Bota 8 Nëntor 2024, 22:26 Nga VNA

Trump mund ta ndalë luftën Rusi-Ukrainë, por në favor të kujt?

Ndaje në Whatsapp
Trump mund ta ndalë luftën Rusi-Ukrainë, por në favor

Perceptimi i përgjithshëm është se përfundimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës nuk është afër. Por, fitorja e Donald Trump mund të nxisë një përpjekje për ta arritur një marrëveshje paqeje, ku Ukraina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera do të diskutojnë për kushtet e mundshme.

Fitorja e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit vendosi një afat, në njëfarë mënyre, sepse ai theksoi disa herë gjatë fushatës se do ta përfundonte luftën shumë shpejt nëse zgjidhet, madje pa pritur për inaugurimin e tij më 20 janar.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e shfrytëzoi këtë gjë në deklaratat e tij të para publike për rezultatin e zgjedhjeve në SHBA, duke thënë më 7 nëntor se “dëshira” e Trumpit për t’i “rigjallëruar marrëdhëniet” me Rusinë dhe për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë “meriton, të paktën, vëmendje”.

Kjo deklaratë u bë mes lëvdatave të mëdha të Putinit për Trumpin: Ai tha se presidenti i zgjedhur kishte treguar “guxim” dhe kishte “vepruar si burrë” kur ishte qëlluar me armë në korrik, dhe se përshtypja e tij ishte se, gjatë mandatit të tij 2017-2021, Trump ishte penguar nga ndjekja e objektivave të tij.

Deklaratat e Putinit u shprehën në një mënyrë që qartësisht synohej të dukeshin rastësore dhe të shkujdesura. Por, ato sugjerojnë se Kremlini do të përpiqet ta shfrytëzojë ndryshimin e pushtetit në Shtetet e Bashkuara dhe shpresat e Trumpit për ta ndërmjetësuar paqen për t’i çuar përpara synimet e veta në Ukrainë.

Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë që Moska ka hequr dorë nga objektivat e saj të deklaruara, që përfshijnë kontrollin rus mbi pesë rajone të Ukrainës dhe një ndalim të përhershëm për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Mëngjesin pas deklaratave të Putinit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, dukej i etur për ta përforcuar këtë mesazh. Ai tha se Putini ka përmendur vazhdimisht se Rusia është e hapur për dialog, por presidenti “asnjëherë nuk ka thënë se objektivat [e pushtimit] kanë ndryshuar”.

Me forcat e saj që po avancojnë në Ukrainën lindore me ritmin më të shpejtë që nga muajt e parë pas pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022, Moska nuk duket e gatshme për kompromis.

Kreu i Këshillit të Sigurimit të Putinit, Sergei Shoigu, gjithashtu sugjeroi se Moska është e hapur për bisedime, por vetëm sipas kushteve të veta.

“Tani, kur situata në arenën e operacioneve ushtarake nuk është në favor të regjimit të Kievit, Perëndimi përballet me një zgjedhje – ta vazhdojë financimin e tij dhe shkatërrimin e popullit ukrainas ose t’i pranojë realitetet aktuale dhe t’i fillojë negociatat”, tha Shoigu më 7 nëntor.

Kjo është një nga sfidat kryesore për çdo përpjekje nga Trumpi për ta përfunduar luftën. Armëpushimi ose paqja e kënaqshme për Moskën ka gjasa të shihet si një humbje për Kievin dhe mund ta lërë Rusinë në një pozicion për ta kërcënuar Ukrainën dhe madje Perëndimin. Kështu, Shtëpia e Bardhë do ta kishte të vështirë ta paraqiste atë si një fitore gjeopolitike.

Me inaugurimin e Trumpit vetëm dhjetë javë larg, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po përpiqet ta parandalojë këtë gjë. Ai po i kërkon Perëndimit të dërgojë më shumë armë, për ta ndihmuar Ukrainën ta përmirësojë pozicionin e saj në fushëbetejë dhe ta hapë rrugën për një “paqe të drejtë”, duke paralajmëruar se paqja sipas kushteve të Rusisë do të ishte një gabim i rëndë.

“Ka pasur shumë diskutime për nevojën për t’iu dorëzuar Putinit, për të bërë hapa pas, për të bërë disa lëshime. Kjo është e papranueshme për Ukrainën dhe vetëvrasje për të gjithë Evropën”, tha Zelensky në një takim të Komunitetit Politik Evropian në Budapest më 7 nëntor.

Përçarjet në Perëndim ka rrezik të shkojnë në favor të Rusisë.

Duke folur në Budapest më 8 nëntor, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e mbështeti Zelenskyn, duke thënë se “duhet ta forcojmë Ukrainën, ta mbështesim Ukrainën, sepse nëse nuk e mbështesim Ukrainën, ky është një sinjal i gabuar që ia dërgojmë Putinit, por edhe disa regjimeve të tjera autoritare në mbarë botën”.

Por, kryeministri hungarez, Viktor Orban, një aleat i Trumpit që gjithashtu është i afërt me Putinin, shprehu diçka pak a shumë të kundërt.

“Situata në front është e qartë, ka pasur një disfatë ushtarake [për Ukrainën]”, tha Orban. “Amerikanët do të tërhiqen nga kjo luftë”.

Por, se kjo do të ndodhë ose jo, ende nuk është e qartë, pavarësisht deklaratave të përsëritura të Trumpit se lufta duhet të përfundojë dhe kritikave të tij për miliarda dollarët mbështetje ushtarake që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për Ukrainën nën presidentin aktual, Joe Biden.

Përtej treguesve se ai do ta përdorte ndihmën për Ukrainën si mjet presioni për ta sjellë Kievin dhe Moskën në tryezën e negociatave, Trumpi nuk ka detajuar se si do të përpiqet t’i ndalë luftimet, kështu që qasja që ai do ta zgjedhë mbetet një variabël thelbësore teksa i afrohet mandati i ri.

Këshilltarët e Trumpit kanë paraqitur ide, disa prej tyre publikisht. Por, në një raport të 6 nëntorit që citonte aleatë anonimë të Trumpit, The Wall Street Journal raportoi se ai “nuk ka miratuar një plan specifik paqeje” ose nuk ka vendosur për një plan për ta ulur Putinin dhe Zelenskyn “në të njëjtën tryezë për të negociuar.” /REL/

 

Video

Të paktën 648 protestues, përfshirë nëntë të mitur, janë vrarë në Iran që nga shpërthimi i protestave antiqeveritare, sipas Organizatës për të Drejtat e Njeriut në Iran. Dëshmitarë okularë tregojnë se forcat e sigurisë kanë qëlluar drejtpërdrejt ndaj protestuesve të paarmatosur, duke përdorur armë automatike dhe municione të vërteta. Protestat u intensifikuan pas thirrjeve të Reza Pahlavit, ndërsa Udhëheqësi Suprem Khamenei paralajmëroi se regjimi nuk do të tërhiqej. Autoritetet ndërprenë internetin dhe akuzuan SHBA-në dhe Izraelin për nxitje të trazirave.

Një përballje e rrallë dhe befasuese ka ndodhur në një kopsht zoologjik në Poloni, ku një drer i vogël u përfshi në një “betejë” të pazakontë me një rinoceront indian shumë më të madh në përmasa. Pavarësisht dallimit të madh fizik, duket se dreri i vogël doli fitues nga përplasja.

Këto janë momentet kur Policia spanjolle sekuestroi rreth 10 tonë kokainë, një sasi rekord me destinacion Europën, e fshehur në kontejnerë me kripë në një anije tregtare me flamur të Kamerunit që ishte nisur nga Brazili. Gjatë operacionit u arrestuan 13 anëtarë të ekuipazhit dhe u sekuestrua edhe një armë zjarri. Operacioni i koduar “Batica e Bardhë” u zhvillua në bashkëpunim me agjenci ndërkombëtare nga SHBA, Britania e Madhe, Brazili, Franca dhe Portugalia, dhe u cilësua nga policia si një goditje historike ndaj rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Ktheni ata që krahasonin doktorin me diellin. Nuk na duhen njerëz të arsyes

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme