Pas qëndrimit për rreth tre orë para Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar marshimin nëpër rrugët kryesore të Tiranës, duke e shtrirë tubimin në disa zona të kryeqytetit.
Të ndarë në grupe, pjesëmarrësit kanë ecur përgjatë akseve kryesore rrugore. Gjatë marshimit, protestuesit kanë kaluar mes automjeteve, ndërsa disa drejtues mjetesh kanë shprehur mbështetjen e tyre përmes sinjaleve të borive.
Tubimi, që sipas organizatorëve po zhvillohet prej 11 ditësh radhazi, ka në qendër kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë, si dhe kritika ndaj klasës politike në tërësi.
Marshimi ka vijuar në disa prej rrugëve më të frekuentuara të kryeqytetit, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se synimi i tyre është të shprehin pakënaqësinë ndaj situatës politike dhe të kërkojnë ndryshim. Në disa raste, ata janë duartrokitur edhe nga qytetarë që lëviznin me automjete përgjatë itinerarit të protestës.






















