Sociale 3 May 2024, 20:38 Nga VNA

Arsimi, në tkurrje të shpejtë, numri i nxënësve dhe studentëve ra me 3.7% në vitin akademik 2023-2024

Ndaje në Whatsapp

Nga viti në vit, ritmet e rënies së nxënësve në arsim po rriten si pasojë e uljes së lindjeve dhe emigrimit të lartë në popullsinë e re në moshë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në vitin shkollor 2023-2024, u regjistruan në arsimin zyrtar 533.711 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 3,7%, krahasuar me vitin shkollor 2022-23.

Në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin parauniversitar (deri të mesëm të lartë) 416.538 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 3,8%, krahasuar me vitin shkollor 2022-23.

Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 66.711 fëmijë, 4,4% më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 258.072 nxënës, 54,7% në arsimin fillor dhe 45,3% në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2022-23, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 3,4% më pak nxënës.

Në vitin shkollor 2023-24, 88,7% e nxënësve të arsimit 9 vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 11,3% në institucionet e arsimit privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9 vjeçar, vajzat përbëjnë 47,9% të totalit.

Në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin e mesëm të lartë 91.755 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,3%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në vitin 2023-24, pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 82,1%.

Ky proporcion ka mbetur pothuaj në të njëjtin nivel përgjatë tre viteve të fundit. Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë ndjek arsimin në institucionet arsimore publike (85,0%).

Në vitin shkollor 2023-24, numri ë mësuesve në arsimin 9 vjeçar është 24.109, ndër të cilët 78,0% janë gra.

Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 15,1 dhe në atë privat është 15,2. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9 vjeçar, raporti nxënës për një mësues në arsimin publik është 7,9 dhe në atë privat 8,0. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm të lartë është 8.307 prej të cilëve 69,6% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm të lartë është 11,5 në arsimin publik dhe 9,1 në atë privat.

Në arsimin pas të mesmes, jo të lartë, në vitin shkollor 2023-24 u regjistruan 179 nxënës. Femrat përbëjnë 39,7% ndërsa meshkujt 60,3%. 71,5 % e tyre ndjekin kualifikimin “Ndërmjetësim ë Pasurive të Paluajtshme”, 17,9% “Teknologji Automatizimi” dhe 10,6% “Dizajn dhe Modë”.

Në vitin akademik 2023-24, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 116.994 studentë, duke shënuar një ulje prej 3,6% krahasuar me 2022-23.

Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik, përbëjnë 72,3% të numrit total të studentëve. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2023-24, marrin pjesë 68.305 studente femra, ose 58,4% e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë. Në programet bachelor, për të njëjtën periudhë, morën pjesë në arsimin e lartë 67.283 studentë duke shënuar një ulje prej 5,5% krahasuar me 2022-23.

Në vitin akademik 2023-24, ashtu si edhe vitin e kaluar akademik, studentët preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve.

Fusha të tjera më të preferuara janë: “Shëndet dhe mirëqenie” dhe “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me përkatësisht 20.9% dhe 19.7% të numrit gjithsej të studentëve të regjistruar. Fusha “Shëndet dhe mirëqenie” është njëkohësisht edhe fusha me rritjen më të madhe të studentëve të regjistruar krahasimisht me vitin e kaluar (8,8%)./Monitor.al

 

 

Video

Një zjarr i fuqishëm përfshiu hotelin “Good Luck” në Nepal, përgjatë rrugës turistike që të çon drejt kampit bazë të malit Everest. Sipas autoriteteve lokale, zjarri shpërtheu rreth orës 11:00 dhe dyshohet se u shkaktua nga një bombol gazi në kuzhinën e hotelit. Të gjithë turistët dhe punonjësit u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa nuk raportohet për viktima apo të lënduar.

Në ditën e 20-të, studentët janë mbledhur në protestë përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sot shënohen dy vite nga tragjedia e 1 nëntorit 2024 në Novi Sad të Serbisë, ku shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor u mori jetën 16 personave. Pavarësisht reshjeve të shiut, qytetarë të shumtë u mblodhën sot në vendin e tragjedisë, ku vendosën lule dhe ndezën qirinj në kujtim të viktimave. Ngjarja shkaktoi protesta masive kundër qeverisë serbe. Edhe dy vite më pas, qytetarët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, hetim të plotë të tragjedisë dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme