfshirja e flakëve fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e objektit ka pësuar dëme të shumta materiale. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme