Kronika 7 Dhjetor 2024, 20:56 Nga VNA

Sky ECC: ‘Arma’ e SPAK kundër krimit të organizuar sfidohet në Kushtetuese

Ndaje në Whatsapp
Sky ECC: ‘Arma’ e SPAK kundër krimit të organizuar

Komunikimet e aplikacionit Sky ECC i kanë dhënë Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri një avantazh në goditjen e krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij me politikën dhe biznesin, por përdorimi i tyre si prova po sfidohet së fundmi në Gjykatën Kushtetuese.

Në Shqipëri, lufta kundër krimit të organizuar është transformuar nga një teknologji që më parë përdorej nga grupet kriminale për të komunikuar në fshehtësi. Sky ECC, një aplikacion i koduar që reklamonte privatësi absolute, është kthyer gjatë viteve të fundit në armën kryesore të Prokurorisë së Posaçme, duke zbuluar mijëra biseda që lidhin kriminelë, politikanë dhe biznesmenë në Shqipëri.

Falë zbërthimit të sistemit Sky ECC, SPAK ka goditur të paktën nëntë organizata të fuqishme kriminale, ka kryer dhjetëra arrestime dhe ka hedhur dritë mbi ngjarje të rënda të viteve të fundit.

Këto komunikime konsiderohen gjithashtu nga prokurorët si një avantazh për të kuptuar më gjerësisht shtrirjen e krimit të organizuar shqiptar dhe depërtimin e tij në administratën publike dhe agjencitë ligjzbatuese.

“Sky na ka ndihmuar të kuptojmë shtrirjen e krimit të organizuar shqiptar, që përfshin Shqipërinë, Evropën, por edhe Amerikën Latine, Qendrore dhe Jugore. Na ka ndihmuar të kuptojmë nivelin e organizimit, fuqinë financiare që kanë grupet kriminale,” thotë prokurori i SPAK, Klodian Braho.

“Gjithashtu, na ka ndihmuar të kuptojmë edhe depërtimin e tyre në administratën publike, policinë, prokurorinë, si dhe në organet gjyqësore,” shtoi ai.

Sky ECC është një aplikacion i zhvilluar nga kompania kanadeze Sky Global. Ky aplikacion ofronte kriptim të avancuar dhe përdorej gjerësisht nga organizata kriminale për aktivitete të paligjshme, si trafiku i drogës apo i armëve.

Megjithatë, në mars të vitit 2021, autoritetet franceze, belge dhe holandeze arritën t’i deshifronin komunikimet. Prokurori Braho thotë se mes përdoruesve të Sky ECC ishin me mijëra shqiptarë, si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij.

“Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të përdorura në platformën Sky ECC,” tha Braho.

Por jo të gjithë janë dakord me trajtimin e të dhënave të Sky ECC si prova gjyqësore.

Njëri prej përdoruesve dyshohet se është biznesmeni Pëllumb Gjoka, një investitor strategjik i qeverisë, i cili akuzohet për vrasje me paramendim si pjesë një grupi të strukturuar kriminal që u godit gjatë operacionit “Metamorfoza” në korrik të vitit 2023.

Gjoka e ka ankimuar vendimin që e mban në burg në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar si të paligjshëm arrestimin e tij në bazë të provave të marra nga Sky ECC.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, njëherazi avokat i Gjokës, mbron idenë se përdorimi i këtyre të dhënave si prova gjyqësore përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe rregullave të privatësisë.

“Jemi përballë faktit që kemi përgjime masive. Me një pajisje përgjuese, ndërmjet dy serverëve të komunikimit të pajisjeve Sky, është marrë i gjithë informacioni. Çfarëdo që të gjesh aty, mund ta përdorësh për të dhëna të sigurisë kombëtare, por jo si prova gjyqësore,” tha Manjani.

“Ne nuk jemi në debat me Sky ECC. Ne jemi në debat gjyqësor me prokurorinë shqiptare dhe me gjykatat shqiptare. Të dhënat e përftuara nga Sky ECC duhet t’i nënshtrohen kontrollit të ligjshmërisë në vendin ku përdoren. Nëse në Francë del qoftë dhe një vendim gjykate që autorizon përgjimin e Pëllumb Gjokës, atëherë mund të pranojmë provat,” theksoi ai.

Ankimi i Gjokës në Gjykatën Kushtetuese nuk është sfida e parë gjyqësore kundër përdorimit si prova të të dhënave nga aplikacioni i koduar. Padi të ngjashme janë bërë edhe në Gjykatat Evropiane.

Ish- ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi shpjegon se të gjitha vendimet kanë qenë unanime dhe konvergojnë sipas tij në tre komponentë kryesorë.

“Së pari, është shumë e rëndësishme e drejta e mbrojtjes së privatësisë së personave, qoftë edhe nëse ata kanë ushtruar veprimtari kriminale. Së dyti, përgjegjës për mbledhjen e të dhënave dhe respektimin e standardeve është autoriteti dhe shteti ku ato janë mbledhur. Pra, përgjegjës është Franca, ajo i ka mbledhur dhe më pas i ka transmetuar. Gjykata e Strasburgut thotë se këto të dhëna janë mbledhur në përputhje me standardet franceze dhe ato evropiane,” tha Halimi.

“Së treti, çdo shtet duhet t’i analizojë dhe t’i përdorë këto të dhëna në përputhje me legjislacionin e tij. Gjithashtu, këto të dhëna duhet t’i nënshtrohen një shqyrtimi gjyqësor për t’u konsideruar të ligjshme,” theksoi ai.

Edhe pse përdorimi i mesazheve të deshifruara nga Sky ECC u ka dhënë prokurorëve një avantazh të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, dokumentimi i ngjarjeve kriminale të lidhura me këto mesazhe mbetet një proces hetimor kompleks.

Për prokurorin Klodian Braho, ky proces kërkon kohë, kujdes dhe profesionalizëm.

Në Sky mund të gjeni komunikime që kanë vlerë provuese, por mund të gjeni edhe opinione, hamendësime dhe thashetheme. Sfida e grupit të hetimit, prokurorit dhe hetuesve është të bëjnë një vlerësim sa më të saktë të këtyre komunikimeve. Kjo bëhet duke i ndërthurur komunikimet e Sky ECC me prova të tjera, dokumente dhe dëshmi nga dëshmitarët,” theksoi Braho.

Më 19 dhjetor, trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese do të vendosë mbi këtë çështje, duke përcaktuar nëse përdorimi i të dhënave të Sky ECC si prova përputhet me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare. Ky vendim do të ketë një ndikim të rëndësishëm mbi të ardhmen e luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri./BIRN/

Video

Këto janë momentet e arrestimit të një 45-vjeçari pasi sulmoi dy burra hebrenj me thikë në zonën Golders Green, një lagje me komunitet të madh hebre në veri të Londrës. Sipas autoriteteve, sulmi po trajtohet si një akt terrorist dhe hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit. Të plagosurit, të moshave 76 dhe 34 vjeç u dërguan në spital, ku raportohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Dëshmitarët thanë se autori ishte parë duke vrapuar në rrugë me thikë dhe duke synuar persona të identifikueshëm si hebrenj. Ai u neutralizua nga policia me Taser dhe më pas u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia Metropolitane deklaroi se i dyshuari kishte edhe një histori të mëparshme dhune dhe probleme të shëndetit mendor. Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi sulmin duke e cilësuar si “plotësisht të tmerrshëm”, ndërsa liderët hebrenj kërkuan masa më të forta sigurie për komunitetin.

Kjo video nga darka zyrtare në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë Melania Trump dhe Mbretin Charles III po bëhet virale në rrjet. Shkak është një moment i sikletshëm gjatë fotos zyrtare, ku Melania duket se i heq dorën Trump, duke nxitur reagime të shumta dhe diskutime për gjuhën e trupit dhe marrëdhënien mes çiftit presidencial.

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Orikum–Vlorë pranë fshatit Tragjas. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi Vladimir Gaba, ka përplasur një tufë me bagëti të imta (dhi) si dhe çobanin, shtetasin Andi Demiraj, rreth 35 vjeç, i cili ndodhej në fund të kopesë. Si pasojë e përplasjes, Demiraj ka pësuar traumë dhe është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin Tepelenë Krahës, në afërsi të fshatit Iliras. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin teksa qarkullonin në anë të kundërt. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 8 persona, të cilët janë transportuar në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Iliras”, automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“- njofton policia.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme