Sociale 23 January 2026, 07:50 Nga VNA

Programi i ri, qeveria investon më shumë në beton sesa në njerëz

Ndaje në Whatsapp
Programi i ri, qeveria investon më shumë në beton sesa në

Treguesit buxhetorë të periudhës afatmesme 2025–2029 tregojnë qartë se modeli i qeverisjes mbetet i mbështetur kryesisht te investimet kapitale, rrugë, ndërtesa, vepra infrastrukturore dhe shumë më pak te investimi në kapitalin njerëzor, pra arsim dhe shëndetësi.

Sipas Kuadrit të ri Makroekonomik 2027–2029, shpenzimet kapitale do të lëvizin në një interval shumë të lartë prej 6–6.5% të PBB-së në vit gjatë periudhës afatmesme. Në vitin 2026, ato arrijnë në 6.5% të PBB-së, një nivel që e vendos Shqipërinë ndjeshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian, ku investimet publike zakonisht sillen rreth 3–3.5% të PBB-së.

Kjo e bën Shqipërinë një nga ekonomitë më të orientuara drejt investimeve publike në rajon dhe në Europë, duke reflektuar një strategji zhvillimi që mbështetet fort në ndërtim dhe infrastrukturë si motorë të rritjes ekonomike.

Në kontrast të fortë, financimi për arsimin dhe shëndetësinë mbetet dukshëm më i ulët.

Shpenzimet për shëndetësinë, të përfaqësuara kryesisht nga skema e sigurimeve shëndetësore, luhaten nga 2.4% e PBB-së në 2025–2026, për të rënë gradualisht në 2.1% në 2029. Kjo do të thotë se, në terma relativë, shëndetësia po humbet peshë në ekonomi, edhe pse nevojat për shërbime shëndetësore rriten me plakjen e popullsisë dhe emigracionin e personelit mjekësor.

Fondet për arsimin do të vijnë gjithashtu në ulje si në raport me PBB-në, ashtu edhe me shpenzimet buxhetore, sipas parashikimeve në buxhetin afatmesëm 2026–2028. Shpenzimet publike për arsimin në vitin 2022 ishin vetëm 2.9% e PBB-së, ndërsa këtë vit pritet të arrijnë në 2.4% të PBB-së dhe në vitin 2028 do të jenë vetëm 2.1% të PBB-së. Kjo tregon se teksa ekonomia rritet, ndahen më pak fonde për arsimin.

Struktura e buxhetit tregon se rritja ekonomike po kërkohet përmes investimeve fizike dhe jo përmes përmirësimit të produktivitetit të punës, cilësisë së arsimit apo shëndetit të forcës punëtore.

Në afat të shkurtër, kjo qasje mund të mbështesë rritjen përmes ndërtimit dhe punësimit në sektorë të lidhur me infrastrukturën. Por në afat të gjatë do të kemi një ekonomi me shumë kantiere ndërtimi, por me mungesë gjithnjë e më të madhe mësuesish, mjekësh dhe profesionistësh të kualifikuar.

Megjithë këtë nivel të lartë shpenzimesh për investime publike nga buxheti i shtetit, vendi vazhdon të vuajë nga mungesa e infrastrukturës bazë aty ku është përqendruar popullsia, aktiviteti ekonomik dhe presioni urban, në qendrat e mëdha, sidomos në Tiranë dhe zonën metropolitane përreth saj.

Në vend që kapitali publik të drejtohet aty ku kthimi social dhe ekonomik është më i lartë, ai shpërndahet në qindra projekte të vogla, të shkëputura nga njëra-tjetra, pa sinergji dhe pa një vizion territorial të zhvillimit.

Kjo copëzim e buxhetit ka një efekt të dyfishtë negativ: nga njëra anë, asnjë projekt nuk merr financimin e mjaftueshëm për t’u bërë realisht transformues dhe nga ana tjetër krijohet një terren ideal për abuzime, ri-negocime kontratash, shtesa fondesh dhe zhvendosje të qëllimshme të prioriteteve.

Pasojat tashmë janë të dukshme. Qendra e vendit, ku jeton dhe punon mbi gjysma e popullsisë dhe ku prodhohet pjesa dërrmuese e PBB-së, mbetet e nënfinancuar në infrastrukturë urbane, transport publik, ujësjellës, kanalizime, shkolla, spitale, hapësira publike, strehim./ Monitor

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme