Sociale 26 Dhjetor 2025, 13:55 Nga VNA

FMN: Rritja e pagës minimale rrezikon të jetë e paqëndrueshme pa reforma për produktivitetin

Ndaje në Whatsapp

FMN: Rritja e pagës minimale rrezikon të jetë e

Produktiviteti i ulët mbetet një nga pengesat kryesore për konvergjencën ekonomike të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Sipas analizës më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri vijon të mbetet ndjeshëm pas shumicës së vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE), kryesisht për shkak të produktivitetit të dobët të punës.

Të dhënat tregojnë se prodhimi për orë pune është shumë më i ulët se mesatarja e BE-së dhe ka shënuar përmirësime të kufizuara gjatë dekadës së fundit. Në mungesë të një reagimi të vendosur politikash, perspektiva paraqitet sfiduese, veçanërisht në kushtet kur integrimi në BE pritet të përshpejtojë emigracionin dhe të thellojë mungesat në tregun e punës.

Migracioni dhe tregu i punës: një ekuilibër i brishtë

FMN vëren se rënia e popullsisë në moshë pune ka ndihmuar në afrimin e normave të pjesëmarrjes në tregun e punës me ato të BE-së, por problemet strukturore mbeten të thella. Informaliteti vijon të jetë mbi mesataren e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ndërsa norma e të rinjve jashtë punësimit, arsimit apo trajnimit (NEET) mbetet shqetësuese.

Sipas të dhënave të OeNB Euro Survey 2024, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të qytetarëve që shprehin gatishmëri për të emigruar në 10 vitet e ardhshme. Faktorët kryesorë janë punësimi dhe standardet më të larta të jetesës jashtë vendit, të përforcuara nga diferenca shumë e madhe e pagave me vendet e BE-së, veçanërisht për punonjësit me arsim të lartë.

Ekonomi e orientuar drejt sektorëve me produktivitet të ulët

Një nga zhvillimet strukturore që frenon rritjen e produktivitetit është zhvendosja graduale e fuqisë punëtore drejt sektorit të turizmit dhe shërbimeve, të cilat, ndonëse gjenerojnë punësim, kanë produktivitet më të ulët krahasuar me industrinë përpunuese.

Në të njëjtën kohë, shpenzimet për kërkim-zhvillim (R&D) mbeten minimale, ndërsa investimet në teknologji dhe inovacion janë të pamjaftueshme për të nxitur prodhim me vlerë të shtuar të lartë. FMN thekson se kjo situatë bëhet edhe më problematike në kushtet e mbiçmimit gradual të kursit të këmbimit dhe rritjes së pagave, të cilat po gërryejnë konkurrueshmërinë e prodhimit me vlerë të ulët.

Arsimi dhe aftësitë: një hallkë e dobët

Raporti evidenton boshllëqe të thella në sistemin arsimor dhe të formimit profesional. Pjesëmarrja në të mësuarit gjatë gjithë jetës është e ulët, ndërsa rezultatet e nxënësve shqiptarë në testet PISA janë nën mesataren e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Shkollat profesionale janë të pranishme vetëm në 20 nga 61 bashki, ndërsa përfshirja e biznesit në arsimin profesional mbetet më e ulët se pritshmëritë. Këto faktorë kufizojnë aftësinë e ekonomisë për të krijuar punë cilësore dhe për të mbajtur kapitalin njerëzor në vend.

Të rinjtë NEET dhe politikat aktive të punësimit

Një tjetër problem strukturor është norma e lartë e të rinjve NEET. Në vitin 2023, rreth gjysma e tyre nuk kërkonin fare punë dhe më pak se 20% ishin të regjistruar pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA).

Edhe pse Shqipëria ka ndërmarrë politika aktive të tregut të punës – si orientimi në karrierë dhe subvencionet për punësimin e grupeve në nevojë – mbulimi mbetet shumë i kufizuar. Vetëm 3.5% e të papunëve të regjistruar përfituan nga programet e nxitjes së punësimit në vitin 2024, ndërkohë që efektiviteti i ndërmjetësimit po bie, me vendosjet në punë që janë përgjysmuar krahasuar me vitin 2023.

Çfarë rekomandon FMN?

Sipas FMN-së, rritja e vazhdueshme e pagës minimale nuk mund të zëvendësojë reformat strukturore dhe rrezikon të jetë e paqëndrueshme pa rritje reale të produktivitetit. Institucioni ndërkombëtar rekomandon një paketë të gjerë reformash, përfshirë:

zgjerimin dhe targetimin më të mirë të politikave aktive të punësimit, veçanërisht në zonat rurale dhe për punonjësit informalë;

forcimin e arsimit, veçanërisht në STEM, trajnimin e mësuesve dhe zbatimin e plotë të sistemit dual të arsimit profesional;

masa për uljen e informalitetit dhe rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës, përfshirë përmirësimin e shërbimeve të kujdesit për fëmijët;

mbështetje për inovacionin, digjitalizimin dhe përmirësimin e klimës së biznesit;

forcimin e qeverisjes, sundimit të ligjit dhe pavarësisë së institucioneve mbikëqyrëse, si faktorë kyç për mbajtjen e kapitalit njerëzor në vend.

Integrimi në BE kërkon ekonomi më produktive

Mesazhi i FMN-së është i qartë: integrimi europian ofron mundësi të mëdha për Shqipërinë, por pa rritje të qëndrueshme të produktivitetit, përfitimet rrezikojnë të jenë të kufizuara dhe të shoqëruara me kosto sociale, përfshirë emigracionin e vazhdueshëm të të rinjve dhe profesionistëve.

Në këtë kuadër, produktiviteti nuk është vetëm një tregues ekonomik, por një kusht themelor për suksesin afatgjatë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. /ekofin.al

Video

Tek kryqëzimi i Cakranit në aksin Levan–Tepelen, janë regjistruar dy aksidente brenda dy javësh, duke rikthyer vëmendjen te problematikat e sigurisë në këtë zonë. Ekspertët e sigurisë rrugore theksojnë se kryqëzimet lidhëse me fshatrat përreth dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit përbëjnë rrezik të vazhdueshëm për drejtuesit e mjeteve. Vetëm dy javë më parë, në të njëjtin vend, një furgon i FNSH-së u përplas me një automjet që i preu rrugën, duke lënë disa të lënduar lehtë. Aksidenti i dytë, i ndodhur mbrëmjen e së enjtes, rezultoi fatal për një 16-vjeçar. Rreth orës 19:00, i mituri që drejtonte një automjet tip “Peugeot” hyri në autostradë nga rruga e Cakranit dhe u përplas nga një mjet tip “Benz” që lëvizte në drejtim të Levanit. Për pasojë, 16-vjeçari humbi jetën në vendngjarje.

Mëngjesin e kësaj të premteje kanë nisur reshjet e dëborës në qarkun e Korçës. Konkretisht, në aksin rrugor Boboshticë–Dardhë, autoritetet rrugore kanë nisur pastrimin e rrugës me borëpastruese dhe hedhjen e kripës. Aktualisht nuk raportohen akse rrugore të bllokuara apo të cilat kalohen me vështirësi për qarkullimin. Sipas Prefekturës së Korçës, qarkullimi është normal në të gjitha akset kryesore të qarkut.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur dy persona vjedhin një bankomat (ATM) nga brenda një dyqani në Teksas. Në video shihet se njëri prej tyre lidh bankomatin me një litar, ndërsa tjetri qëndron jashtë dyqanit dhe e lidh litarin me një automjet. Kur automjeti niset me shpejtësi, bankomati shkulet nga vendi, duke shkaktuar dëme të mëdha në ambientet e dyqanit. Policia e White Settlement ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes. Nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar.

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur pak minuta më parë në aksin Levan–Tepelenë, në vendin e quajtur kryqëzimi i Cakranit. Në aksident janë përfshirë dy automjete, një Mercedes dhe një Peugeot. Si pasojë e përplasjes së fortë, ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejt spitalit drejtuesi i mjetit Peugeot, shtetasi O. M., rreth 19 vjeç. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër ka pësuar dëmtime të lehta dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë, si dhe një mjet zjarrfikës, për normalizimin e trafikut dhe pastrimin e rrugës. Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme