Bota 29 June 2025, 20:29 Nga VNA

Rusia kryen sulmin ajror më të madh ndaj Ukrainës që nga nisja e luftës

Ndaje në Whatsapp
Rusia kryen sulmin ajror më të madh ndaj Ukrainës që nga

Rusia ka kryer këtë të dielë sulmin ajror më të madh ndaj Ukrainës që nga nisja e luftës në shkurt të vitit 2022, duke goditur me gjithsej 537 armë ajrore, mes tyre 477 dronë dhe 60 raketa. Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës konfirmoi se sulmi ishte i përmasave masive dhe u shtri në disa rajone të vendit, përfshirë qytetin perëndimor të Lvivit.

Autoritetet ukrainase raportuan se kishin arritur të rrëzonin 249 dronë dhe raketa, ndërsa 226 armë të tjera nuk arritën të godisnin objektivat për shkak të bllokimit elektronik të sistemit të mbrojtjes ajrore. Pavarësisht kësaj, disa nga sulmet shkaktuan pasoja në jetën e civilëve dhe infrastrukturën e vendit.

Në rajonin e Khersonit, një person humbi jetën si pasojë e një goditjeje me dron, ndërsa në Kharkiv, një tjetër u vra pasi një dron goditi automjetin e tij, sipas deklaratave të guvernatorëve të këtyre rajoneve. Në qytetin Cherkasy, gjashtë persona mbetën të plagosur, përfshirë edhe një fëmijë. Në Drohobych, në rajonin e Lvivit, një sulm me dron shkaktoi një zjarr të madh në një impiant industrial dhe solli ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona përreth.

Forcat Ajrore të Ukrainës konfirmuan gjithashtu se një avion luftarak F-16, i dhuruar nga aleatët perëndimorë dhe që po patrullonte për të interceptuar raketat dhe dronët rusë, u godit dhe u shkatërrua nga një sulm ajror rus. Si pasojë, humbi jetën edhe piloti i mjetit fluturues.

Pas përshkallëzimit të sulmeve dhe faktit që disa goditje prekën edhe zonat afër kufirit perëndimor të Ukrainës, Forcat Ajrore të Polonisë dhe vendeve aleate u aktivizuan, duke ngritur në ajër avionë për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore polake.

Nga ana tjetër, Rusia njoftoi se kishte rrëzuar tre dronë ukrainas gjatë natës dhe akuzoi Kievin për një tjetër sulm me dron në qytetin Bryansk, ku sipas autoriteteve lokale, mbetën të plagosur dy persona.

Moskë pretendon gjithashtu se ka marrë kontrollin e fshatit Novoukrainka në rajonin e Donetskut, një zonë që ndodhet pjesërisht nën pushtimin rus. Forcat ruse thuhet se po avancojnë ngadalë përgjatë një vije fronti prej rreth 1,000 kilometrash, por ky përparim po shoqërohet me humbje të mëdha njerëzore dhe dëme të konsiderueshme në mjete ushtarake.

Këto zhvillime vijnë vetëm dy ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin u shpreh i gatshëm për një raund të ri bisedimesh paqeje në Stamboll. Megjithatë, raundet e mëparshme të negociatave nuk kanë prodhuar asnjë rezultat konkret, duke e lënë konfliktin në një situatë të zgjatur dhe të paqartë.

Ndërkohë, fusha e betejës po kthehet gjithnjë e më shumë në një arenë ku po testohen teknologjitë më të reja ushtarake, sidomos ato që lidhen me dronët e sofistikuar dhe sistemet për sulme të gjata në distancë. Lufta vijon të thellohet në intensitet dhe pasiguri, duke e bërë çdo ditë e më të largët arritjen e një zgjidhjeje paqësore.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme