Ky degradim i qeverisjes, i ekspozuar prej vitesh dhe që sa vjen e thellohet, reflektohet në të gjithë piramidën administrative, duke zbehur ndjesinë e përgjegjësisë dhe llogaridhënies deri në nivelet më të ulëta. Në një klimë të tillë, pritshmëria që institucionet të parandalojnë rreziqe apo të menaxhojnë kriza në mënyrë efektive bëhet gjithnjë e më e dobët
EDITORIAL / Thuhet se përgjegjësia është një virtyt i mërzitshëm: askush nuk e shet dot si slogan, nuk fiton zgjedhje dhe rrallëherë sjell duartrokitje.
Në botën moderne, ajo zakonisht shfaqet vetëm pas katastrofave, në konferenca shtypi, e shoqëruar me fraza si “do të hetohet”, “do të nxirren mësime” dhe “ju garantojmë do të merren masa”, të cilat, siç dihet, kanë jetëgjatësi afërsisht sa ajo e lajmit të fundit në rrjetet sociale.
Më pas, kur situata qetësohet, përgjegjësia largohet sërish, duke ia lënë vendin harresës, rutinës dhe “pritjes” së fatkeqësisë së radhës.
Globalisht, pasojat e mungesës së përgjegjësisë janë tashmë të dokumentuara mirë: përmbytje që përsëriten në të njëjtat zona, ndërtesa që shemben aty ku “gjithçka ishte sipas standardeve”, zjarre që shuhen vetëm kur mbaron çfarë të digjet.
Ndryshimet klimatike e kanë bërë natyrën më të ashpër dhe më të paparashikueshme, por ajo që mbetet çuditërisht konstante është mënyra se si shoqëritë dhe qeveritë reagojnë: gjithmonë të habitura, gjithmonë të papërgatitura dhe gjithmonë të bindura se herën tjetër do të jetë ndryshe.
Në Shqipëri, të paktën gjatë 30 viteve të fundit, mungesa e përgjegjësisë është shfaqur si një konstante e qeverisjes, veçanërisht sa herë që vendi është përballur me fatkeqësi natyrore: përmbytje, tërmete, zjarre apo rrëshqitje dheu.
Çdo ngjarje shoqërohet fillimisht me deklarata reflektimi dhe zotime për “nxjerrje mësimesh”. Por historia tregon se reflektimi është zakonisht afatshkurtër dhe harresa strukturore. Askush sot nuk mund të thotë me siguri se, nëse Shqipëria do të përballej sërish me një tërmet si ai i 26 nëntorit 2019, emergjencat civile do të ishin realisht të përgatitura për të reaguar shpejt dhe në mënyrë të koordinuar.
Po aq e paqartë mbetet nëse ndërtesat e reja po ndërtohen duke respektuar në praktikë standardet e eurokodeve, apo nëse rindërtimi është kryer sipas standardeve reale dhe jo vetëm atyre të shkruara në dokumente.
Në këtë kontekst, problemi duket se shkon përtej neglizhencës apo mungesës së zakonshme të përgjegjësisë. Informacionet që dalin herë pas here nga hetimet e prokurorisë dhe raportimet mediatike kanë krijuar një tablo shqetësuese për funksionimin e administratës shtetërore, si në nivel qendror ashtu edhe lokal.
Në disa raste, bëhet e vështirë të flitet thjesht për dështim institucional, kur imazhi i krijuar është ai i strukturave që kanë humbur sensin e shërbimit publik.
Ky degradim i qeverisjes, i ekspozuar prej vitesh dhe që sa vjen e thellohet, reflektohet në të gjithë piramidën administrative, duke zbehur ndjesinë e përgjegjësisë dhe llogaridhënies deri në nivelet më të ulëta.
Në një klimë të tillë, pritshmëria që institucionet të parandalojnë rreziqe apo të menaxhojnë kriza në mënyrë efektive bëhet gjithnjë e më e dobët.
Por kultura e mungesës së përgjegjësisë nuk është vetëm problem i qeverive. Ajo është bërë pjesë edhe e sjelljes shoqërore, ku në pjesën më të madhe jetojmë sot për nesër e nuk mendojmë për pasojat afatgjata. Ndërtimet vijojnë e bëhen pa respektuar standardet mjedisore, apo mbi kanale.
Plehrat vijojnë e hidhen në dete e lumenj. Shqipëria vuan dhe nga mungesa pothuajse totale e kulturës së sigurimeve.
Të ardhurat nga primet e sigurimeve janë më pak se 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët në rajon dhe shumë larg mesatares europiane, ku ky tregues kalon 5% të PBB-së.
Të ardhurat për frymë në tregun e sigurimeve ishin 105 euro në vitin 2024, më të ulëtat në Europë së bashku me Kosovën, sa gjysma e rajonit dhe shumë më pak se mesatarja europiane prej 2400-2500 euro/frymë.
Kjo mungesë përgjegjësie individuale dhe kolektive e zhvendos barrën te taksapaguesit. Pas çdo fatkeqësie, qeveria detyrohet të premtojë kompensime, duke përdorur fonde buxhetore që, në kushte normale, do të duhej të orientoheshin drejt investimeve më produktive dhe parandaluese.
Në vend që rreziku të ndahet përmes tregut të sigurimeve, ai socializohet përmes buxhetit, duke u kthyer në një kosto të përbashkët për të gjithë taksapaguesit, të cilët paguajnë për papërgjegjshmërinë e qeverisë, që ajo e shpërndan si favor personal.
Mosmarrja përsipër e përgjegjësisë ka pasoja të rënda. Kur nuk pranon realisht atë që ndodh, nuk merr masa për ta parandaluar herën tjetër. Kjo rrit në mënyrë eksponenciale kostot e fatkeqësive natyrore, si në dëme materiale, ashtu edhe në kosto humane. Tragjeditë nuk kërkojnë justifikime, por veprim. Dhe veprimi fillon vetëm aty ku përgjegjësia pranohet.
Ndërsa presim që kjo kulturë të ndryshojë, ndoshta duhet të fillojmë nga gjërat e vogla.
Edhe ne, si “Monitor”, po mendojmë seriozisht të hartojmë një plan masash për t’u mbrojtur nga çdo e papritur nga sigurimi i arkivit kundër përmbytjeve, te funksionimi redaksional edhe pa energji elektrike apo internet. Jo sepse besojmë se kjo do të na mbrojë nga çdo skenar, por sepse, në këtë vend, përgjegjësia individuale ka rezultuar më e besueshme se ajo institucionale.
Deri sa kjo e fundit të vendosë të shfaqet, masat paraprake mbeten forma më realiste e sigurimit.
Marrë nga Monitor.al






















